Kolegji penal



Yüklə 0,78 Mb.
tarix06.10.2018
ölçüsü0,78 Mb.
#73001


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KOLEGJI PENAL

GJYKATA E LARTË

Nr. 14 i Regj. Themeltar

Nr. 14 i Vendimit

VENDIM


NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Shkëlzen SELIMI Kryesues

Evelina QIRJAKO Anëtar

Edmond ISLAMAJ Anëtar


Admir THANZA Anëtar

Artan BROCI Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 31/05/2017, mori në shqyrtim çështjen penale nr. 14, datë 13.04.2015 akti, që i përket:
Kërkues: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier
I pandehur: Edmond Baçi

Akuzuar: Për veprën penale të “Kallëzim i rremë”, parashikuar nga N.305 i Kodit Penal

--------------------
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.62-2017-1505/244 datë 05.04.2017 ka vendosur:

Shpalljen e moskompetencës lëndore Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për gjykimin e çështjes penale nr.59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, dt. 09.03.2016 regjistrimi që i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi.



Urdhërohet dërgimi i akteve të kësaj çështjeje penale Gjykatës së Lartë, Tiranë.

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË


pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Shkëlzen SELIMI; prokurorin Sokol Stojani, i cili kërkoi: mospranimin e akteve të çështjes penale nr.59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, datë 09.03.2016 regjistrimi në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi.
Caktimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier si gjykatë kompetente dhe dërgimin e akteve kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit të çështjes; përfaqësuesin e të pandehurit Edmond Baçi, av. Fatos Shanaj, i cili kërkoi; dhe si diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N


  1. Rrethanat e çështjes



  1. Në datën 29.07.2013 është depozituar në Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Fier kallëzimi penal, i shtetasit Edmond Baçi, i regjistruar me numrin 1016 datë 31.07.2013. Në datën 09.10.2013 Prokurorja Manjola Kajana ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal nr. 665 për veprat penale të Mashtrimit dhe Falsifikimit të dokumenteve, te parashikuar nga nenet 143 dhe 186 të K.Penal. Në datën 18.11.2015 Prokurorja Eglantina Shehu ka urdhëruar regjistrimin e njoftimit të veprave penale në kolonën përkatëse, shënimin e emrit të personit nën hetim Edmond Baçi për veprën penale të kallëzimit të rreme, të parashikuar nga neni 305 të K.Penal.

  2. Në datën 03.02.2016 prokurorja Eglantina Shehu ka vendosur: pushimin e pjesshëm te hetimeve ne kuadrin e procedimit penal nr. 665 të vitit 2013 përsa i përket veprës penale të Mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, te parashikuar nga nenet 143 dhe 186 të K.Penal dhe në po këtë datë është vendosur dërgimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi për gjykim, në Gjykatën e Rrethit gjyqësor Fier nën akuzën, për veprën penale të kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 të K.Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, në datën 09.03.2016 ka përcjellë për gjykim çështjen penale të sipërpërmendur.

  3. Para fillimit të shqyrtimit gjyqësor, në seancën gjyqësore të datës 12.12.2016 mbrojtësi Fatos Shanaj, referuar kërkesave të neneve 128/1-b, 277/3 dhe 387/1 të K.Pr.Penale ngriti pretendimin për pavlefshmëri të akteve të hetimit paraprak dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi duke parashtruar ndër të tjera se: “Procedimi penal nr. 665 i vitit 2013, është regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga i pandehuri Edmond Baçi në datën 29.07.2013, ndaj shtetasit Robert Bitri, për veprën penale të vjedhjes me shumë se një herë dhe falsifikimit të dokumenteve të parashikuar nga neni 143/2 dhe 186/1 të K.Penal;... referuar atyre dispozitave të ligjit procedural Penal ku përcaktohet se organi i prokurorisë së shkallës së parë i mungon kompetenca për të ushtruar ndjekje ndaj një deputeti që në kallëzim është e përcaktuar që është ndaj Robert Bitri që dihet që është deputet. Në këto rrethana gjithë aktet e hetimeve paraprake janë të pavlefshme dhe gjykata duhet të vendosë pushimin, t’i deklarojë të pavlefshme.”

  4. Në seancën gjyqësore të datës 05.04.2017 prokurori Erind Rehovica mbajti qëndrim mospranues ndaj kërkesës së bërë nga i pandehuri dhe mbrojtësi i tij duke prapësuar se: Prokurori deri në momentin që ka bërë regjistrimin e procedimit nuk e ka regjistruar me emër ndaj deputetit Robert Bitri.



  1. Procedura gjyqësore



  1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.62-2017-1505/244 datë 05.04.2017 ka vendosur:

  1. Shpalljen e moskompetencës lëndore Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për gjykimin e çështjes penale nr.59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, dt. 09.03.2016 regjistrimi që i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi.

  2. Urdhërohet dërgimi i akteve të kësaj çështjeje penale Gjykatës së Lartë, Tiranë.



  1. Me arsyetimin se: “...Gjykata vëren se në Nenin 354 të K.Pr.Penale i titulluar Kërkesat paraprake përcaktohet se: “Kërkesat që kanë të bëjnë me juridiksionin, kompetencën, me bashkimin ose ndarjen e procedimeve, me legjitimimin e paditësit dhe të të paditurit civil, nuk mund të parashtrohen me vonë në qoftë se nuk janë ngritur menjëherë pas legjitimimit të palëve përveçse kur mundësia për t’i ngritur lind vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor. Për kërkesat paraprake kanë të drejtë të flasin prokurori, i dëmtuari akuzues, i pandehuri ose mbrojtësi i tij dhe nga një përfaqësues për çdo palë private. Nuk lejohet replika. Për kërkesat paraprake gjykata disponon me vendim.

Në Nenin 128 të K.Pr.Penale, të titulluar Pavlefshmëria absolute përcaktohet se: 1. Aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me: a)kushtet për të qenë gjyqtar në çështjen konkrete dhe numrin e gjyqtarëve që janë të domosdoshëm për formimin e kolegjeve të caktuara në këtë Kod; b) të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen e tij në procedim; c) thirrjen e të pandehurit ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme. 2. Një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.

Sipas përcaktimeve të nenit 354 të K.Pr.Penale i jep të drejtën palëve për ngritjen e pretendimeve mbi me juridiksionin, kompetencën, me bashkimin ose ndarjen e procedimeve, me legjitimimin e paditësit dhe të të paditurit civil paraprakisht, pra para fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Për pasoje, kjo kërkesë e mbrojtjes në vështrim të nenit 354 të Kodit të Procedurës Penale është e pranueshme për shqyrtim nga pikëpamja e momentit procedurial për ngritjen e saj dhe nga pikëpamja e legjitimimit aktiv.



Në nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përcaktohet se: Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore. Në nenin 75/b të K.Pr.Penale, përcaktohet se: “Gjykata e Lartë shqyrton rekurset për shkelje të ligjit dhe kërkesat për rishikimin e vendimeve të formës së prerë. Gjykata e Lartë gjykon në shkallë të parë, me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë të caktuar me short, veprat penale të kryera nga Presidenti i Republikës, deputetët, Kryeministri dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kur këta janë në këto funksione në kohën e gjykimit.”



Në nenin 277/3 të K.Pr.Penale përcaktohet se: “Për veprat penale që gjykohen në shkallë të parë nga Gjykata e Lartë, procedohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Po kështu gjykata vëren se vete ligji organik i organit të Prokurorisë në nenin 13/2 të ligjit nr.8737, datë 12.02.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë së Përgjithshme” parashikohet se: Prokurorët pranë Gjykatës së Lartë ushtrojnë ndjekjen penale si dhe përfaqësojnë akuzën në gjyq kundër Presidentit të Republikës, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve. gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Nisur nga këto fakte dhe bazë ligjore, gjykata çmon se në lidhje me kërkesën për pavlefshmërinë e akteve të hetimit paraprak dhe të gjitha kërkesave të tjera që kanë lidhje me çështjen objekt gjykimi mund të vendoset vetëm nga Gjykata kompetente, në rastin konkret Gjykata e Lartë.

Gjykata vlerëson se çështja penale nr. 59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, dt. 09.03.2016 regjistrimi, me kërkues prokuroria Fier ndaj të pandehurit Edmond Baçi është në kompetencën lëndore të Gjykatës së Lartë, e cila ne gjykimin e çështjeve të tilla ka juridiksion fillestar, në përputhje të plotë me nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.



Në rastin në gjykim, shtetasi Robert Bitri, në emër të të cilit është depozituar kallëzimi nga i pandehuri Edmond Baci, edhe aktualisht kryen funksionin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, dhe për rrjedhojë kompetenca në lëndë për gjykimin e këtyre çështjeve i përket vetëm Gjykatës së Lartë.

  1. Për pasojë, gjykata në mbështetje të nenit 354 dhe 85 të K.Pr.Penale gjykon se duhet shpallur moskompetenca e saj lëndore dhe se duhet urdhëruar dërgimi i akteve të çështjes për kompetencë lëndore Gjykatës së Lartë.”




  1. Vlerësimi i Kolegjit Penal



  1. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i gjykatës së rrethit gjyqësor Fier, i cili ka shpallur moskompetencën lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për gjykimin e çështjes penale nr. 59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, datë 09.03.2016 regjistrimi që i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi, është marrë në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit procedural penal.



  1. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, është investuar në këtë gjykim pasi është bërë kompetente nga një gjykatë më e ulët (Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier) në kundërshtim me ligjin, por edhe duke u parashtruar mosmarrëveshja e kompetencës nga i përfaqësuesit i të pandehurit.



  1. Çështja penale nr. 59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi, nuk është në kompetencën lëndore të Gjykatës së Lartë, për t’u gjykuar, pasi në këtë rast nuk ka juridiksionin fillestar.

  2. Në kodin e procedurës penale, parashikohen rregullat për përcaktimin se kompetencës lëndore dhe tokësore lidhen me faktin se kush do jetë gjykata kompetente për gjykimin e themelit të çështjes, rregulla këto që vlejnë edhe për fazën e hetimeve paraprake lidhur me kompetencën e prokurorisë që do të hetojë rastin konkret.



  1. Ndërsa në nenin 85 të po këtij kodi, përcaktohet se: Në qoftë se në gjykimin e shkallës së parë gjykata çmon se procedimi është në kompetencën e një gjykate tjetër, shpall me vendim moskompetencën e vet për çdo lloj shkaku dhe urdhëron dërgimin e akteve gjykatës kompetente”.



  1. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, në datën 09.03.2016 ka përcjellë për gjykim çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi nën akuzën, për veprën penale të kallëzimit të rremë, të parashikuar nga neni 305 të K.Penal.



  1. Procedimi penal nr. 665 i vitit 2013, është regjistruar nga Prokuroria e Rrethit gjyqësor Fier, mbi bazën e kallzimit të bërë nga i pandehuri Edmond Baçi në datën 29.07.2013 ndaj shtetasit Robert Bitri. Në datën 18.11.2015 Prokurorja Eglantina Shehu ka urdhëruar regjistrimin e njoftimit të veprave penale në kolonën përkatëse, shënimin e emrit të personit nën hetim Edmond Baçi për veprën penale të kallëzimit të rreme, të parashikuar nga neni 305 të K.Penal. Në datën 03.02.2016 prokurorja Eglantina Shehu ka vendosur: pushimin e pjesshëm te hetimeve ne kuadrin e procedimit penal nr. 665 të vitit 2013 përsa i përket veprës penale të Mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, te parashikuar nga nenet 143 dhe 186 të K.Penal dhe në po këtë datë është vendosur dërgimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi për gjykim, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.



  1. Përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor, në seancën gjyqësore të datës 12.12.2016 mbrojtësi Fatos Shanaj, referuar kërkesave të neneve 128/1-b, 277/3 dhe 387/1 të K.Pr.Penale ngriti pretendimin për pavlefshmëri të akteve të hetimit paraprak dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi, duke argumentuar se: “prokurorisë së shkallës së parë i mungon kompetenca për të ushtruar ndjekje ndaj një deputeti që në kallëzim është e përcaktuar që është ndaj Robert Bitri”.



  1. Në nenin 141 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcaktohet se:...“Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Në nenin 75, gërma (b), paragrafi i dytë të Kodit të Procedurës Penale gjithashtu përcaktohet se: “Gjykata e Lartë gjykon në shkallë të parë, me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë të përcaktuar me short, veprat penale të kryera nga Presidenti i Republikës, Kryetari dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetët, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kur këta janë në këto funksione në kohën e gjykimit.”. I pandehuri Baçi nuk përfshihet në rrethin e funksionarëve të parashikuar në këtë dispozitë.

  1. Nga ana tjetër, në vështrim të këtyre përcaktimeve të ligjvënësit, Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar për veprat penale të kryera nga funksionarë të veçantë të shtetit, kur ata janë në pozitën e të pandehurit. Në rastin objekt shqyrtimi shtetasi Robert Bitri nuk është në pozitën procedurale të të pandehurit, dhe për rrjedhojë Gjykata e Lartë nuk ka juridiksion fillestar.



  1. Kompetenca lëndore (competentia ratione materiae) është ajo që përcakton gjykatën që ka të drejtë dhe njëkohësisht detyrë të shqyrtojë dhe të zgjidhë mosmarrëveshje të caktuara. Mosrespektimi i kompetencës lëndore e bën vendimin gjyqësor absolutisht të pavlefshëm dhe pretendimi për respektimin e kësaj kompetence mund të ngrihet si nga i pandehuri/i gjykuari, ashtu edhe kryesisht në çdo fazë të procesit.



  1. Në praktikën e konsoliduar gjyqësore është theksuar tashmë se shqyrtimi i çështjes nga një “gjykatë e caktuar me ligj” është një element i procesit të rregullt ligjor, sipas nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Termi “gjykatë karakterizohet, në sensin material, nga funksioni i saj gjyqësor, që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve që janë në kompetencë të saj, në një proces të zhvilluar mbi një procedurë ligjërisht të përcaktuar dhe në pajtim me shtetin e së drejtës. E drejta e çdo pale për t’u dëgjuar në seancë përpara një gjykate kompetente, kërkon që gjykata të ketë juridiksion për të dëgjuar çështjen dhe që kompetenca t’i jetë dhënë asaj prej ligjit.



  1. Sa më sipër, Kolegji Penal i rikujton trupës gjykuese të gjykatës së rrethit gjyqësor Fier, duke disponuar në kundërshtim me dispozitat procedurale, ku normohen në mënyrë eksplicite rastet kur një gjykim i përket juridiksionit fillestar të Gjykatës së Lartë, ka shkelur parimin e një procesi të rregullt ligjor të parashikuar nga neni 6 i K.E.D.NJ-së. Ky cënim konsiston në zvarritjen e procesit gjyqësor duke marrë një vendim të ndërmjetëm në kundërshtim me ligjin dhe mospërfundimin brenda një afati të arsyeshëm të procesit penal.



  1. Në lidhje me zgjidhjen e çështjes



  1. Vendimi nr. 62-2017-1505/244 datë 05.04.2017 me të cilin është shpallur moskompetenca lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për gjykimin e çështjes penale nr. 59106-00527-62-2016(580/237) regjistri, datë 09.03.2016 regjistrimi që i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në ngarkim të të pandehurit Edmond Baçi, është marrë në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit procedural penal dhe si i tillë duhet të prishet dhe aktet e fashikullit të gjykimit do t’i dërgohen Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për vazhdimin e gjykimit me të njëjtin trup gjykues.



PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 86 e vijues të Kodit të Procedurës Penale,


V E N D O S I

Prishjen e vendimit nr. 62-2017-1505/244 datë 05.04.2017 për shpalljen e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe dërgimin e akteve të fashikullit gjyqësor për vazhdimin e gjykimit po kësaj gjykate me të njëjtin trup gjykues.


Tiranë, më 31.05.2017


A N Ë T A R A N Ë T A R K R Y E S U E S

Edmond ISLAMAJ Evelina QIRJAKO Shkëlzen SELIMI

A N Ë T A R A N Ë T A R

Admir THANZA Artan BROCI



Yüklə 0,78 Mb.

Dostları ilə paylaş:




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə