Muhammedi s. A. W. S. Dhe roli I tij në sendërtimin e marrëDHËnieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare -një VËshtrim mbi kushtetutën e medinëS



Yüklə 37,13 Kb.
tarix02.10.2017
ölçüsü37,13 Kb.
#2781

28-31:342.731 (532.2)
Mr. Muhamed MURTEZI1


MUHAMMEDI S.A.W.S. DHE ROLI I TIJ NË SENDËRTIMIN E MARRËDHËNIEVE TË MIRA NDËRETNIKE DHE NDËRFETARE -NJË VËSHTRIM MBI KUSHTETUTËN E MEDINËS




Abstract
Given the fact that the Prophet Muhammad [peace be upon him] was the Messenger of God, then his life has been generally consistent with the values, rules and principles established by the Creator’s Divine System. In this spirit was developed behavior, attitude and its relation to mankind in general.

In terms of relations with non-Muslims, it especially comes in after his forced displacement in the city of Medina, where he laid the foundations of a fair state, on the principle of full equality and respect for good interethnic and interfaith relations.

Basic document which perfectly arranged these interpersonal relations, which were clearly defined rights and duties of all citizens of the first Islamic state, was the Charter or the Constitution of Medina. Through this legal document, non-Muslim citizens enjoy all rights and freedoms, such as freedom of thought, freedom of family formation, the right of free movement, protection of personal dignity, etc. All this in a period when no other part of the world there was no concept of “minority rights”, while the West was far from the first Acts for human rights.
Keywords: Muhammad [pbuh], Constitution of Medina, interethnic and interfaith relations, non-Muslim minorities, human rights.

Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte mbi të gjitha i Dërguar i Zotit dhe jeta e tij në përgjithësi ka qenë në përputhshmëri me vlerat, rregullat dhe parimet e Sistemit Hyjnor të përcaktuar nga Krijuesi. Në këtë frymë ishte zhvilluar edhe sjellja dhe qëndrimi i tij ndaj njerëzve. Si ndaj atyre të cilët kishin përqafuar besimin në Allahun Një, duke ngritur bashkë me ta kalanë e patundshme të Ummetit dhe të vëllazërisë islame, por edhe ndaj atyre të cilët u përkisnin bindjeve ose besimeve tjera, e me të cilët bashkëjetonte në të njëjtin vend, duke u angazhuar me sinqeritet të plotë në sendërtimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe ndërfetare.

Kur’ani Fisnik, si Shpallje e Zotit dhe udhërrëfyes për njerëzimin, paraqet mes tjerash edhe formulën më të shëndoshë institucionale të bashkëjetesës mes grupeve të ndryshme të njerëzve.

Në ajetin e 13 të sures Huxhurat, All-llahu i Madhërishëm thotë: O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”.

Ky ajet kur’anor, pra, vërteton dallimet ekzistuese fisnore, etnike dhe religjioze, por po ashtu tregon qartë për barabarësinë e njerëzve dhe nevojën e njoftimit reciprok, si qëllim kryesor i krijimit të shumëllojshmërisë së tyre mbi sipërfaqen e tokës.

Duke e kuptuar këtë dallueshmëri mes popujve si vlerë e jo si mangësi, Islami i nxit vazhdimisht njerëzit që të përfitojnë në aspekt pozitiv nga ky realitet dhe i fton ata që të ndërveprojnë emocionalisht e të bashkëpunojnë praktikisht mes vete, duke i larguar të gjitha barrierat të cilat mund të pengojnë njerëzit nga mirëkuptimi i ndërsjellë dhe bashkëveprimi në fushat në të cilat kanë pajtim mes vete, duke i respektuar edhe dallimet e natyrshme të cilat nuk sjellin në armiqësi dhe konflikte.

Kështu, Kur’ani Fisnik fton publikisht: Thuaju (o i Dërguar): ‘O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë tjetër, pos All-llahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri - tjetrin zotër pos All-llahut”! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot) (Ali Imran: 64)

Përgjithësisht, mënyra e veprimit të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me të tjerët ka qenë në vijën e respektimit të njerëzve dhe krijimit të miqësisë, e jo në mbjelljen e urrejtjes dhe kërkimin e armiqësisë. Parimi të cilin ai gjithmonë e ka ndjekur, ka qenë: Besimi në Zotin është lidhja më e fortë që afron njerëzit, por e drejtë e secilit është se a do të besojë a jo në All-llahun Një, nën hijen e ajetit kur’anor: “Në fe nuk ka dhunë...” (Bekare: 256).

Gjatë kohës së qëndrimit në Mekë, muslimanët persekutoheshin dhe diskriminoheshin vazhdimisht nga idhujtarët, edhe atë vetëm sepse ishin pjesëtarë të një besimi tjetër. Kjo rezultoi me shpërnguljen e tyre në qytetin e Medinës, aty ku përveç muslimanëve jetonin edhe hebrenj dhe shumë më pak idhujtarë.

Duke e parë realitetin e situatës dhe prezencën e më shumë popujve dhe fiseve në shoqërinë medinase, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] vendosi që me ata t’i rregullojë raportet në bazë të parimit të barazisë dhe marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore, andaj edhe u përpilua dhe miratua një dokument i shkruar, i përbashkët për të gjithë, ku qartë ishin të definuara të drejtat dhe obligimet e të gjithëve2. Kjo ishte Karta ose Kushtetuta e Medinës.

Nëse i bëhet një analizë më e thellë Kushtetutës së Medinës, gjegjësisht pikave që kanë të bëjnë me raportet ndërmjet muslimanëve dhe hebrenjve apo idhujtarëve të këtij qyteti, do të shihet se ajo i kishte parasysh karakteristikat e secilës palë, duke njohur të drejtat e tyre të veçanta për t’i administruar vet punët e tyre brenda shtetit të përbashkët. Me fjalë tjera, Kushtetuta e Medinës siguroi një rend shoqëror stabil dhe të shëndoshë, i cili kishte për qëllim sendërtimin dhe kultivimin marrëdhënieve të shëndosha ndërfisnore, ndëretnike dhe ndërfetare, brenda një sistemi ligjor i cili siguron të drejta të barabarta për të gjithë pjesëtarët e vet.

Përmbajtja e Kushtetutës së Medinës jep një pasqyrë të qartë edhe mbi personalitetin e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], si njeri i rregullit, rendit dhe ligjit, i cili u angazhua që punët e shoqërisë medinase t’i vendosë në kufijtë e një rregullative të drejtë ligjore, përmes të cilës do të sigurohet korrektësi maksimale, pajtueshmëri e plotë dhe bashkëpunim i drejtë ndërmjet tij dhe anëtarëve të bashkësisë, qofshin ata muslimanë apo jo muslimanë.

Në një kohë kur në asnjë pjesë tjetër të botës nuk ekzistonte një koncept i “të drejtave të pakicave”, një hise bukur e madhe e kësaj kushtetute kishte të bëjë me gjendjen e pakicës jomuslimane në Medine. Nënshtetasi jomusliman i shtetit islam në ato kohë, i gëzonte të gjitha liritë dhe të drejtat, siç janë liria e mendimit, liria e formimit të familjes, e drejta e lëvizjes së lirë, mbrojtja e dinjitetit personal etj.

Sjellja e këtillë ndaj jomuslimanëve, në frymën e tolerancës dhe drejtësisë, vazhdoi edhe pas vdekjes së Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në kohën e halifëve të drejtë dhe gjatë shekujve të sundimit të muslimanëve në pjesë të ndryshme të botës. Do të përmendim me këtë rast ngjarjen me guvernatorin e Egjiptit, Amër ibën As, në kohën e halifatit të Omer ibn Hattab [radijall-llahu anhu]. Një ditë, djali i Amër in Asit kishte goditur me kamxhik një kopt të krishterë të Egjiptit. Djaloshi kopt kishte vajtur te Omeri [radijall-llahu anhu] në Medine dhe ishte ankuar për këtë dhunë të padrejtë, të manifestuar nga djali i guvernatorit musliman. Omeri i shkroi një letër Amër in Asit dhe e urdhëroi të vijë para tij bashkë me djalin e vet. Kur erdhën, Omeri [radijall-llahu anhu] kërkoi nga kopti egjiptas ta godasë djalin e guvernatorit, dhe ai e bëri një gjë të tillë aq sa mundi. Omeri pastaj kërkoi prej tij që ta godasë edhe guvernatorin Amër in As, por djaloshi kopt u mjaftua me aq. Atëherë udhëheqësi i muslimanëve, Omeri [radijall-llahu anhu] i drejtohet Amër in Asit me fjalët që ka shënuar historia e drejtësisë: “Prej kur keni filluar t’i robëroni njerëzit, në një kohë që ata kanë lindur të lirë?!”3

Rrëfim në vete është Andaluzia muslimane, gjegjësisht periudha disa shekullore e shtetit musliman në Evropë. Shënimet historike flasin për një periudhë të artë të Spanjës muslimane, edhe atë jo vetëm në fushën e zhvillimit kulturor e shkencor, por edhe sa i takon mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë mes muslimanëve, krishterëve dhe çifutëve. Rreth prezencës së muslimanëve në Spanjë, historiani francez Gustav Le Bon ka shkruar se Spanja ka qenë krenaria e Evropës, duke realizuar një ndryshim të madh edhe në planin moral edhe në fushën e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Ai thotë: “Muslimanët kanë synuar të zhvillojnë te të krishterët një virtyt të madh civilizues, deri atëherë krejt të panjohur për ta - jetën e përbashkët me ithtarët e besimeve tjera. Qëndrimi i muslimanëve ndaj popujve të mundur ka qenë tejet tolerant: atyre u është lejuar themelimi i këshillave kishtare dhe shkencore, kurse ndërtimi i shumë kishave tregon për respektin që kanë pasur muslimanët për fetë tjera... Edhe hebrenjtë, edhe të krishterët, i kanë pasur të drejtat si muslimanët. Madje ata kanë mundur të kenë pozita të larta në pushtet”.4

Sa për krahasim me këtë, kur në vitin 1492 krishterët spanjollë e kthyen pushtetin në duart e tyre, atëherë pasoi inkuizicioni i tmerrshëm krishter mbi muslimanët dhe çifutët e Spanjës, me ç’rast u vranë, masakruan dhe dëbuan nga Spanja disa miliona njerëz, kurse ata që mbetën u detyruan të konvertohen në të krishterë katolikë.5

Dhe, t’i kthehemi edhe njëherë Kushtetutës së Medinës.

Sipas saj, të gjithë anëtarët dhe bashkësitë e saj konsiderohen si një popull, por, në anën tjetër, secila bashkësi llogaritet si njësi e veçantë juridike, me autonominë e vet kulturore e fetare, duke i dhënë asaj karakterin e një shoqërie të mirëfilltë multietnike dhe multifetare. Kushtetuta e Medinës e realizoi në praktikë autonominë e bashkësive të vogla jomuslimane, duke eliminuar çfarëdo shkelje të drejtave minoritare apo manifestim të mbivotimit nga ana e shumicës.

Kushtetuta e Medinëspërmban 70 nene, të shkruara në etapa të ndryshme kohore6. Duke pasur parasysh, prezencën më të madhe të hebrenjve në Medinë, në krahasim me grupet tjera jomuslimane, Kushtetuta e Medinës në më shumë se 20 nene të saj flet për të drejtat dhe obligimet e tyre, rreth raporteve të tyre me muslimanët, gjegjësisht mënyrës së bashkëngjitjes së grupeve hebreje në shoqërinë islame.

Parimet më të rëndësishme politike që i ka vendosur Kushtetuta e Medinës mund të përkufizohen si vijon:


1. Aktivitetet shoqërore dhe politike në sistemin dhe shtetin e ri duhet tu përgjigjen vlerave dhe standardeve universale të cilat i trajtojnë të gjithë njerëzit barabartë. Sovraniteti në shoqëri nuk do t’u përkasë udhëheqësve apo ndonjë grupi të veçantë, por ligjit të bazuar në drejtësi dhe mirësi. Në këtë drejtim, Kushtetuta e Medinës e thekson rëndësinë e drejtësisë, mirësisë dhe të drejtës, ndërsa e gjykon padrejtësinë dhe tiraninë.

Neni 14 thotë: “Besimtarët e devotshëm do të luftojnë kundër tiranëve dhe atyre të cilët dëshirojnë të shtrijnë padrejtësinë, mëkatet, armiqësinë apo korrupsionin ndër besimtarët. Dora e çdo personi do të jetë kundër tij, madje edhe nëse ai do të jetë i biri i dikujt nga ata”.

2. Kushtetuta ka përcaktuar qartë kushtet e aleancës, rregullat e punës dhe dispozitat e raporteve mes bashkësive. E rëndësishme në raportet mes muslimanëve dhe hebrenjve ishte, për shembull, që muslimanët nuk i bartin pasojat e gabimeve apo krimeve të fisit aleat hebrej, dhe anasjelltas, hebrenjtë nuk kishin pasoja në rast të ndonjë shkeljeje apo krimi nga ana e muslimanëve. Po ashtu, nëse dikush bën shkelje të normave apo ligjit, atëherë dënimin e bartë vetëm ai ose familja e tij e ngushtë, e jo edhe të tjerët.

Neni 38:“Ai i cili shkakton dhunë dhe krim, do t’i bëjë keq vetes dhe familjes së tij”.

3. Kushtetuta vendos parimin e tolerancës fetare të bazuar në lirinë e besimit për të gjithë anëtarët e shoqërisë. E drejta në lirinë e praktikimit të fesë parashihte që jomuslimanët në shtetin islam t’i gëzojnë të drejtat e tyre në mbrojtjen e fesë së tyre, të drejtën për ndërtimin e tempujve të tyre fetarë, të drejtën e kryerjes së ritualeve fetare etj.

Këtë e vërteton edhe neni 30 i Kushtetutës së Medinës: “Hebrenjtë e fisit Benu ‘Auf përbëjnë një bashkësi me besimtarët. Hebrenjtë lirisht mund ta përcjellin fenë e tyre, ndërsa muslimanët të tyren. Kjo vlen për vet ata, por edhe për aleatët e tyre”.
4. Një e drejtë mjaft e rëndësishme për banorët e Medinës, ishte edhe e drejta e mbrojtjes nga padrejtësitë që mund të vinin nga pushteti apo individët. Përmes Kushtetutës së Medinës kjo u ngrit në shkallën e detyrimeve, dhe muslimanëve iu bë e ndaluar të ngrenë dorën apo gjuhën e tyre kundër bashkëqytetarëve jomuslimanë.

Neni 18: “Ata hebrenj të cilët na pasojnë, e gëzojnë të drejtën në ndihmën dhe përkrahjen tonë. Askush nuk do t’ju bëjë padrejtësi, e as që do të ndihmohet (ndonjëri) kundër tyre”.


5. Kushtetuta theksoi qartë edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve në vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjes së Shtetit të Medinës nga agresioni i jashtëm.

Neni 50: “Ndërmjet tyre duhet të mbisundojë harmonia dhe miqësia. Le të respektohet Akti dhe mos të shkelen rregullat”.

Neni 60: “Ndërmjet tyre (nënshkruesve të Aktit), doemos të ekzistojë ndihmë reciproke kundër atyre të cilët e sulmojnë Medinën”.
Pra, ky statut për pakicat jomuslimane, i mishëruar në Kushtetutën e Medinës përmes personalitetit të Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], tregon qartë tolerancën dhe qëndrimin e Islamit dhe muslimanëve, i cili askund tjetër nuk haset në formë të ngjashme, as atëherë në shekullin e shtatë kur u aprovua Kushtetuta e Medinës, e as tani gati pesëmbëdhjetë shekuj më vonë. Kjo sepse muslimanët mbështetet në mësimet e Kur’anit Fisnik:Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kurr i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij. (Ankebut: 46)

Në përmbyllje ta themi edhe këtë:


Nga perspektiva e sotme, njerëzit edhe mund ta zhvlerësojnë këtë dokument të rëndësishëm dhe ta minimizojnë vlerën dhe kontributin e tij në drejtim të respektimit të drejtave të njeriut dhe vendosjes së marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike e ndërfetare. Ky injorim i paturpshëm po vërehet sot në qarqe të ndryshme intelektuale e shkencore në botën perëndimore, duke mos e shënuar apo trajtuar pothuajse asnjëherë në mesin e dokumenteve të rëndësishme të drejtave të njeriut që ka njohur historia.

Por, e vërteta që nuk fshihet dot na bën me dije se kjo Kushtetutë ka funksionuar në mënyrë perfekte në shtetin islam të Medinës që në shekullin e shtatë, atëherë kur pjesa tjetër e botës ngulfatej në dhunë e padrejtësi, kur njerëzit e rëndomtë llogariteshin si skllevër e robër, të cilët mund të shiteshin e këmbeheshin si mall, të malltretoheshin e vriteshin si kafshë7.

Në anët tjetër, e historia e Perëndimit tregon qartë se aktet e tyre të para për të drejtat e njeriut datojnë shumë shekuj më vonë, si për shembull Karta e Madhe e Lirive (Angli) në vitin 1215; Ligji për të Drejtat e Njeriut, i miratuar nga parlamenti anglez në vitin 1689; Deklarata e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e sjellë në vitin 1776; ... e deri te Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, e miratuar në vitin 1948 dhe një sërë konventa evropiane e ndërkombëtare më vonë.

Por, edhe përskaj kësaj dhe gjithë këtyre Deklaratave e Ligjeve të miratuara, ne po shohim gjendjen e mjerueshme rreth të drejtave të njeriut në pjesë të ndryshme të botës sot, shkeljen e tyre gjithandej në forma e instanca të ndryshme.



Dhe krejt në fund, të konstatojmë edhe një herë se, Kushtetuta e Medinës ka një rëndësi të veçantë për faktin se ajo në mënyrë të shkëlqyer e bëri rregullimin e brendshëm të shoqërisë së atëhershme medinase, ndërsa mbeti e patejkalueshme edhe kur është në pyetje implementimi thelbësor i saj, edhe përkundër numrit të madh të dokumenteve të miratuara në nivel të Kombeve të Bashkuara dhe orvatjeve të vazhdueshme në sferën e mbrojtjes së drejtave të njeriut.


1Doktorant në Universitetin Shën Qirili dhe Metodi - Shkup, Fakulteti Filozofik - Dega e Sociologjisë/Departamenti i Studimeve Evropiane për Integrim.


2Admir Muratoviq, Karta e Medinës dhe të drejtat e njeriut, (Novi Pazar: El Kelimeh, 2008) 11.

3 Hasan Ejub, Katër halifët e drejtë, (Shkup: Furkan ISM, 2012) 140-141.

4Ajni Sinani, Të tjerët për Islamin, (Shkup: Forumi Rinor Islam, 2006) 207-208.

5Abdussamed Bushatliç, Endelus - uspomena i opomena, (Zenica: GIP Saff, 2006) 220.

6Admir Muratoviq, op. cit., 9; 86-92.

7Zejnullah Gruda, Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, (Prishtinë: Universiteti FAMA 2007) 3.

Yüklə 37,13 Kb.

Dostları ilə paylaş:




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə