Nr. 10 304, datë 15 2010 PËr sektorin minerar në republikën e shqipërisë



Yüklə 232,74 Kb.
səhifə1/5
tarix05.03.2018
ölçüsü232,74 Kb.
#30389
  1   2   3   4   5

LIGJ

NR. 10 304, DATË 15.7.2010


PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË1
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


VENDOSI:
KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1


Qëllimi dhe objekti
Ky ligj përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare e postminerare në Republikën e Shqipërisë dhe ka për qëllim nxitjen e veprimtarisë minerare në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet sigurimit të transparencës dhe të konkurrencës së lirë në zhvillimin e kësaj veprimtarie, rritjen maksimale të përfitimit publik nga veprimtaria minerare dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik nga rreziku minerar dhe ai i mbetjeve të industrisë minerare.
Neni 2

Përkufizime


Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. "Shteti" është Republika e Shqipërisë.

2. "Ministria" është ministria që mbulon çështjet minerare.

3. "Ministri" është ministri që mbulon çështjet minerare.

4. "Mineral" është çdo substancë e dobishme, që ndodhet në trajtë natyrore, mbi ose nën sipërfaqen e tokës, në ujë ose nën ujë, e formuar prej proceseve gjeologjike, përjashtuar naftën, që është në gjendje të lëngët, gazin natyror që është në gjendje të gaztë dhe ujërat.

5. "Minierë" është çdo gërmim mbi ose nën tokë, përfshirë edhe pjesët nën ujë, dhe sterilet, çdo shpim ose pus kërkim-zbulimi, i cili është në punë ose jo, i bërë për qëllim kërkimi, zbulimi ose shfrytëzimi të mineralit, si dhe çdo vend tjetër, ku shfrytëzohet një pasuri minerare, përfshirë këtu zonën minerare dhe të gjitha ndërtesat, konstruksionet, strukturat, makineritë, pajisjet, dambat, rrugët ose objektet e tjera, të vendosura në një zonë të tillë, të cilat përdoren ose kanë si qëllim të përdoren për kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin, përpunimin a përfitimin e një minerali, të nxjerrë në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

6. "Veprimtari minerare" janë veprimtaritë e kërkimit, të zbulimit, të shfrytëzimit, të përpunimit, të mbylljes, të konservimit dhe të rehabilitimit të mjedisit minerar.

7. "Nëntokë" është çdo vend nën sipërfaqen natyrore të tokës, që lidhet me sipërfaqen e saj me anë të një pusi vertikal, traverbanku, tuneli, dishinteri, një kombinimi të tyre ose të çdo punimi tjetër minerar.

_________________________

1. Përafruar plotësisht me: 32006L0021, Direktiva e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit 2006/21/KE, datë 15 mars 2006 "Për menaxhimin e mbetjeve nga industritë nxjerrëse", Gazeta Zyrtare e Bashkimit Evropian, L 102, datë 11.4.2006, fq. 15-34.
8. "Karrierë" është çdo vend ku nxirren minerale, drejtpërdrejt nga sipërfaqja, me anë të gërmimit ose të mënyrave të tjera, për të siguruar minerale për ndërtim, tregti e për qëllime industriale ose përpunuese.

9. "Kërkim minerar" është kryerja e operacioneve dhe e punimeve të nevojshme për kërkimin e mineraleve mbi sipërfaqen e tokës, për nxjerrjen dhe për lëvizjen e kampioneve minerare nga toka në sasi, për analiza, jo për tregti.

10. "Zbulim minerar" është kryerja e operacioneve të zbulimit, mbi ose nën sipërfaqen e tokës, si puse kërkimi, transhe, punime kërkimi dhe nxjerrja, lëvizja e provave minerare në sasi, për qëllime studimore, jo për tregti.

11. "Shfrytëzim minerar" është procesi teknologjik, që kryhet për nxjerrjen e një minerali/mineraleve, duke përfshirë kërkimin dhe zbulimin brenda zonës minerare të lejuar.

12. "Përpunim minerar" është trajtimi i mineralit/mineraleve, të nxjerra nga një minierë ose karrierë, nëpërmjet çdo procesi apo kombinimi procesesh, të cilave u nënshtrohen minerali/mineralet deri në formën e produktit të shitshëm.

13. "Rehabilitim i mjedisit minerar" është tërësia e veprimtarive që përfshijnë rehabilitimin progresiv e përfundimtar të mjedisit të zonës së lejuar minerare, rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve, si dhe të gjitha veprimtaritë e tjera, që realizon zotëruesi i lejes minerare, për parandalimin e dëmtimit të mjedisit e ndotjeve dhe për të garantuar një rehabilitim të plotë të ekosistemit në përgjithësi në zonën e lejuar minerare.

14. "Veprimtari studimore-projektuese" është veprimtaria që lidhet me studimin, projektimin, vlerësimin, konsulencën dhe drejtimin teknik të shoqërive.

15. "E drejtë minerare" është një leje minerare, koncesion, licencë për veprimtaritë studimore dhe projektuese ose autorizim për tregtimin e mineraleve të grupit të mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara, dhënë në përputhje me këtë ligj.

16. "Leje minerare" është akti administrativ, i dhënë në përputhje me këtë ligj, për të kryer veprimtari minerare në zonën e lejuar dhe për mineralet e përcaktuara në të.

17. "Zonë e lejuar" është zona e barabartë me projeksionin horizontal në sipërfaqen e tokës, për të cilën është dhënë një e drejtë minerare, për zhvillimin e veprimtarive minerare, e përcaktuar sipas koordinatave shtetërore të përcaktuara në plan horizontal.

18. "Zonë e rrezikshme e një të drejte minerare" është zona nën menaxhimin e zotëruesit të lejes minerare, e barabartë me projeksionin horizontal në sipërfaqen e tokës, për të cilën, sipas projektit të zhvillimit të minierës, quhet zonë me rrezik minerar dhe përcaktohet sipas koordinatave shtetërore të përcaktuara në plan horizontal.

19. "Zonë e rrezikshme" është zona e barabartë me projeksionin horizontal në sipërfaqen e tokës, për të cilën, sipas studimeve të strukturave përgjegjëse, ekziston rreziku minerar dhe nuk lejohet dhënia e të drejtave minerare dhe përcaktohet sipas koordinatave shtetërore të përcaktuara në plan horizontal.

20. "Zotërues i lejes minerare" është personi juridik, vendas ose i huaj, të cilit i është dhënë një leje minerare.

21."Kontratë me kushte lehtësuese" është një marrëveshje, me anë të së cilës zotëruesit të lejes minerare mund t'i krijohen disa lehtësi në ushtrimin e veprimtarisë minerare, në rastet kur kjo veprimtari minerare është me interes të veçantë publik.

22. "Interes publik" është një e mirë materiale ose jomateriale, në favor të publikut, që vjen si pasojë e ushtrimit të veprimtarisë minerare.

23. "Rentë minerare" është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit nga zotëruesi i lejes minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.

24. "Monitorim minerar dhe postminerar" është vëzhgimi, regjistrimi, mbajtja nën kontroll i ndryshimeve fiziografike të tokës, ajrit, ujërave, sipërfaqësore apo nëntokësore, dhe ekosistemit në përgjithësi, në zonat ku ushtrohet apo është ushtruar veprimtari minerare, në zonat përreth tyre, si dhe marrja e masave parandaluese për fenomenet negative, që shfaqen gjatë apo pas veprimtarisë minerare.

25. "Plani i rehabilitimit të mjedisit" është projekti teknik, i realizuar në përputhje me kërkesat bazë të legjislacionit minerar dhe mjedisor në fuqi, në bazë të një pune studimore- projektuese, që përfshin të gjitha masat, që do të zbatohen për rehabilitimin progresiv e përfundimtar të mjedisit dhe kthimin e tij në gjendje të rehabilituar, rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe mbylljen e veprimtarisë minerare, vlerën e përgjithshme të garancisë financiare për realizimin e këtij plani, para zhvillimit të veprimtarive minerare, që paraqitet së bashku me dokumentacionin për marrjen e të drejtave minerare.

26. "Mbyllje e minierës" është tërësia e zbatimit të punimeve në terren, sipas një plani mbylljeje, të projektuar e të miratuar, për mbrojtjen dhe rehabilitimin e sipërfaqes së zonës minerare dhe trajtimin e ujërave e të gazrave, që dalin nga miniera, në përputhje me standarde të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, që përfshihen në planin e rehabilitimit të mjedisit.

27. "Plani për mbylljen e veprimtarisë minerare" është pjesë e planit të rehabilitimit të mjedisit dhe përfshin tërësinë e dokumentacionit teknik, ekonomik dhe të mjedisit, i realizuar në përputhje me kërkesat bazë të miratuara nga ministri, që justifikon mbylljen e veprimtarisë minerare dhe që përfshin veprimet e nevojshme, sipas afateve, duke garantuar financimin për marrjen e masave efektive për mbylljen e minierës, në bazë të kërkesave të legjislacionit minerar dhe mjedisor në fuqi, si dhe të praktikave më të mira ndërkombëtare dhe paraqitet së bashku me dokumentacionin për marrjen e të drejtave minerare.

28. "Kolona mbrojtëse" janë pjesë të burimeve/rezervave minerare ose të shkëmbinjve rrethues, të cilat nuk shfrytëzohen dhe pranë të cilave nuk do të kryhen veprimtari minerare, për një periudhë të caktuar ose asnjëherë, për mbrojtjen e nëntokës e të sipërfaqes së zonës minerare, të argjinaturave të lumenjve ose sipërfaqeve të tjera dhe përfshihen në zonën e rrezikshme të një të drejte minerare.

29. "Servituti minerar" është servituti, sipas konceptit të Kodit Civil, por që lidhet vetëm me përdorimin e pronës, për efekt të realizimit të detyrimeve që rrjedhin nga lejet minerare.

30. "Projekt i zhvillimit të veprimtarisë minerare" është një plan i hollësishëm me afate për zhvillimin e veprimtarisë minerare, në bazë të kërkesave të legjislacionit minerar në fuqi dhe të praktikave më të mira ndërkombëtare. Ky plan përfshin tërësinë e dokumentacionit teknik, ekonomik, financiar, social, si dhe vlerën e garancisë financiare për realizimin e programit minimal për lejet e kërkim-zbulimit dhe vlerën e investimit, me afatet për lejet e shfrytëzimit, duke garantuar financimin për realizimin e tij. Ky projekt paraqitet së bashku me dokumentacionin për marrjen e të drejtave minerare.

31. "Plan vjetor i veprimtarisë minerare" është plani i detajuar, që përfshin tërësinë e veprimtarive që do të realizojë zotëruesi i lejes minerare për zhvillimin e veprimtarisë së tij minerare gjatë vitit në vazhdim, veprimtaritë për rehabilitimin progresiv të mjedisit minerar dhe të sheshit të depozitimit të mbetjeve minerare, mbylljen progresive të veprimtarisë minerare, si dhe vlerën e investimit vjetor që do të realizohet gjatë atij viti, në përputhje me vlerën e investimit të miratuar, sipas projektit të zhvillimit të veprimtarive minerare dhe vlerën vjetore të garancisë financiare për rehabilitimin përfundimtar të mjedisit.

32. "Kadastra minerare" është një regjistër i veçantë inventarizimi sistematik i të dhënave për sendet e paluajtshme, mbështetëse të veprimtarisë minerare, tokë, ndërtesa dhe instalime të sipërfaqes apo nëntokës, në aspektin teknik, ekonomik, dhe të dhëna të tjera për zonat e lejuara minerare.

33. "Regjistri minerar" është regjistri që përfshin të gjitha të dhënat për regjimin juridik të sipërfaqeve të zonave minerare dhe të sipërfaqeve fqinje, pronësinë, situatën topografike të zonave minerare e të punimeve mbështetëse të veprimtarisë minerare, për rezervat dhe për prodhimin minerar, si dhe të dhënat për zotëruesin e lejeve minerare.

34. "Garanci financiare për rehabilitimin e mjedisit" është vlera monetare që depozitohet çdo vit, në formën e një garancie bankare në favor të shtetit, në një bankë të pranueshme për Ministrinë e Financave, që përdoret për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

35. "Strukturë përgjegjëse" është institucioni shtetëror, i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për të siguruar zbatimin e këtij ligji.

36. "Garanci financiare për realizimin e programit minimal të punës" është vlera monetare që depozitohet pas marrjes së lejes minerare të kërkim-zbulimit, sipas dispozitave të këtij ligji, në formën e një garancie bankare, në favor të shtetit, në një bankë të pranueshme për Ministrinë e Financave.

37. "Garanci financiare për realizimin e investimit" është vlera monetare që depozitohet pas marrjes së lejes minerare të shfrytëzimit, çdo vit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në formën e një garancie bankare, në favor të shtetit, në një bankë të pranueshme për Ministrinë e Financave.

38. "Mbetje të veprimtarisë minerare" janë të gjitha mbetjet solide, pulpat që rezultojnë nga procese të ndryshme, si pasurimi, lishivimi apo përpunimi i mëtejshëm metalurgjik, kimik, termik, bakteriologjik e metoda të tjera apo kombinime të tyre, që mund të përdoren për prodhimin e produktit të gatshëm, mbetjet solide gjatë punimeve minerare, sipërfaqësore ose nëntokësore, përfshirë këtu të gjitha mbetjet që krijohen nga veprimtaria minerare e kërkim-zbulimit apo shfrytëzimit, si dhe dheu i sipërfaqes së zonës së lejuar minerare, që zhvendoset gjatë veprimtarisë minerare dhe depozitohet në stoqe, damba apo struktura të tjera depozitimi mbetjesh.

39. "Mbetje minerare të ish-ndërmarrjeve shtetërore minerare" është çdo substancë e dobishme, në gjendje të ngurtë ose të lëngët, e depozituar mbi sipërfaqen e tokës, e përftuar prej proceseve të shfrytëzimit të minierave apo nga proceset e përpunimit të mineraleve. Mbetjet minerare të përftuara nga aktiviteti i ish-ndërmarrjeve shtetërore minerare vlerësohen dhe shiten nëpërmjet procedurave të ankandit dhe shfrytëzohen me leje, sipas dispozitave të këtij ligji.

40. "Plan i menaxhimit të mbetjeve minerare" është tërësia e dokumentacionit teknik, ekonomik, social dhe mjedisor, i realizuar në përputhje me kërkesat e legjislacionit minerar dhe mjedisor shqiptar në fuqi. Ai është pjesë e planit të rehabilitimit të mjedisit dhe përfshin projektin e depozitimit, mënyrat e trajtimit, të riciklimit dhe të menaxhimit të mbetjeve minerare, në bazë të karakteristikave të mbetjeve minerare të veprimtarisë minerare, si dhe ndikimin në mjedis, shëndetin e komunitetit, impaktin gjatë operimit, procedurat e kontrollit dhe të monitorimit, planin e mbylljes e të rehabilitimit të sheshit të depozitimit të mbetjeve, nivelin e shkarkimeve në mjedis, nivelin e koncentrimit të elementeve të rrezikshme në vendin e depozitimit. Ky projekt paraqitet së bashku me dokumentacionin për marrjen e të drejtave minerare.
Neni 3

Pronësia dhe përfaqësimi


Mineralet në trajtë natyrore, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në sipërfaqen nënujore, shtratit dhe nënshtratit të hapësirës detare shqiptare, përtej detit territorial, të përcaktuar sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, i përkasin shtetit dhe janë prona publike.

Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, shteti, për efekt të zbatimit të këtij ligji, përfaqësohet nga ministri.


Neni 4

Parimet e veprimtarisë minerare


1. Veprimtaria minerare është veprimtari me interes publik.

2. Vendimmarrja në fushën e veprimtarisë minerare bëhet në kushtet e transparencës, paraprihet nga këshillimet me komunitetin e zonës dhe mendimin me shkrim të njësive përkatëse të qeverisjes vendore.

3. Veprimtaria në fushën minerare zhvillohet duke respektuar parimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të mbrojtjes së mjedisit.

4. E drejta minerare është një e drejtë e dallueshme dhe e pavarur nga e drejta e pronësisë mbi sipërfaqen e tokës, ku ato gjenden. Marrëdhëniet e subjektit përfitues të së drejtës minerare dhe titullarit të së drejtës së pronësisë mbi pronën, ku gjenden minerale, rregullohen me marrëveshje, sipas legjislacionit në fuqi.

5. Strukturat shtetërore, që kanë në administrim/pronësi tokë, pronë publike, pjesë e zonës së lejuar të lejes minerare, kanë të drejtë të hyjnë në marrëveshje me subjektet që fitojnë një të drejtë minerare mbi këtë pronë publike, pa iu nënshtruar procedurave konkurruese për dhënie me qira ose emfiteozë, sipas çmimeve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

6. Për dëmtimet e shkaktuara ndaj të tretëve, nga zotëruesi i lejes minerare, përgjegjës është ky i fundit.


Neni 5

Dhënia e të drejtave minerare


1. Të drejtat minerare burojnë nga lejet minerare, të përcaktuara në këtë ligj.

2. Lejet minerare në zonat minerare, të përcaktuara në programin vjetor minerar si zona konkurruese, sipas nenit 8 të këtij ligji, u jepen subjekteve të interesuara, fituese të një konkurrimi publik, ndërsa në zonat minerare të përcaktuara në programin vjetor minerar, si zona të hapura, sipas nenit 8 të këtij ligji, leja minerare i jepet subjektit të interesuar, që plotëson kushtet e lejimit, sipas parimit "I pari në kohë, i pari në të drejta".

3. Shteti mund t'u japë subjekteve juridike, vendase apo të huaja, të drejta minerare, për zonat konkurruese, sipas një procedure konkurrimi, në përputhje me kërkesat dhe afatet kohore të përcaktuara në dispozitat e legjislacionit në fuqi, për konkurrimin publik për dhënien e të mirave materiale. Procedura konkurruese duhet të përfshijë, gjithashtu kriteret teknike, financiare të investimit e rezultateve të tij dhe përvojën e konkurruesit në fushën e veprimtarive minerare. Procedura e konkurrimit dhe afatet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Shteti mund t'u japë subjekteve juridike, vendase apo të huaja, të drejta minerare, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për koncesionet. Për ushtrimin e të drejtave minerare, marrëveshja koncesionare i nënshtrohet edhe përcaktimeve të këtij ligji.


KREU II

PLANIFIKIMI STRATEGJIK MINERAR


Neni 6

Instrumentet e vendimmarrjes strategjike


Vendimmarrja për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend mbështetet në kuadrin strategjik të zhvillimit minerar që përbëhet nga:

a) strategjia minerare;

b) programi i veprimit për zbatimin e strategjisë minerare;

c) plani vjetor minerar.


Neni 7

Strategjia minerare


1. Strategjia minerare është dokumenti themelor, që përcakton politikat, përparësitë e zhvillimit, programet e veprimit dhe të administrimit të burimeve minerare për një periudhë 15- vjeçare, në përputhje me objektivat e strategjisë kombëtare të zhvillimit.

2. Strategjia minerare propozohet nga ministri, miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe publikohet në faqen e internetit të ministrisë e në Fletoren Zyrtare.


Neni 8

Programi i veprimit për zbatimin e strategjisë minerare dhe plani vjetor


1. Programi i veprimit për zbatimin e strategjisë minerare është dokumenti afatmesëm i planifikimit minerar, që hartohet në bazë të strategjisë minerare dhe është i vlefshëm për një periudhë 3-vjeçare.

2. Programi i veprimit për zbatimin e strategjisë minerare përmban:

a) drejtimet për zhvillimin e sektorit minerar;

b) promovimin e zonave minerare, për të cilat do të jepen lejet minerare, përmes procesit të konkurrimit apo procedurave të hapura;

c) promovimin e zonave minerare, mbështetur në hartën minerare dixhitale, e cila hartohet brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe përditësohet vazhdimisht;

ç) programimin e veprimtarive të kërkimeve themelore gjeologjike;

d) parashikimin e përgjithshëm të produktit vjetor në sektorin minerar;

dh) nevojat për zhvillimin e burimeve njerëzore, profesionale në veprimtaritë minerare;

e) rregullat për zbatimin e masave për sigurinë në punë dhe sigurinë e punonjësve;

ë) rregullat për mbrojtjen e mjedisit, peizazhit dhe rehabilitimin e tij;

f) zonat e rrezikshme, ku veprimtaria minerare është e ndaluar dhe ku ndalohet dhënia e të drejtave minerare;

g) tabelën me vlerat minimale të sipërfaqes së zonës së lejuar të lejeve minerare, vlerën minimale të investimit për lejet minerare të kërkim-zbulimit, si dhe vlerat minimale të prodhimit të mineralit për lejet e shfrytëzimit, për zonat konkurruese dhe zonat e hapura, sipas grupeve të mineraleve.

3. Përcaktimi i zonave, sipas shkronjave "b" dhe "c" të pikës 2 të këtij neni, dhe kriteret për përcaktimin e vlerës minimale të sipërfaqes, vlerës minimale të investimit dhe të vlerës minimale të prodhimit, sipas shkronjës "g" të pikës 2 të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Programi i veprimit për zbatimin e strategjisë minerare hartohet nga ministria dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.

5. Në zbatim të programit të veprimit miratohet plani vjetor minerar, i cili përmban zonat minerare, për të cilat do të jepen të drejtat minerare, në vitin përkatës, zonat minerare, të drejtat minerare të të cilave përfitohen në bazë të një konkurrimi publik, në vijim zona konkurruese, dhe zonat e hapura, të drejtat minerare të të cilave përfitohen nga subjektet e interesuara, që plotësojnë kushtet e lejimit, në vijim zona të hapura.

6. Plani vjetor minerar hartohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministri, pas këshillimit me ministritë përgjegjëse për mjedisin, pyjet, tokën bujqësore, trashëgiminë kulturore, turizmin e mbrojtjen dhe njësitë e qeverisjes vendore përkatëse. Plani vjetor minerar është kalendarik dhe pas miratimit publikohet në faqen e internetit të ministrisë dhe në Fletoren Zyrtare dhe pasqyrohet në hartën minerare dixhitale.

7. Ministri miraton procedurat për përgatitjen e programit të veprimit për zbatimin e strategjisë minerare dhe të planit vjetor minerar, duke siguruar publikimin, transparencën dhe këshillimet me subjektet e interesuara gjatë këtij procesi.

8. Çdo ndryshim apo shtesë në planin vjetor miratohet dhe publikohet sipas së njëjtës procedurë.


Neni 9

Kriteret për përcaktimin e zonave minerare


1. Kriteret e përcaktimit të zonave minerare kanë karakter teknik, ekonomik e financiar dhe mbështeten:

a) për zonat konkurruese, në kapacitetin e njohur të rezervave minerare, interesin për llojin e mineralit, leverdinë ekonomike të prodhimit të produkteve të gatshme, vlerën e investimit të kërkuar, objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe planifikimin e territorit;

b) për zonat e hapura, në mundësinë e gjetjes së rezervave të reja minerare, interesin e veçantë të subjekteve, objektivat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe planifikimin e territorit;

c) për zonat e koncesionit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Objekti i dhënies së lejes minerare të kërkim-zbulimit ose shfrytëzimit me proces konkurrimi, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, janë të gjitha zonat:

a) e pambuluara me leje minerare, për të cilat disponohet informacioni i duhur gjeologjik, i konfirmuar nga struktura përgjegjëse, që procesi i kërkim-zbulimit është i panevojshëm për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, apo për grupin e mineraleve ndërtimore;

b) e lejeve të kërkim-zbulimit, nëse në përfundim të afatit të lejes subjekti minerar nuk i ka shndërruar në leje shfrytëzimi, edhe pse ka zbuluar rezerva minerare me interes publik;

c) e lejeve të shfrytëzimit të braktisura nga zotëruesit e lejeve;

ç) e minierave apo punimeve të vjetra minerare të braktisura, të cilat mund të rezultojnë me interes publik për shfrytëzim.
KREU III

KLASIFIKIMI I TË DREJTAVE MINERARE DHE TIPAT E LEJEVE MINERARE


SEKSIONI I PARË

KLASIFIKIMI


Neni 10

Klasifikimi


1. Veprimtaritë minerare klasifikohen, për efekt të këtij ligji, sipas tipit të veprimtarisë dhe llojit të mineralit.

2. Veprimtaritë minerare, sipas tipit, janë veprimtari:

a) kërkim-zbulimi;

b) shfrytëzimi;

c) kombinime të shkronjave a"e "b" të kësaj pike.

3. Mineralet, sipas llojit të tyre, klasifikohen në:

a) grupi i mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet;

b) grupi i mineraleve ndërtimore;

c) grupi i mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara;

ç) grupi i mineraleve radioaktive.

4. Mineralet, pjesë e çdo grupi, përcaktohen në aneksin, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Lejet minerare klasifikohen sipas tipit të veprimtarisë dhe grupit të mineraleve.


SEKSIONI I DYTË

LEJET PËR GRUPIN E MINERALEVE METALORE, JOMETALORE, QYMYRET DHE BITUMET


Neni 11

Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet i jep zotëruesit të saj të drejtën ekskluzive të kryejë punime për kërkim-zbulimin minerar brenda zonës së lejuar të përcaktuar në lejen minerare.

2. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet jepet për një zonë të lejuar që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare sipas programit të veprimit, dhe jo më të madhe se 100 km2.



Yüklə 232,74 Kb.

Dostları ilə paylaş:
  1   2   3   4   5




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2022
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə