Nr. 10 304, datë 15 2010 PËr sektorin minerar në republikën e shqipërisë



Yüklə 232,74 Kb.
səhifə2/5
tarix05.03.2018
ölçüsü232,74 Kb.
#30389
1   2   3   4   5

3. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet nuk mund të jepet për një zonë të lejuar, që është objekt i një lejeje tjetër kërkim-zbulimi apo shfrytëzimi, të vlefshme sipas këtij ligji, dhe që zotërohet nga një subjekt tjetër.

4. Subjekti mund të përfitojë njëkohësisht më shumë se një leje kërkim-zbulimi për zona të ndryshme të lejuara.


Neni 12

Të drejtat e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka të drejtë:

a) të hyjë në zonën e lejuar me punonjësit, mjetet, makineritë, pajisjet, që janë të nevojshme për kryerjen e punimeve të kërkim-zbulimit të mineraleve mbi ose nën sipërfaqen e tokës;

b) të kryejë veprimtari kërkim-zbulimi minerar dhe të kryejë punime të nevojshme për këtë qëllim, përfshirë puse kërkimi, transhe, si dhe punime të tjera kërkim-zbulimi të domosdoshme për kërkim-zbulimin minerar;

c) të nxjerrë, të lëvizë dhe të transportojë nga zona e lejuar provat e mineraleve në sasi për qëllime studimore e jo për tregti.

2. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit ka të drejtën e shndërrimit ndaj kërkuesve të tjerë për të përfituar një ose më shumë leje shfrytëzimi për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, për zona të lejuara shfrytëzimi brenda zonës së lejuar të kërkim-zbulimit.

3. E drejta e shndërrimit mund të ushtrohet gjatë gjithë afatit të vlefshmërisë së lejes së zbulimit dhe për një periudhë prej 60 ditësh kalendarike pas përfundimit të këtij afati dhe vetëm nëse zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit ka plotësuar më parë detyrimet financiare për lejen e kërkim- zbulimit.

4. Nëse leja e kërkim-zbulimit shndërrohet në një ose disa leje shfrytëzimi përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë, detyrimet financiare për lejen e transformuar llogariten duke marrë parasysh edhe detyrimet e paguara.
Neni 13

Detyrimet e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka këto detyrime:

1. Të fillojë veprimtarinë e kërkim-zbulimit brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e lejes.

2. Të realizojë programin minimal të punës, të përcaktuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare.

3. T'i raportojë strukturës përgjegjëse gjetjen e çdo minerali me interes ekonomik në zonën e miratuar të kërkim-zbulimit brenda 10 ditëve kalendarike nga vlerësimi si i tillë.

4. Të heqë dorë, duke lënë pjesë të zonës së miratuar të kërkim-zbulimit, në mënyrë progresive, ose të realizojë pagesën vjetore për sipërfaqen e mbajtur për zhvillim veprimtarie kërkim-zbulimi, në përputhje me afatet e parashikuara në programin përkatës të punës, përkatësisht:

a) në fund të vitit të dytë zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit lë pjesë ose mban të gjithë sipërfaqen e zonës së tij të lejuar fillestare, me kushtin që për sipërfaqen e mbajtur, zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit duhet të paguajë një shumë që llogaritet për çdo kilometër katror të sipërfaqes së mbajtur për zhvillim veprimtarie minerare. Kjo shumë paguhet në datën efektive të fillimit të vitit të tretë të afatit të lejes së kërkim-zbulimit. Pagesa, sipas këtij neni, duhet specifikuar në lejen e kërkim-zbulimit dhe është 150 000 lekë për çdo kilometër katror;

b) deri në fund të përfundimit të afatit fillestar prej tre vjetësh, zotëruesi i lejes së kërkim- zbulimit lë, së paku, 90 për qind të zonës së lejuar fillestare, nëse kërkon zgjatje të afatit të lejes;

c) në rastin e kërkesës për shtyrje afati, zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit duhet të paguajë një shumë që llogaritet për çdo kilometër katror të zonës së mbajtur për zhvillim veprimtarie minerare në periudhën njëvjeçare të zgjatjes së lejes. Kjo shumë paguhet në datën efektive të fillimit të vitit të katërt të afatit të lejes së kërkim-zbulimit. Pagesa, sipas këtij neni, duhet specifikuar në dokumentin e shtyrjes së afatit të lejes së kërkim-zbulimit dhe është 150 000 lekë për çdo kilometër katror;

ç) deri në fund të shtesës prej një viti lë të gjitha pjesët e zonës së lejuar fillestare, që nuk shndërrohen në një leje shfrytëzimi minerar.

5. Të mbajë regjistrime të plota dhe të detajuara të punës së kryer për kërkim-zbulimin e mineraleve dhe operacioneve të tjera, në përputhje me lejen e kërkim-zbulimit. Këto regjistrime duhet të jenë në çdo moment të vlefshme në Shqipëri për inspektimin e veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit nga struktura përgjegjëse.

6. Të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e mjedisit, peizazhit ose pasurive të tjera.

7. Të rehabilitojë të gjitha dëmtimet e sipërfaqes së tokës, të cilat janë bërë gjatë kërkim- zbulimit.

8. Të respektojë kushtet dhe detyrimet e përcaktuara në lejen përkatëse.

9. Të realizojë programin e investimit, të parashikuar në planin vjetor të aktiviteteve minerare dhe projektin e zhvillimit të veprimtarive minerare.

10. Të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo 3 muaj, jo më vonë se data 15 e muajit që vijon pas tremujorit përkatës, një informacion mbi realizimin e investimeve, punimeve minerare të realizuara dhe gjithë operacioneve të kryera për rehabilitimin progresiv të mjedisit, në përputhje me detyrimet e tij të lejes minerare dhe planin vjetor. Forma e raportimit përshkruhet në aktet nënligjore që miratohen nga ministri.

11. Të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo vit, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i vitit përkatës, raportin financiar dhe teknik të të gjitha operacioneve të kryera, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në lejen e tij dhe planin vjetor të punës.

12. Të paraqesë për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse një plan pune vjetor, të hartuar në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike përpara përfundimit të vitit, llogaritur nga data e hyrjes në fuqi të lejes. Ky plan duhet të përmbajë në mënyrë të specifikuar vlerën e investimeve, vlerat e garancive, të përcaktuara në nenin 31 të këtij ligji, në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, të cilat miratohen nga strukturat përgjegjëse jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së tyre. Në rast mosmiratimi, struktura përgjegjëse e njofton zotëruesin e lejes minerare për arsyet e këtij mosmiratimi. Nëse ajo nuk kthen përgjigje, pas tejkalimit të këtij afati, plani quhet i miratuar. Përmbajtja e planit të punës dhe dokumentet e tjera të nevojshme që e shoqërojnë duhet të jetë në përputhje me aktet nënligjore të miratuara nga ministri.

13. T'i raportojë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të vlefshmërisë së lejes, informacion të detajuar mbi investimet e realizuara gjatë kërkim-zbulimit, punimet e kryera në zonën e tij të lejuar, shoqëruar me vizatimet inxhinierike dhe rezultatet e të gjitha provave të marra. Forma e raportimit përshkruhet në aktet nënligjore që miratohen nga ministri.


Neni 14

Afati i lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe

Bitumet
1. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka afat vlefshmërie 3-vjeçar. Afati i vlefshmërisë mund të zgjatet një herë, me kërkesë të zotëruesit të lejes. Zgjatja ka afat njëvjeçar.

2. Kërkesa për shtyrje afati duhet të paraqitet së paku 30 ditë kalendarike para mbarimit të afatit fillestar të vlefshmërisë.

3. Zgjatja e afatit miratohet vetëm nëse zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit paraqet të dhëna për mundësinë e zbulimit të një trupi minerar, ka plotësuar më parë detyrimet financiare, të parashikuara në programin minimal të punës, dhe investimet në afatet kohore, sipas programit të punës, në përputhje me lejen e dhënë, ka bërë pagesën për zonën që kërkon të mbajë për veprimtari kërkim-zbulimi, sipas përcaktimit të shkronjës "c" të pikës 4 të nenit 13 të këtij ligji.

4. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulimit është i detyruar të shpenzojë një vlerë të caktuar monetare për çdo kilometër katror të sipërfaqes së përcaktuar në lejen minerare, në mënyrë progresive për kryerjen e punimeve, sipas tabelës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rast se nuk shpenzohet vlera e përcaktuar, atëherë pjesa e mbetur i kalon Buxhetit të Shtetit.


Neni 15

Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet i jep zotëruesit të saj të drejtën ekskluzive të shfrytëzojë llojet e mineralit/mineraleve, të përcaktuara në leje, por brenda zonës së lejuar të shfrytëzimit, të përcaktuar në të.

2. Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare, sipas programit të veprimit, dhe jo më e madhe se 10 km2.

3. Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet jepet për një sasi prodhimi jo më të vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të prodhimit, sipas grupeve të mineraleve të lejeve minerare të shfrytëzimit, në përputhje me programin e veprimit.

4. Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet nuk mund të jepet për një zonë të lejuar, që është objekt i një lejeje kërkim-zbulimi apo shfrytëzimi, të vlefshme sipas këtij ligji, dhe që zotërohet nga një subjekt tjetër.

5. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, dhe kalon si pasuri minerare, në varësi të ministrisë së linjës, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondit pyjor e kullosor. Në këto raste, leja hyn në fuqi për zbatimin e detyrimeve të saj në datën e ndryshimit të zërit kadastral.

6. Subjekti mund të përfitojë më shumë se një leje shfrytëzimi për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, për zona të ndryshme, të lejuara njëkohësisht.


Neni 16

Afati i lejes së shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Leja e shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka afat vlefshmërie 25 vjet, nga hyrja në fuqi e saj. Afati i vlefshmërisë mund të zgjatet një herë për një periudhë 10-vjeçare, me kërkesë të zotëruesit të lejes. Kërkesa për shtyrje afati duhet të paraqitet, së paku, 1 vit para mbarimit të afatit të mëparshëm të vlefshmërisë.

2. Zgjatja e afatit miratohet, nëse zotëruesi i lejes së shfrytëzimit i ka plotësuar më parë detyrimet financiare dhe ka kryer investimet e parashikuara në programin e punës, në përputhje me lejen e dhënë, dhe paraqet një program pune shtesë, bindës për ministrin, për vazhdimin e mëtejshëm të veprimtarisë së shfrytëzimit.

3. Me kërkesë të subjektit kërkues apo të zotëruesit të lejes së shfrytëzimit, për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, dhe nëse paraqitet një plan investimesh, zbatimi i të cilit vlerësohet në interesin ekonomik apo shoqëror për komunitetin e zonës përkatëse, leja mund të jepet apo, përkatësisht, të zgjatet për një periudhë vlefshmërie deri në 99 vjet.

4. Në rastet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, ministri mund të negociojë një kontratë me kushte lehtësuese me kërkuesin apo zotëruesin e lejes minerare.

5. Në rastet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, kontrata dhe shtyrja e afatit paraqiten për miratim në Kuvend.
Neni 17

Të drejtat e zotëruesit të lejes së shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka këto të drejta:

a) të kryejë veprimet e nevojshme për të realizuar me efektivitet operacionet minerare në zonën e vet, të lejuar për shfrytëzim;

b) të nxjerrë dhe të lëvizë nga zona e vet e lejuar mineralin ose mineralet, për të cilat i është dhënë leja e shfrytëzimit;

c) të instalojë dhe të vërë në punë, brenda zonës së lejuar, objekte përpunimi, pasurimi, shkrirjeje, rafinimi, që rrisin vlerën e mineraleve të nxjerra në atë zonë, të lejuar për shfrytëzim, pasi të ketë marrë lejet përkatëse për veprimtari të tilla, në përputhje me legjislacionin në fuqi;

ç) të ndërtojë, të instalojë dhe të vërë në punë, brenda zonës së lejuar, ndërtesa, kampe, mjedise depozituese, tubacione, gjeneratorë elektrikë, pajisje transmisioni, sisteme komunikimi, hekurudha, pajisje depozitimi të karburanteve dhe infrastruktura të tjera, të nevojshme për operacionet e punës, që lidhen me veprimtarinë minerare, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Shteti nuk ka detyrim të sigurojë ndonjë infrastrukturë brenda ose jashtë zonës së lejuar. Kur zotëruesi i lejes dëshiron të përdorë mjedise ose infrastrukturë shtetërore, të cilat përdoren për qëllime publike, ai fiton të drejtën ta përdorë këtë infrastrukturë veçmas lejes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


Neni 18

Detyrimet e zotëruesit të lejes së shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet


1. Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit për grupin e mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet ka këto detyrime:

a) të realizojë programin e investimit, të parashikuar në planin vjetor të veprimtarive minerare dhe projektin e zhvillimit të këtyre veprimtarive;

b) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo 3 muaj, jo më vonë se data 15 e muajit që vijon pas tremujorit përkatës, një informacion mbi realizimin e prodhimit, investimeve, vlerën e produkteve të shitura, punimeve minerare të realizuara dhe gjithë operacioneve të kryera për rehabilitimin e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve, në përputhje me detyrimet e lejes së tij minerare dhe planin vjetor;

c) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo vit, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i vitit përkatës, raportin financiar dhe teknik të të gjitha operacioneve të kryera, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në lejen e tij dhe planin vjetor të punës. Forma e raportimit përshkruhet në aktet nënligjore që miratohen nga ministri;

ç) të paraqesë për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse një plan vjetor pune, të hartuar në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare, për çdo vit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike përpara përfundimit të vitit, llogaritur nga data e hyrjes në fuqi të lejes. Ky plan duhet të përmbajë në mënyrë të specifikuar kapacitetet e prodhimit, vlerën e investimeve, vlerat e garancive të përcaktuara në nenin 31 të këtij ligji, në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, të cilat miratohen nga strukturat përgjegjëse jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së tyre. Në rast mosmiratimi, struktura përgjegjëse e njofton zotëruesin e lejes minerare për arsyet e këtij mosmiratimi. Nëse ajo nuk kthen përgjigje, pas tejkalimit të këtij afati, plani quhet i miratuar. Përmbajtja e planit të punës dhe dokumentet e tjera të nevojshme që e shoqërojnë duhet të jetë në përputhje me aktet nënligjore të miratuara nga ministri;

d) të japë informacione dhe shpjegime 1 vit më parë, nëse kërkon të ndërpresë veprimtarinë e prodhimit në zonën e lejuar;

dh) të njoftojë jo më pak se 90 ditë kalendarike më parë, nëse kërkon ta pezullojë përkohësisht veprimtarinë e shfrytëzimit në zonën e lejuar;

e) të njoftojë jo më pak se 30 ditë kalendarike më parë, nëse kërkon ta zvogëlojë më shumë se 20 për qind sasinë e prodhimit, të parashikuar në planin e miratuar të prodhimit, pjesë e lejes përkatëse;

ë) t'i raportojë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të së drejtës së shfrytëzimit, me një informacion të hollësishëm, siç përshkruhet në aktet nënligjore, të miratuara nga ministri, për investimet e realizuara gjatë shfrytëzimit, për punimet minerare të kryera në zonën e tij të lejuar, shoqëruar me vizatimet inxhinierike.

2. Njoftimi, sipas shkronjave "d", "dh" dhe "e" të pikës 1 të këtij neni, duhet të përmbajë një informacion të hollësishëm për arsyet e pushimit, pezullimit apo uljes së prodhimit.

3. Pas miratimit nga ministri të ndalimit, pezullimit, uljes së prodhimit, sipas shkronjave "d", "dh" dhe "e" të pikës 1 të këtij neni, zotëruesit i kthehet garancia vjetore për realizimin e investimit, sipas përcaktimeve të dhëna në njoftimin e tij.
SEKSIONI I TRETË

SHFRYTËZIMI I GRUPIT TË MINERALEVE NDËRTIMORE DHE LEJET


Neni 19

Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore


1. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore i jep zotëruesit të saj të drejtën ekskluzive të kërkojë dhe/apo të zbulojë një ose më shumë nga mineralet e këtij grupi, të përcaktuara në leje, por brenda zonës së lejuar.

2. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare, sipas programit të veprimit dhe jo më e madhe se 10 km2.

3. Leja e kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore nuk mund të jepet për një zonë të lejuar, që është objekt i një lejeje kërkim-zbulimi apo shfrytëzimi, të vlefshme sipas këtij ligji, që zotërohet nga një subjekt tjetër.

4. Leja e kërkim-zbulimit ka afat vlefshmërie 1 vit nga hyrja në fuqi e saj.

5. Subjekti mund të përfitojë më shumë se një leje kërkim-zbulimi për zona të ndryshme, të lejuara njëkohësisht.

6. Të drejtat e kërkim-zbulimit brenda zonës së lejuar për grupin e mineraleve ndërtimore janë të njëjta me ato të përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji.


Neni 20

Detyrimet e zotëruesit të lejes së kërkim-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore


1. Zotëruesi i lejes së kërkimit-zbulimit për grupin e mineraleve ndërtimore ka këto detyrime:

a) të realizojë programin minimal të punës, të përcaktuar në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare;

b) t'i raportojë strukturës përgjegjëse për punën e bërë në zonën e tij të kërkim-zbulimit, për shpenzimet dhe rezultatet e arritura, çdo 3 muaj, jo më vonë se data 15 e muajit që vijon pas tremujorit përkatës;

c) t'i raportojë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të së drejtës së kërkim-zbulimit, përmes një informacioni të hollësishëm, për investimet e realizuara gjatë kërkim-zbulimit, për punimet e kryera në zonën e tij të lejuar, shoqëruar me vizatimet inxhinierike dhe për rezultatet e të gjitha provave të marra;

ç) të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe për të zbutur ndikimet negative në mjedis, peizazh, dëmtimin e bimësisë ose pasurive të tjera;

d) të rehabilitojë të gjitha dëmtimet e sipërfaqes së tokës, të bëra gjatë zbulimit.

2. Mosparaqitja e raportit përfundimtar, sipas shkronjës "c" të pikës 1 të këtij neni, brenda 3 muajve nga përfundimi i afatit të së drejtës minerare, çon menjëherë (ope legis) në humbjen e së drejtës për t'u pajisur, në të ardhmen, me çfarëdolloj leje minerare, për zonën e tij të lejuar të kërkim-zbulimit.

3. Format e raportimit përshkruhen në aktet nënligjore që miratohen nga ministri.


Neni 21

Shfrytëzimi i grupit të mineraleve ndërtimore


1. Shfrytëzimi me karrierë i mineraleve ndërtimore kryhet në bazë të njërës prej lejeve të shfrytëzimit, të përcaktuara në nenet 23 e 24 të këtij ligji.

2. Përjashtimisht, shfrytëzimi i grupit të mineraleve ndërtimore është i lirë, në rastet kur:

a) autoritetet vendore dhe qendrore ose persona të tjerë të autorizuar prej tyre, të përfshira në ndërtimin e rrugëve publike ose në ndërtime të tjera publike, përdorin mbeturinat nga gërmimet e nevojshme;

b) zotëruesi i lejes së shfrytëzimit minerar merr minerale ndërtimore prej zonës së lejuar dhe i përdor në operacionet e veta minerare;

c) subjekte të tjera, të përfshira në ndërtimin e veprave, të shpallura me interes publik, përdorin minerale ndërtimore të nxjerra nga gërmimet apo punimet e nevojshme për realizimin e këtyre veprave, sipas projekteve të miratuara të ndërtimit.

3. Çdo mosmarrëveshje, që lidhet me shkronjat "a", "b" e "c" të pikës 2 të këtij neni, zgjidhet me vendim të ministrit, vendimi i të cilit është përfundimtar.

4. Leja e shfrytëzimit të karrierave, në asnjë rast nuk jepet për sipërfaqe toke bujqësore të kategorisë I deri në IV të bonitetit.
Neni 22

Karrierat për qëllime publike vendore


1. Njësitë e qeverisjes vendore mund t'i propozojnë ministrit miratimin e zonave minerare- karriera, për t'u shfrytëzuar për qëllime publike vendore, në sipërfaqet në pronësi të njësisë përkatëse.

2. Ministri shqyrton propozimin dhe vendos, në bazë të programit vjetor të zbatimit të strategjisë, brenda 60 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës.

3. Shfrytëzimi i karrierave për qëllime publike vendore, sipas përcaktimeve të nenit 23 të këtij ligji, mund të bëhet vetëm nga subjekti i krijuar nga njësia e qeverisjes vendore, në pronësi dhe në juridiksionin e së cilës ndodhet karriera, por vetëm pas pajisjes së saj me leje shfrytëzimi, sipas procedurave të këtij ligji.
Neni 23

Leja e shfrytëzimit të karrierave për qëllime publike vendore


1. Leja e shfrytëzimit të karrierave për qëllime publike vendore i jep subjektit të krijuar nga njësia përkatëse e qeverisjes vendore të drejtën t'i shfrytëzojë mineralet ndërtimore nga karriera publike për qëllime vendore.

2. Leja e shfrytëzimit të karrierave për qëllime publike vendore jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë e jo më e madhe se 1 km2, e përcaktuar në hapësirë, sipas koordinatave shtetërore të përcaktuara në planin horizontal.

3. Subjekti i njësisë së qeverisjes vendore mund të përfitojë më shumë se një leje shfrytëzimi për zona të ndryshme të lejuara, por nuk mund të zotërojë më shumë se 2 leje shfrytëzimi njëkohësisht.

4. Leja e shfrytëzimit të karrierave për qëllime publike vendore ka afat vlefshmërie jo më shumë se 3 vjet, me të drejtë rinovimi për një vit, sipas kërkesës së zotëruesit, e cila duhet të paraqitet, së paku, 30 ditë kalendarike përpara datës së mbarimit të lejes së mëparshme.

5. Shfrytëzimi i karrierave për qëllime publike vendore mund të bëhet nga subjekti i njësisë së qeverisjes vendore, i krijuar sipas legjislacionit në fuqi.

6. Subjekti i sipërpërmendur respekton të gjitha rregullat dhe dispozitat e këtij ligji për ushtrimin e të drejtave minerare për lejet e shfrytëzimit të grupit të mineraleve ndërtimore.


Neni 24

Leja e shfrytëzimit me karrierë të grupit të mineraleve ndërtimore


1. Leja e shfrytëzimit me karrierë të mineraleve ndërtimore i jep zotëruesit të saj të drejtën ekskluzive për të hapur dhe për të shfrytëzuar një karrierë të tillë, të përcaktuar, dhe brenda zonës së lejuar për të.

2. Leja e shfrytëzimit jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare, sipas programit të veprimit dhe jo më e madhe se 5 km2.

3. Leja e shfrytëzimit jepet për një sasi prodhimi jo më të vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të prodhimit, sipas grupeve të mineraleve të lejeve minerare të shfrytëzimit, sipas programit të veprimit.

4. Një zotërues i lejes së shfrytëzimit me karrierë të mineraleve ndërtimore mund të ketë, njëkohësisht, më shumë se një të tillë.

5. Leja nuk mund të jepet për një zonë të lejuar, që është objekt i një lejeje tjetër kërkim- zbulimi apo shfrytëzimi, të vlefshme sipas këtij ligji, që zotërohet nga një subjekt tjetër.


Yüklə 232,74 Kb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə