Nr. 10 304, datë 15 2010 PËr sektorin minerar në republikën e shqipërisë



Yüklə 232,74 Kb.
səhifə3/5
tarix05.03.2018
ölçüsü232,74 Kb.
#30389
1   2   3   4   5

6. Leja e shfrytëzimit e grupit të mineraleve ndërtimore ka afat vlefshmërie jo më të gjatë se 25 vjet nga data e hyrjes së saj në fuqi dhe është subjekt i një shtese, deri në 10 vjet, me kusht që kjo shtyrje afati të kërkohet nga zotëruesi i lejes, të paktën, 180 ditë kalendarike para përfundimit të afatit të vlefshmërisë.

7. Me kërkesë të subjektit kërkues apo të zotëruesit të lejes së shfrytëzimit të grupit të mineraleve ndërtimore dhe nëse paraqitet një plan investimesh, zbatimi i të cilit vlerësohet me interes ekonomik apo shoqëror, për komunitetin e zonës përkatëse, leja mund të jepet apo, përkatësisht, të zgjatet për një periudhë vlefshmërie deri në 99 vjet.

8. Në rastet e parashikuara në pikën 7 të këtij neni, ministri mund të negociojë një kontratë me kushte lehtësuese me kërkuesin apo zotëruesin e lejes minerare.

9. Në rastet e parashikuara në pikat 7 dhe 8 të këtij neni, kontrata dhe shtyrja e afatit paraqiten për miratim në Kuvend.

10. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit të grupit të mineraleve ndërtimore, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, dhe kalon si pasuri minerare në varësi të ministrisë së linjës, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondit pyjor e kullosor. Në këto raste, leja hyn në fuqi për zbatimin e detyrimeve të saj në datën e ndryshimit të zërit kadastral.


Neni 25

Detyrimet e zotëruesit të lejes së shfrytëzimit me karrierë të mineraleve dhe grupit të mineraleve ndërtimore


Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit me karrierë të mineraleve dhe materialeve të ndërtimit, të grupit të mineraleve ndërtimore, ka këto detyrime:

a) të realizojë programin e investimit, të parashikuar në planin vjetor të veprimtarive minerare dhe projektin e zhvillimit të këtyre veprimtarive;

b) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo 3 muaj, jo më vonë se data 15 e muajit që vijon pas tremujorit përkatës, një informacion mbi realizimin e prodhimit, investimeve, vlerën e produkteve të shitura, punimeve minerare të realizuara dhe gjithë operacioneve të kryera për rehabilitimin e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve minerare, në përputhje me detyrimet e tij të lejes minerare dhe planin vjetor;

c) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo vit, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i vitit përkatës, raportin financiar dhe teknik të të gjitha operacioneve të kryera, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare dhe planin vjetor të punës;

ç) të paraqesë për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse një plan pune vjetor, të hartuar në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike përpara përfundimit të vitit, llogaritur nga data e hyrjes në fuqi të lejes. Ky plan duhet të përmbajë, në mënyrë të specifikuar, kapacitetet e prodhimit, vlerën e investimeve, vlerat e garancive të përcaktuara në nenin 31 të këtij ligji, në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, të cilat miratohen nga strukturat përgjegjëse jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së tyre. Në rast mosmiratimi, struktura përgjegjëse e njofton zotëruesin e lejes minerare për arsyet e këtij mosmiratimi. Pas tejkalimit të këtij afati, plani quhet i miratuar. Përmbajtja e planit të punës dhe dokumentet e tjera të nevojshme që e shoqërojnë atë duhet të jenë në përputhje me aktet nënligjore të miratuara nga ministri;

d) t'i raportojë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të së drejtës së shfrytëzimit, informacion të hollësishëm për investimet e realizuara gjatë shfrytëzimit, për punimet minerare të kryera në zonën e tij të lejuar, shoqëruar me vizatimet inxhinierike. Forma e raportimit përshkruhet në aktet nënligjore që miratohen nga ministri.


SEKSIONI I KATËRT

LEJA MINERARE PËR GRUPIN E MINERALEVE TË ÇMUARA DHE GJYSMË TË ÇMUARA DHE GRUPIN E MINERALEVE RADIOAKTIVE


Neni 26

Leja minerare për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara


1. Leja minerare për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara është leje kërkim-zbulim-shfrytëzimi.

2. Leja minerare për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara i jep zotëruesit të lejes të drejtën ekskluzive të kërkojë, të zbulojë dhe të shfrytëzojë një ose më shumë minerale të grupit të mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara, për të cilat i është dhënë leja, por brenda zonës së lejuar.

3. Leja jepet për një zonë të lejuar, që është një e tërë, jo më e vogël se vlera e përcaktuar në tabelën e miratuar me vlerat minimale të sipërfaqeve të lejeve minerare, sipas programit të veprimit dhe jo më e madhe se 10 km2.

4. Leja nuk mund të jepet për një zonë të lejuar, që është objekt i një lejeje tjetër kërkim- zbulim-shfrytëzimi, të vlefshme sipas këtij ligji, që zotërohet nga një subjekt tjetër.

5. Subjekti mund të përfitojë më shumë se një leje për zona të ndryshme, të lejuara.

6. Leja minerare për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara ka afat vlefshmërie jo më të gjatë se 25 vjet nga data e hyrjes së saj në fuqi dhe është subjekt i një shtese deri në 10 vjet, me kusht që kjo shtyrje afati të kërkohet nga zotëruesi i lejes minerare, të paktën, 180 ditë kalendarike para përfundimit të afatit të vlefshmërisë.


Neni 27

Të drejtat dhe detyrimet e zotëruesit të lejes minerare për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara


1. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulim-shfrytëzimit për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara ka të drejtë:

a) të ushtrojë çdo të drejtë, në përputhje me lejen minerare që i është dhënë;

b) të kryejë, brenda zonës së tij të lejuar, çdo veprimtari për kërkim-zbulim-shfrytëzim të mineraleve, për të cilat i është dhënë leja minerare;

c) të nxjerrë prej zonës së vet, të lejuar, të gjitha mineralet, për të cilat i është dhënë leja minerare;

ç) të shesë mineralet e nxjerra, vetëm nëse është i autorizuar, sipas këtij ligji;

d) të realizojë programin e investimit, të parashikuar në planin vjetor të veprimtarisë minerare, dhe projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare.

2. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulim-shfrytëzimit për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara ka këto detyrime:

a) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo 3 muaj, jo më vonë se data 15 e muajit që vijon pas tremujorit përkatës, një informacion mbi realizimin e prodhimit, investimeve, vlerën e produkteve të shitura, punimeve minerare të realizuara dhe të gjitha operacioneve të kryera për rehabilitimin e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve minerare, në përputhje me detyrimet e tij të lejes minerare dhe planin vjetor;

b) të paraqesë pranë strukturës përgjegjëse çdo vit, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i vitit përkatës, raportin financiar dhe teknik të të gjitha operacioneve të kryera, në përputhje me detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare dhe planin vjetor të punës;

c) të paraqesë për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse një plan pune vjetor, të hartuar në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike përpara përfundimit të vitit, llogaritur nga data e hyrjes në fuqi të lejes. Ky plan duhet të përmbajë, në mënyrë të specifikuar, kapacitetet e prodhimit, vlerën e investimeve, vlerat e garancive, të përcaktuara në nenin 31 të këtij ligji, në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare për çdo vit, të cilat miratohen nga strukturat përgjegjëse jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së tyre. Në rast mosmiratimi, struktura përgjegjëse e njofton zotëruesin e lejes minerare për arsyet e këtij mosmiratimi. Pas tejkalimit të këtij afati, plani quhet i miratuar. Format e raportimit përshkruhen në aktet nënligjore që miratohen nga ministri.

3. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulim-shfrytëzimit për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara ka detyrimin të marrë të gjitha masat e nevojshme, për të parandaluar dëmtimin e bimësisë dhe të peizazhit ose të pasurive të tjera, si dhe të rehabilitojë të gjitha dëmtimet në sipërfaqen e tokës, të bëra gjatë kërkim-zbulim-shfrytëzimit.

4. Zotëruesi i lejes së kërkim-zbulim-shfrytëzimit për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara ka detyrimin të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dëmtimin e bimësisë dhe të peizazhit ose të pasurive të tjera dhe të rehabilitojë të gjitha dëmtimet e sipërfaqes së tokës, të cilat janë bërë gjatë kërkim-zbulim-shfrytëzimit.


Neni 28

Lejet minerare për grupin e mineraleve radioaktive


1. Dispozitat e parashikuara në këtë kre për lejet minerare të grupit të mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet, zbatohen për të gjitha veprimtaritë minerare të grupit të mineraleve radioaktive, përveçse kur parashikohet ndryshe në pikat e mëposhtme të këtij neni.

2. Lejet e kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit për grupin e mineraleve radioaktive, pas shqyrtimit të plotësimit të kushteve, sipas këtij ligji, propozohen nga ministri për shqyrtim e miratim në Këshillin e Ministrave.

3. Me kërkesë të subjektit kërkues apo të zotëruesit të lejes minerare të grupit të mineraleve radioaktive dhe, nëse paraqitet një plan investimesh, zbatimi i të cilit vlerësohet në interes ekonomik apo shoqëror për komunitetin e zonës përkatëse, leja për këtë grup mund të jepet apo, përkatësisht, të zgjatet, për një periudhë vlefshmërie deri në 99 vjet.

4. Në rastet e parashikuara në pikën 3 të këtij neni, ministri mund të negociojë një kontratë me kushte lehtësuese me kërkuesin apo zotëruesin e lejes minerare.

5. Në rastet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, kontrata dhe shtyrja e afatit paraqiten për miratim në Kuvend.

6. Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit për grupin e mineraleve radioaktive, zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, pronë shtetërore, dhe kalon si pasuri minerare, në varësi të ministrisë së linjës, sipas legjislacionit në fuqi për ndryshimin e zërit kadastral të fondi pyjor e kullosor. Në këto raste, leja hyn në fuqi për zbatimin e detyrimeve të saj në datën e ndryshimit të zërit kadastral.


KREU IV

PROCEDURAT E DHËNIES SË LEJEVE, LICENCAVE DHE AUTORIZIMEVE


SEKSIONI I PARË

PROCEDURAT E LEJIMIT


Neni 29

Kushtet e përfitimit të lejeve minerare


1. Lejet minerare, të parashikuara në kreun III të këtij ligji, u jepen subjekteve, personave juridikë, vendas apo të huaj, që:

a) nuk kanë humbur të drejtën për t'u pajisur me një licencë minerare, sipas këtij ligji;

b) kanë aftësitë teknike të nevojshme;

c) kanë përvojë në fushën minerare;

ç) paraqesin një projekt të veprimtarisë minerare të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit, në përputhje me rregullat teknike;

d) paraqesin një plan rehabilitimi të mjedisit për lejet e kërkim-zbulimit e të shfrytëzimit, në përputhje me rregullat e mbrojtjes së mjedisit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi dhe me rregullat teknike minerare;

dh) paraqesin, për lejet që përfshijnë kërkim-zbulimin e shfrytëzimin, një plan të mbylljes së veprimtarive minerare, një plan të menaxhimit të mbetjeve, që janë pjesë të planit të rehabilitimit të mjedisit, të përshtatshëm e në përputhje me rregullat teknike minerare dhe të mjedisit;

e) paraqesin sigurinë e nevojshme financiare për ushtrimin e së drejtës minerare të kërkuar;

ë) paraqesin dokumentin që përcakton shprehjen e mendimit me shkrim të njësive të

qeverisjes vendore për lejet që përfshijnë kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin.

2. Përmbajtja e projektit të veprimtarisë minerare, të planit vjetor të veprimtarive minerare, të planit të rehabilitimit, si dhe e rregullave të detyrueshme që duhen plotësuar e atyre teknike përkatëse, përcaktohen me urdhër të ministrit.

3. Përjashtimisht, plotësimi i kushteve, të përcaktuara në shkronjat "e" dhe "ë" të pikës 1 të këtij neni, nuk kërkohet për lejet e parashikuara në nenin 23 të këtij ligji.


Neni 30

Procedurat e dhënies së lejeve minerare


1. Leja minerare jepet nga Qendra Kombëtare e Licencimit, në përputhje me ligjin nr.10 081, datë 23.2.2009 "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë", sipas procedurës së konkurrimit publik, për zonat e publikuara, sipas programit të veprimit dhe planit vjetor minerar dhe/apo shqyrtimit të plotësimit të kushteve të lejimit për zonat e hapura, sipas procedurës "I pari në kohë, i pari në të drejta". Procedura e shqyrtimit të kërkesave për zonat e hapura, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Lejet minerare të përcaktuara në këtë ligj përfshihen në kategorinë IV.1 të shtojcës së ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë". Këshilli i Ministrave vendos për dhënien e lejes, sipas ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 "Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë" ose sipas dispozitave të këtij ligji, sipas ndarjes në nënkategori. Në rastin e dytë nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje.

3. Për lejet e kërkim-zbulimit, vendimi përfundimtar i miratimit të lejes njoftohet dhe hyn në fuqi në datën e publikimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Për lejet, që përfshijnë shfrytëzimin, vendimi përfundimtar i miratimit, përveç rasteve kur, sipas këtij ligji, parashikohet miratimi nga Këshilli i Ministrave ose nga Kuvendi, njoftohet nëpërmjet publikimit në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5. Kërkuesi i lejes minerare, që përfshin kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin, duhet të paraqesë dokumentin e garancisë financiare, për zbatimin e planit të rehabilitimit të mjedisit të zonës minerare, që përfshin mbylljen e veprimtarisë minerare, rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve minerare dhe rehabilitimin e mjedisit të zonës minerare, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data:

a) e njoftimit të vendimit të miratimit, sipas pikave 3 e 4 të këtij neni;

b) e publikimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e lejes, sipas pikës 2 të nenit 28 të këtij ligji;

c) e publikimit në Fletoren Zyrtare të miratimit nga Kuvendi për lejet me afat deri në 99 vjet, sipas neneve 16 pika 5, 24 pika 9 dhe 28 pika 5 të këtij ligji.

6. Kërkuesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit duhet të paraqesë dokumentin e garancisë financiare për zbatimin e programit minimal të punës, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data:

a) e njoftimit të vendimit të miratimit, sipas pikës 3 të këtij neni;

b) e publikimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e lejes, sipas pikës 2 të nenit 28 të këtij ligji.

7. Kërkuesi i lejes minerare të shfrytëzimit duhet të paraqesë dokumentin e garancisë financiare për realizimin e investimit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga data:

a) e njoftimit të vendimit të miratimit sipas pikës 4 të këtij neni;

b) e publikimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e lejes, sipas pikës 2 të nenit 28 të këtij ligji;

c) e publikimit në Fletoren Zyrtare të miratimit nga Kuvendi për lejet me afat deri në 99 vjet, sipas neneve 16 pika 5 e 24 pika 9 e 28 pika 5 të këtij ligji.

8. Leja minerare, që përfshin shfrytëzimin, hyn në fuqi pas plotësimit të detyrimit, sipas pikave 5 e 7 të këtij neni, dhe publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Data e publikimit është data e hyrjes në fuqi.

9. Lejet minerare, që përfshijnë kërkim-zbulimin, hyjnë në fuqi pas plotësimit të detyrimit, sipas pikave 5 e 6 të këtij neni, dhe publikohen në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Data e publikimit është data e hyrjes në fuqi.

10. Në rast mosparaqitjeje të dokumenteve brenda afatit të parashikuar në pikat 5, 6 e 7 të këtij neni, vendimi për miratimin e lejes minerare vlerësohet automatikisht i revokuar.

11. Kushtet e hollësishme të lejimit për përfitimin e lejes, dokumentet shoqëruese, afatet për vlerësimin e përmbushjes së kushteve, afati për paraqitjen e dokumenteve, që provojnë plotësimin e kushteve, organi kompetent për shqyrtimin e kushteve të lejimit e procedurat e shqyrtimit e të miratimit të lejeve minerare përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 31

Garancitë financiare për zhvillimin e veprimtarive minerare


1. Garancia financiare për rehabilitimin e mjedisit përllogaritet në vlerë monetare dhe përdoret nga zotëruesi i lejes ose shteti për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ajo depozitohet pas marrjes së lejes minerare çdo vit, në datën efektive të marrjes së lejes dhe vlera vjetore përcaktohet në bazë të vlerës së përgjithshme të garancisë financiare për realizimin e planit për rehabilitimin e mjedisit, të miratuar nga ministri, të viteve të jetëgjatësisë së lejes minerare dhe të sasisë së mineralit të programuar për t'u shfrytëzuar çdo vit, sipas planit vjetor të veprimtarisë minerare. Vlera totale e garancisë financiare për rehabilitimin e mjedisit, rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe realizimin e planit të aktiviteteve për mbylljen e veprimtarisë minerare vlerësohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministri. Ajo përfshin garancinë financiare për mbylljen e veprimtarisë minerare, mbylljen e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin përfundimtar të mjedisit.

2. Garancia financiare për realizimin e programit minimal të punës përllogaritet në vlerë monetare dhe i kthehet zotëruesit të lejes pas realizimit të programit minimal të punës së lejes minerare të kërkim-zbulimit, në periudha kohore, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ajo depozitohet çdo vit pas marrjes së lejes sipas dispozitave të këtij ligji. Kjo vlerë përcaktohet në bazë të veprimtarive minerare, që duhet të realizojë minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim- zbulimit në programin minimal të punës, që është pjesë e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare. Vlera e garancisë financiare për realizimin e programit minimal për lejet e kërkim- zbulimit dhe vlera e investimit me afatet për lejet e shfrytëzimit vlerësohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministri.

3. Garancia financiare për realizimin e investimit përllogaritet në vlerë monetare dhe i kthehet zotëruesit të lejes së shfrytëzimit pas realizimit të investimit në periudha kohore, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ajo depozitohet pas marrjes së lejes minerare të shfrytëzimit, çdo vit, në datën efektive të dhënies së lejes. Vlera e saj llogaritet në 10 për qind të vlerës së investimit vjetor, që përcaktohet në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare për çdo leje minerare shfrytëzimi. Garancia financiare vjetore depozitohet në datën efektive të marrjes së lejes dhe vlera vjetore përcaktohet në bazë të vlerës së përgjithshme të investimit, të miratuar nga ministri, të viteve të investimit dhe të vlerës së investimit të programuar për çdo vit, sipas planit vjetor të veprimtarisë minerare. Vlera e garancisë financiare për realizimin e programit të investimit për lejet e shfrytëzimit vlerësohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministri.

4. Garancitë financiare vlerësohen nga struktura përgjegjëse, në bazë të vlerësimit të planit të rehabilitimit të mjedisit, të planit të mbylljes së veprimtarisë minerare, të planit të rehabilitimit të sheshit të depozitimit, të planit të zhvillimit të veprimtarisë minerare dhe të planit vjetor të veprimtarisë minerare, që miratohen nga ministri.

5. Vlera e garancisë financiare për zbatimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit, sipas përllogaritjeve vjetore, paguhet çdo vit dhe paraqitet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare.

6. Forma, rastet e tërheqjes dhe mënyra e llogaritjes së garancisë financiare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo garanci financiare përdoret nga zotëruesi i lejes pas miratimit të ministrit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

7. Zotëruesit e lejeve minerare të kërkim-zbulimit dhe të shfrytëzimit, brenda një periudhe njëvjeçare pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të paraqesin për shqyrtim e miratim planin e rehabilitimit të mjedisit, që përmban vlerën e garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit. Struktura përgjegjëse duhet të përcaktojë vlerën e papaguar të kësaj garancie.

8. Vlera e papaguar për garancinë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit shpërndahet në mënyrë të barabartë për t'u paguar në periudhën e mbetur të lejes minerare. Zotëruesi i lejes minerare e paguan këtë vlerë çdo vit, mbi vlerën e garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit të mjedisit, që llogaritet sipas përcaktimeve të këtij ligji-

9. Vlera e garancisë financiare për zbatimin e programit minimal të punës së lejeve kërkim- zbulimit reduktohet çdo 6 muaj gjatë periudhës së realizimit të programit minimal të punës, me një vlerë të barabartë me shumën e shpenzuar nga zotëruesi i lejes minerare gjatë realizimit të programit të tij të punës gjatë këtij gjashtëmujori. Reduktime të tilla janë efektive, në përputhje me deklarimin me shkrim, çdo gjashtë muaj, të kryer nga struktura përgjegjëse për zotëruesin e lejes minerare.

10. Gjatë periudhës kur është i pajisur me leje, zotëruesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit kryen programe pune minimale, siç përshkruhet dhe jepet me hollësi në programin e punës. Kur zotëruesi i lejes minerare, në përfundim të periudhës së lejes, ka dështuar për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht, të programit minimal të punës, atëherë i paguan shtetit një sasi të barabartë me pjesën e paplotësuar të angazhimit financiar për programin minimal të punës që kryhet, duke kaluar në favor të shtetit pjesën e pakthyer të garancisë financiare për programin minimal të punës.

11. Vlera e garancisë vjetore financiare për realizimin e investimit paguhet çdo vit dhe paraqitet së bashku me planin vjetor të veprimtarisë minerare, për të gjitha vitet e veprimtarisë minerare, kur realizohet investimi, sipas vlerës dhe afateve të përcaktuara në projektin e zhvillimit të veprimtarive minerare dhe planin vjetor të veprimtarisë minerare.

12. Vlera e garancisë vjetore financiare për realizimin e investimit për lejet e shfrytëzimit reduktohet në fund të vitit të punës, llogaritur në bazë të datës efektive të dhënies së lejes, me një vlerë të barabartë, të llogaritur mbi vlerën 90 për qind të investimit të shpenzuar nga zotëruesi i lejes minerare gjatë realizimit të programit të tij të investimit gjatë atij viti. Reduktime të tilla janë efektive, në përputhje me deklarimin me shkrim të kryer nga struktura përgjegjëse për zotëruesin e lejes minerare.

13. Kur zotëruesi i lejes minerare të shfrytëzimit, në përfundim të vitit të punës, të përcaktuar sipas datës efektive të dhënies së lejes minerare, ka dështuar për kryerjen, plotësisht ose pjesërisht, të programit të investimit të parashikuar për atë vit, atëherë pjesa e pakthyer e garancisë financiare për programin e investimit të atij viti kalon në favor të shtetit.
SEKSIONI I DYTË

AUTORIZIMI I TREGTIMIT DHE LICENCIMI I VEPRIMTARIVE STUDIMORE PROJEKTUESE


Neni 32

Autorizimi i tregtimit për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara


1. Tregtimi për grupin e mineraleve të çmuara dhe gjysmë të çmuara kryhet vetëm në bazë të autorizimit të tregtimit.

2. Kushtet e autorizimit, dokumentet shoqëruese, afatet e vlefshmërisë dhe procedurat e shqyrtimit të kërkesës për autorizim përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.


Neni 33

Licencimi i veprimtarive studimore-projektuese


1. Veprimtaritë studimore projektuese në fushën minerare mund të kryhen vetëm nga subjektet e licencuara për këtë qëllim.

2. Licencohen për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese në fushën minerare personat fizikë ose juridikë, të regjistruar si të tillë, që kanë aftësi teknike dhe përvojën e nevojshme për kryerjen e këtyre veprimtarive.


Yüklə 232,74 Kb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə