Republika e shqipërisë gjykata e apelit tiranë Nr. 426 Akti Nr. 554 Vendimi



Yüklə 26,5 Kb.
tarix11.04.2018
ölçüsü26,5 Kb.
#37975



REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E APELIT

TIRANË

___________________________________________________________

Nr.426 Akti Nr. 554 Vendimi

V E N D I M
NË EMËR TË REPUBLIKËS”
Gjykata e Apelit Tiranë e përbëre prej :
KRYESUES : LEFTER JAHAJ

ANËTAR : FATMIRA HAJDARI

ANËTAR : SHKËLQIM MUSTAFA

Me datë 11.05.2016, në séancë gjyqësore me dyer te hapura, me pjesmarrjen e prokurorit Genti Xholi, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:


I PANDEHUR: Alban Xama, i biri i Shpëtim dhe i Nexhmije, i dtl. 11.09.1978,

lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Rruga “3 Vëllezërit Kondi”, Pallati nr. 1, me arsim të mesëm, i martuar, i padënuar më parë, me shtetësi shqiptare, hetuar dhe gjykuar me masë sigurimi arrest në burg dhe më pas arrest në shtëpi, në mungesë, përfaqësuar nga av. Petraq Semani .


AKUZUAR: Për kryerjen e vepres penale te “Mbajtje pa leje të armëve

luftarake”, parashikuar nga neni 278/2/3 i K.Penal.




Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin e saj nr.1424 date 30.04.2015, ka

vendosur:



  • Deklarimin fajtor të të pandehurit Alban Xama për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bazë të nenit 278/3 të K.Penal dënimin e tij me 2 vjet burgim.

  • Deklarimin fajtor të të pandehurit Alban Xama për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe në bazë të nenit 278/2 të K.Penal dënimin e tij me 6 muaj burgim.

  • Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal të dënohet me 2 vjet burgim.

  • Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, t’i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri me 1 vit e 4 muaj burgim.


Kundër këtij vendimi ka bërë ankim i pandehuri, duke kërkuar një dënim më të butë, pasi është treguar i penduar për veprën e kryer.
GJYKATA E APELIT TIRANË
Pasi shqyrtoi aktet dhe e bisedoi çështjen në tërësi, dëgjoi avokatin Petraq Semani që paraqiti një kërkesë me shkrim ku heq dorë nga ankimi, prokurorin Genti Xholi që kërkoi mospranimin e ankimit,
V Ë R E N
Nga materialet e çeshtjes ka rezultuar se, organi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka paraqitur kërkesën për gjykimin e të pandehurit Alban Xama, duke e akuzuar se ka kryer veprën penale të “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” parashikuar nga neni 278 pg.2 dhe 3 i Kodit Penal (ndryshuar me ligjin nr.144/2013), sipas së cilit :

Mbajtja e municionit luftarak pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.



Mbajtja e armëve, bombave apo minave, lëndëve plasëse në banesë pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohen me me burgim nga një deri në pesë vjet.
Hetimi gjyqësor i çështjes i zhvilluar nën ritin e gjykimit të shkurtuar, në gjëndjen që janë aktet, ka provuar se:
I pandehuri Alban Xama banon në rrugën “Gramoz Pashko” në qytetin e Tiranës. Banesa e të pandehurit ndodhet në një oborr të përbashkët me atë të shtetasve Vladimir dhe Serxho Hajrulla, të cilët janë babë e bir. Me datë 21.07.2014 rreth orës 18.30 i pandehuri ka nisur të spërkasë me lëndë helmuese hardhinë e oborrit të tij. Për shkak të pozicionit ku ndodhen banesat, i pandehuri ka goditur xhamin e ballkonit të komshiut të tij Vladimr Hajrulla për ta njoftuar se po spërkaste hardhinë dhe të hiqte rrobat nga ballkoni. Meqenëse nuk është përgjigjur njeri, i pandehuri ka vazhduar punën me spërkatjen.

Goditja e xhamit nga ana e të pandehurit nuk është pritur mirë nga shtetasi Vladimir Hajrulla, i cili është revoltuar, ka nisur të shajë dhe i ka kërkuar të pandehurit që të dilte para shtëpisë për t’u sqaruar. Kur i pandehuri ka dalë tek trotuari para banesave, shtetasi Vladimir Hajrulla dhe djali i tij Serxho Hajrulla e kanë goditur të pandehurin fillimisht me grushta dhe me pas edhe me një shishe


birre. Sherri është ndarë nga banorë të lagjes që ndodheshin rastësisht dhe Vladimiri e Serxho janë larguar.

Pak minuta më pas, në vendin e ngjarjes kanë ardhur forca të policise me sirena të ndezura, pasi janë njoftuar për ngjarjen. Në këtë moment, i pandehuri është futur në një lokal “Lloto” me kamarier shtetasin Klevis Haka, të ndodhur në katin e parë të banesës së Vladimir Hajrulla dhe në të njejtin oborr me banesën e të pandehurit. Me qëllim që të mos gjendej nga ana e policisë, i pandehuri ka fshehur pas një kompjuteri, një armë tip pistoletë duke i kërkuar shtetasit Klevis Haka që të mos tregonte. Arma është gjetur dhe sekuestruar nga punonjësit e policisë, të cilët kanë bërë edhe arretimin në flagrancë të të pandehurit duke nisur veprimet e para hetimore.

Nga hetimet e mëtejshme, ka rezultuar se arma e gjetur dhe e sekuestruar është e tipit pistoletë Zastava me nr. ET 7111471 me 6 fishekë. Sipas aktit të ekspertimit nr. 8531 datë 12.08.2014 rezulton se arma e mësipërme klasifikohet si armë zjarri jostandarte (e modifikuar) dhe realizon qitje me fishekë të kalibrit 6.35 mm, arma nuk klasifikohet në armë zjarri luftarake, fishekët janë fishekë standart luftarakë dhe realizojnë rregullisht qitje.

Faktet e përmendur me lart rezultuan të provuara me aktet e paraqitura nga organi i prokurorisë, të cilat për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar marrin vlerën e provës në gjykim (qëndrim i cili është mbajtur edhe nga Gjykata e Lartë me vendimin unifikues nr 2 datë 29.01.2003 ). Konkretisht :


- Nga procesverbali i kapjes në flagrancë datë 21.07.2014 ku është pasqyruar koha dhe vendi i kapjes së të pandehurit, sendet e gjetura, shkaku i kapjes, etj.

- Nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe tabela fotografike përkatëse datë 21.07.2014 ku është pasqyruar vendi ku është gjetur pistoleta, përshkrimi i saj, pozicionimi, etj.

- Nga procesverbali i sekuestrimit të provave materiale datë 21.07.2014 ku është përshkruar arma e gjetur, fishekët, gjendja e saj, numrat përkatës, etj.

- Sipas akti të ekspertimit nr. 8531 datë 12.08.2014, rezulton se është egzaminuar prova materiale e gjetur në vendin e ngjarjes dhe është arritur në konkluzionin se “arma e mësipërme klasifikohet si armë zjarri jostandarte (e modifikuar) dhe realizon qitje me fishekë të kalibrit 6.35 mm, arma nuk klasifikohet në armë zjarri luftarake, fishekët janë janë fishekë standart luftarakë dhe realizojnë rregullisht qitje”.

- Nga procesverbali i deklarimeve të shtetasit Klevis Haka rezulton se ka qenë i pandehuri Alban Xama, i cili (pas konfliktit me shtetasit Vladimir dhe Serxho Hajrulla), është futur në lokal sapo ka dëgjuar sirenat e policisë, ka lënë pas kompjuterit një armë të vogël dhe i ka bërë me gisht që të mos flasë.

- Nga deklarimet e shtetasve Vladimir dhe Serxhio Hajrulla rezulton se janë komshinj me të pandehurin, janë konfliktuar me të ditën e ngjarjes, shkakun e konfliktit (goditjen nga ana e të pandehurit në xhamin e ballkonit), etj. Të dy dëshmitarët kanë deklaruar se janë zënë me grushta dhe sende të tjera me të pandehurin duke mohuar që i pandehuri të ketë patur armë në atë moment. Edhe të pyetuar drejtëpërdrejtë nga opgj dëshmitarët kanë spieguar se i pandehuri nuk ka patur armë në momentin e grindjes.

- Nga procesverbali i ballafaqimit midis të pandehurit Alban Xama dhe dëshmitarit Klevis Haka, dëshmitari ka dhënë të njejtat spiegime duke sqaruar se arma ishte fshehur nga i pandehuri.
Gjatë hetimeve paraprake i pandehuri ka pretenduar se arma nuk ishte e tij, pasi ai nuk ka patur armë. Në gjykimin e cëshjes, avokati i zgjedhur nga vetë i pandehuri nuk i kontestoi aktet e prokurorisë (duke kërkuar gjykim të shkurtuar), ndërsa avokatja e caktuar kryesisht nga Gjykata kërkoi pafajësi për të pandehurin (për shkak të gjendjes teknike të armës) ose dënimin me kohën e paraburgimit.
Sa më sipër Gjykata vlerëson se provat janë të plota, të marra sipas parashikimeve të K.Pr.Penale dhe provojnë faktet objekt akuze. I pandehuri Alban Xama ka kryer veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga neni 278 pg.2 dhe 3 i Kodit Penal. I pandehuri pa patur asnjë leje nga organet përkatëse ka mbajtur armën e zjarrit dhe municionin e përmendur më lart, duke e ditur se mbajtja e armëve të zjarrit dhe e municioneve pa leje është e ndaluar nga ligji. Pavarësisht se arma është e modifikuar (është shfrytëzuar trupi i një pistolete me destiancion tjetër duke adaptuar tytën), ajo (arma) realizon qitje normalisht dhe klasifikohet si armë zjarri jostandarte. Fakti se arma nuk është në katalogët standartë të armëve të zjarrit është rrethanë që Gjykata e mban parasysh në masën e dënimit, por nuk e përjashton të pandehurin nga përgjegjësia penale. Neni 278 i Kodit Penal ka përcaktuar si element të anës objektive mbajtjen e armëve, pavarësisht standartizimit të tyre. Përderisa arma e gjetur të pandehurit klasifikohet në grupin e armëve të zjarrit jostandarte dhe realizon normalisht qitjen, i pandehuri duhet të ishte pajisur me lejen përkatëse për mbajtjen e saj.
Me veprimet e tij të kundraligjshme dhe shoqërisht të rrezikshme i pandehuri ka cënuar marrëdhëniet juridike të parashikuara për të mbrojtur kontrollin mbi armët e zjarrit dhe rendin publik në përgjithësi.

Në lidhje me vendin ku arma është mbajtur, organi i prokrurosisë e ka akuzuar të pandehurin vetëm për mbajtjen në banesë të saj, pa mundur të provojë që arma është mbajtur në ambiente të tjera. Gjykata vlerëson se klasifikimi i bërë nga Porkuroria është i drejtë, pasi edhe nga hetimi gjyqësor nuk u paraqit asnjë provë që i pandehuri ta ketë mbajtur armën në ambiente të tjera vec banesës së tij. Nga dinamika e ngjarjes dhe deklarimet e dëshmitarëve, rezulton se i pandehuri armën e ka patur në banesë dhe ka tentuar t’ia fshehë policisë, sapo ka dëgjuar sirenat e makinave të saj.

I pandehuri është në gjendje të kuptojë dhe kontrollojë veprimet e tij dhe pasojat që vijnë, si edhe ka mbushur moshën 18 vjeç.

Pavarësisht nga rrethanat e posedimit të armës dhe gjendjes teknike të armës, i pandehuri nuk përjashtohet nga përgjegjësia, por rrethanat e mësipërme mbahen parasysh në caktimin e masës së dënimit ndaj tij.


Në caktimin e llojit dhe të masës së dënimit Gjykata mban parasysh :

- rrezikshmërinë e veprës dhe të të pandehurit,

- faktin se kjo vepër jo në pak raste ka krijuar premisat për vepra të rënda penale,

- faktin se sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore i pandehuri është i padënuar,

- fakti se i pandehuri nuk e ka përdorur armën,

- gjendjen ekonomike dhe familjare të të pandehurit ( baba i dy fëmijëve),

- qëndrimin e të pandehurit ndaj veprës dhe procesit gjyqësor.
Sa siper i pandehuri eshte deklaruar fajtor dhe denuar nga Gjykata e faktit me 1 vit e 4 muaj burgim.
Kundër këtij vendimi ka bërë ankim i pandehuri.

Në seancë gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Apelit Tiranë, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij hoqën dorë nga ankimi, pasi e ka vuajtur dënimin e dhënë.



Në këto rrethana e ndodhur çështja, në vështrim të nenit 420/ç të K.Pr.Penale, duhet të vendoset mospranimi i ankimit.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata e Apelit Tiranë, në bazë të nenit 420/ç të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr.1424 datë 30.04.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që i përket të pandehurit Alban Xama, për shkak të heqjes dorë nga ankimi nga i pandehuri.
Tiranë, më 11.05.2016
ANËTAR ANËTAR KRYESUES

SH. MUSTAFA F. HAJDARI L. JAHAJ

dv dv dv
Vertetohet njesia me origjinalin

KANCELARq

Lertida BALILI



Yüklə 26,5 Kb.

Dostları ilə paylaş:




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə