16
komunikimeve elektronike për sa u përket parashikimeve juridike që rregullojnë mjetet
teknike të përhapjes së informacionit digjital. Në këtë aspekt, e drejta e internetit gjen zbatim
të gjerë në rregullat e parashikuara për komunikimet elektronike dhe, siç do ta shikojmë më
poshtë, edhe të tregtisë elektronike. Është i njohur fakti se të dyja këto të drejta të ndërlidhura
me njëra-tjetrën janë të reja dhe analiza e së drejtës së internetit, si dhe ajo e së drejtës së
komunikimeve elektronike, nuk i shpëton një vërejtjeje mjaft të dukshme: të dyja ushqehen
gjerësisht nga të drejta ekzistuese, si për shembull e drejta e kontratave, e drejta e
konkurrencës, e drejta e autorit, e drejta ndërkombëtare private, e drejta e konsumatorëve, e
drejta e të dhënave personale etj. Interneti është një medium që lidh përdorues në skaje të
ndryshme të globit dhe, në këtë mënyrë, ai ndihmon jo vetëm për përhapjen e informacionit,
por edhe për zhvillimin e marrëdhënieve juridike ekzistuese në përmasa më të gjera.
Në këtë kuptim, mund të themi se burimi i parë i së drejtës së internetit janë të drejtat
e mëparshme, ekzistuese, të cilat përbëjnë dhe thelbin e kësaj të drejte. Për të evituar
boshllëkun juridik në lëmin e internetit, gjykatat kanë qenë të parat që kanë shprehur idenë se
interneti nuk mund të qëndrojë jashtë zbatimit të ligjit, në pritje të nxjerrjes së normave të reja
që do të rregullojnë specifikat e tij, duke mos hezituar të zbatojnë, për shembull, rregullat
kundër riprodhimit të paligjshëm të veprave në internet, pa autorizimin përkatës nga titullarët
e këtyre të drejtave. Ky evolucion ka ndodhur në vitet ’90, ku spikatin dy vendime, një i
Gjykatës së Parisit i vitit 1996 dhe vendimi i famshëm Napster i Gjykatës së Distriktit të
Kalifornisë i vitit 1999
57
.
Gjithashtu, gjykatat janë treguar të kujdesshme në kontrollin e formimit të vullneteve
në internet. Gjykatat kanë përfshirë zbatimin e parimeve civile të vlefshmërisë së veprimit
juridik, lidhjen e kontratave, të afateve dhe efekteve juridike të tyre në botën e internetit,
materializuar në kontratat e lidhura në largësi. Sot koncepti i kontratave të lidhura në largësi
është sqaruar më tej nëpërmjet legjislacioneve që kanë të bëjnë me tregtinë elektronike, por
mbetet fakti se konceptet e së drejtës civile janë ende në fuqi, pavarësisht evolucionit që kanë
sjellë legjislacionet e fundit.
Pra, këtu kalojmë në një fazë të dytë në lidhje me të drejtën e internetit. Për shkak të
specifikave që përfaqëson ky mjet komunikimi elektronik, është shfaqur domosdoshmëria e
rishikimit ose rinovimit të disa rregullave ekzistuese, në mënyrë që disa parime juridike të
përshtaten me realitetin e ri të rrjetit
58
. Një nga shembujt mund të gjendet sërish në të drejtën e
autorit, zbatuar në botën e internetit. E drejta pasurore që gëzojnë titullarët e të drejtave të
autorit ndahet në dy kategori kryesore: e drejta e përcjelljes në publik (si për shembull
transmetimi i veprave, shfaqjet në kinema, teatër etj.) dhe riprodhimi i tyre (ose shumëfishimi
në kopje i veprës së destinuara për shitje). Një ndarje e tillë ndihmon autorët në përcaktimin e
57 Analiza e detajuar e këtyre vendimeve gjendet në kapitullin që lidhet me shkeljet e të drejtës së autorit.
58
Joёlle
Farchy, Internet et le Droit d’Auteur – la culture Napster, botimet
CNRS Communications, 2003.
17
të drejtave që ata mund të cedojnë. Kontratat në të drejtën e autorit interpretohen ngushtësisht
dhe cedimi i një të drejte nuk nënkupton asnjëherë cedimin e një të drejte tjetër dhe nëse
sundon dyshimi mbi një klauzolë të caktuar, interpretimi do të bëhet gjithmonë në favor të
interesave të autorit. Mirëpo, në botën e internetit, një ndarje e tillë, për shkak të digjitalizimit
të veprave, po e humb rëndësinë e saj. Tashmë të dyja konceptet përmblidhen në një koncept
të vetëm, atë të komunikimit të veprës në publik. Një përkufizim i tillë është përdorur në
direktivat evropiane, ku mund të citojmë këtu direktivën e vitit 2001 në lidhje me të drejtën e
autorit në shoqërinë e informacionit. Një ndryshim i tillë tregon qartë rinovimin e koncepteve
ekzistuese të së drejtës falë përhapjes së
internetit dhe tregon, në njëfarë mënyre, fillimin e një
autonomie të së drejtës së internetit në raport me të drejtat e tjera.
Së treti, interneti po rezulton gjithashtu një krijues rregullash të reja juridike, të cilat
mund të ndahen në dy grupe: rregullat e detyrueshme dhe rregullat me përmbajtje etike ose
deontologjike. Për sa i përket grupit të parë, rasti më konkret është ai i ndërmjetësve teknikë
të internetit. Sikurse e pamë në përkufizimin më lart të komunikimeve elektronike të
parashikuara nga ligji për komunikimet elektronike, përcjellja e informacionit nëpërmjet
komunikimeve elektronike nuk e prek përmbajtjen e tij. Nga ky përkufizim rrjedhin disa
pasoja juridike që prekin përgjegjësinë e ndërmjetësve elektronikë e që e revolucionojnë
konceptin e përgjegjësisë për shkak të faktit se ndërmjetësit nuk ndërhyjnë në përmbajtjen e
informacionit. Kështu, roli i tyre në parim është një rol tërësisht teknik, ku ata nuk ushtrojnë
asnjë rol për mbikëqyrjen e informacionit. Si rrjedhim, lind një regjim juridik që i përjashton
nga përgjegjësia ndërmjetësit teknikë,
por me disa kushte, sipas parashikimeve të direktivës së
vitit 2000 në lidhje me tregtinë elektronike, direktiva bazë mbi të cilën është bazuar edhe ligji
ynë për tregtinë elektronike. Për shembull, ndërmjetësi teknik nuk është përgjegjës për
informacionin e transmetuar, nëse ai nuk inicion transmetimin, nuk zgjedh ose nuk modifikon
përmbajtjen e informacionit të transferuar dhe nuk zgjedh marrësin e transmetimit. Ai do të
jetë përgjegjës në rastin kur i është kërkuar ndërprerja e shërbimit me vendim gjykate ose nga
autoritetet përgjegjëse, kur nuk e ka bërë një gjë të tillë ose kur konstaton shkeljen pasi të jetë
njoftuar nga personi që i janë cenuar të drejtat.
Në këtë aspekt, shohim të formohet koncepti i ri i përgjegjësisë me kusht, ilustrimi më
i mirë i të cilit jepet në rastet e ndërmjetësve teknikë të internetit. Detajet në lidhje me këtë
koncept do të jepen në kapitullin përkatës.
Në grupin e dytë hyjnë zakonet dhe rregullat deontologjike të përdorimit të internetit.
Zakonet në përdorimin e internetit janë të shumta, edhe pse mund të ketë një mospërputhje
midis termit zakon, që u referohet praktikave të përsëritura në kohë dhe një mjeti të ri siç
është interneti. Por, për faktin se interneti nuk ka qenë i rregulluar ligjërisht qysh në fillimet e
tij, krijimi i zakoneve të përdorimit të tij është parë si një mënyrë vetërregullimi që ka gjetur
edhe mbështetje në jurisprudencë dhe, në një kohë të dytë, në ligj. Një zakon tashmë i
konsoliduar është, për shembull, ndalimi i dërgimit të mesazheve reklamuese të pakërkuara