Kolegji penal



Yüklə 39,84 Kb.
tarix28.11.2017
ölçüsü39,84 Kb.
#13005

stema


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E APELIT TIRANË

KOLEGJI PENAL

Nr.2013/849 i REGJ.THEMELTAR

Nr.1354 I VENDIMIT

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS ”



Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit Tiranë i përbërë nga:

KRYESUES: GENTI SHALA

ANËTAR: LEFTER JAHAJ

ANËTAR: SHKËLQIM MUSTAFA

asistuar nga sekretarja Briselda Xhelo, në seancë gjyqësore të datës 22.07.2015, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:



KËRKUES: Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e përfaqësuar ne Apel, nga prokurori Luan Kaloçi.

KUNDËR

TË PANDEHURIT: Klement SHAKAJ, i biri i Lavdoshit dhe i Manushaqes, i datëlindjes 15.08.1993, lindur në Vlorë, banues në Tiranë, Rr.“5 maji”, pallati i quajtur i shkodranëve, brenda ndërmarrjes ish-kimike, i padënuar, me arsim të mesëm, beqar, me shtetësi e kombësi shqiptare, mbrojtur nga Av.Ilir Murati.

AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal.
Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, me vendimin penal nr.1917, date 24.07.2014, vendosi:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Klement Lavdosh Shakaj, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve“, të parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal, dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 5 (pesë) vjet burgim.

  1. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Klement Shakaj dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

  1. Vuajtja e dënimit për këtë të pandehur do të fillojë nga dita e arrestimit në flagrancë datë 18.03.2014 Dënimi i mbetur do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

  1. Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale prova materiale, lënda narkotike të llojit “cannabis sattiva”, me peshë 30 gram gram, me gjithë ambalazh, e sekuestruar me procesverbalin e datës 18.03.2014 të zhduket.



  • Kundër vendimit ka bërë ankim i pandehuri Klement Shakaj, i cili parashtron:

  • I pandehuri Klement Shakaj është përdorues i lëndës narkotike dhe është kapur në posedim të një sasi prej 27 gram të lëndës Cannabis Sattiva, çka atij i shërbente për përdorim vetjak.

  • I pandehuri Klement Shakaj ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendim të thellë për veprën e kryer.

  • I pandehuri Klement Shakaj nuk është i dënuar më parë dhe jeton në një familje në gjendje të rëndë ekonomike.

Duke kërkuar:

  • Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Klement Shakaj, për një afat prove.

GJYKATA E APELIT TIRANË

pasi shqyrtoi materialet e çështjes, dëgjoi relatorin Genti Shala;

pasi dëgjoi të pandehurin Klement Shakaj dhe mbrojtësin e tij, av. I.Murati, të cilët kërkuan që në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Klement Shakaj, për një afat prove;

pasi dëgjoi prokurorin L.Kaloçi, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit,



V Ë R E N

Organi i Prokurorisë ka kërkuar në Gjykatë, gjykimin e të pandehurit Klement Shakaj, akuzuar se ka kryer veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

Në gjykimin e kësaj çështjeje në Shkallë të Parë, me kërkesën e të pandehurit Klement Shakaj dhe miratimin e organit të akuzës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur gjykimin e shkurtuar, konform neneve 403 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykimi i shkurtuar nuk përbën objekt të gjykimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, pasi ai nuk është objekt i ankimit të organit të Prokurorisë dhe as i atij i të pandehurit Klement Shakaj, por Gjykata e Apelit Tiranë çmon se lloji i gjykimit të ndjekur në shkallë të parë, është i rëndësishëm përsa i përket qëndrimit të saj për ankimin e palëve, të parashikuar nga neni 406/3 i Kodit të Procedurës Penale. Megjithëse konsensusi i prokurorit, në lidhje me kërkesën e të pandehurit për gjykimin e shkurtuar, nuk është kusht i domosdoshëm, Gjykata e Apelit Tiranë, duke konstatuar se organi i akuzës e ka dhënë këtë konsensus, çmon se si i pandehuri Klement Shakaj, ashtu edhe organi i Prokurorisë, kanë të njëjtin qëndrim për aktet e dosjes së Prokurorisë, dhe nuk kanë, respektivisht, pretendime lidhur me pavlefshmërinë e akteve, qofshin këto absolute apo relative.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka çmuar se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e dosjes së prokurorit dhe të njëjtën bindje kanë parashtruar edhe palët, pavarësisht konkluzionit përfundimtar që kanë arritur përsa i përket fajësisë të të pandehurit Klement Shakaj.

Në këto kushte Gjykata e Apelit Tiranë, e konsideron dosjen e prokurorit si dosje gjyqësore dhe si bazë për dhënien e vendimit përfundimtar.

Nga aktet e dosjes së prokurorit rezulton se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane mbi bazën e materialit kallëzues te dërguar nga Drejtoria e Policisë se Qarkut Tirane, seksioni për narkotiket, me shkresën Nr.5964/k, date 19.03.2014, ka urdhëruar me date 19 mars 2014, regjistrimin e procedimit penal Nr.2122, viti 2014, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, ne ngarkim të të pandehurit Klement Shakaj.

Nga aktet e dosjes së prokurorit rezulton se ne date 18.03.2014, rreth orës 19:00, shërbimet e policisë duke patrulluar ne qytetin “Studenti” pranë godinës nr.1, kane ndaluar te pandehurin Klement Shakaj, te cilit pas një kontrolli rutine i kane gjetur e sekuestruar pese qese si ato te farmacive brenda te cilave gjendej një bime e dyshuar si “Cannabis sattiva”.

Punonjësit e policisë, duke marre shkas nga gjetja e lendes se dyshuar si narkotike kane bere shoqërimin e të pandehurit Klement Shakaj ne ambientet e komisariatit.

Sasia e bimës është sekuestruar dhe më pas edhe është peshuar me peshore “Adam” dhe nga peshimi ka rezultuar sasia prej 30 gram me gjithë ambalazh.

I pyetur pas shoqërimit, ne ambientet e policisë, si person ndaj te cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Klement Shakaj ka deklaruar se lënda e gjetur dhe sekuestruar është lende narkotike dhe se e ka blere për përdorim vetjak tek një person ne rrugën e “Elbasanit” pasi është përdorues i saj prej tre vitesh.

Sipas organit të akuzës, të dhënat e mësipërme të pasqyruara në aktet e mësipërme dhe që marrin fuqinë e provës, provojnë se, jemi përpara rastit që lënda narkotike nuk është në doza të vogla dhe se ajo e kalon kufirin e sasisë për përdorim vetjak.

Me date 18.03.2014, ora 23:45, i pandehuri Klement Shakaj është arrestuar në flagrancë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

Mbi bazën e kërkesës se prokurorit te çështjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane me vendimin Nr.593 akti, date 20.03.2014, ka vendosur masën e sigurimit personal, “Arrest ne burg” parashikuar nga neni 238 te Kodit të Procedurës Penale, për te pandehurin Klement Shakaj.

Sasia e lëndës të sekuestruar të pandehurit Klement Shakaj, është dërguar për ekspertim kimik.

Sipas akt-ekspertimit kimik të materialit bimor, Nr. 4165, të datës 15.04.2014, provohet se sasia ne total dhe pa ambalazh e lëndës bimore është 27 gram është konkluduar se ajo është Cannabis, produkt herbal i bimës narkotike Cannabis sattiva L. Kjo bimë është klasifikuar si lëndë narkotike sipas ligjit Nr.7975, të datës 26.07.1995 “ Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope “.

Sipas aktit të ekspertimit toksikologjik të urinës me Nr.572, të datës 04.04.2014, provohet se, në urinën e të pandehurit Klement Shakaj u zbuluan njolla te pranisë se produkteve te metabolizmit te kanabinoideve.

Pas kryerjes se veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin dt.29.04.2014 është marrë si i pandehur shtetasi Klement Shakaj duke u akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

Me vendimin e datës 06.05.2014, duke i konsideruar të përfunduara hetimet, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.2122/2014, në ngarkim të të pandehurit Klement Shakaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitje të lëndëve narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.

Si gjatë gjykimit të çështjes, por dhe gjate hetimit, i pandehuri Klement Shakaj u shpreh mjaft i penduar për veprimin e kryer por, duke theksuar se, këtë veprim e ka kryer nga nevoja pasi është dhe përdorues i lendes narkotike.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se i pandehuri Klement Shakaj e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Referuar nenit 283 të Kodit Penal, dënohet:



  • shitja;

  • ofrimi për shitje;

  • dhënia ose marrja në çdo formë;

  • shpërndarja;

  • tregtimi;

  • transportimi;

  • dërgimi;

  • dorëzimi;

  • mbajtja

e lëndëve narkotike, në kundërshtim me ligjin.

Në këtë mënyrë, ligjvënësi ka përcaktuar në mënyrë shteruese format, për nga ana objektive, me të cilat mund të konsumohet vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, duke parashikuar si formën më të lehtë, për nga rrezikshmëria, mbajtjen e lëndëve narkotike.

Dispozita penale e sipërcituar ka parashikuar gjithashtu si rast përjashtimor nga përgjegjësia penale, mbajtjen e lëndës narkotike, për përdorim vetjak dhe në doza të vogla.

Sipas normimit material penal të sipërcituar, është sanksionuar i dënueshëm aktiviteti kriminal, lidhur me lëndën narkotike, duke përjashtua nga përgjegjësia penale mbajtësin e lëndës narkotike, me qëllim përdorimin personal.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se sasia e lëndës narkotike të sekuestruar të pandehurit Klement Shakaj, megjithëse është relativisht e vogël, nuk mund të konsiderohet për përdorim vetjak. Por sasia e vogël e lëndës narkotike të sekuestruar, konsiderohet nga Gjykata e Apelit Tiranë si rrethanë lehtësuese në caktimin e masës së dënimit.

Organi i Prokurorisë nga njëra anë dhe i pandehuri Klement Shakaj dhe mbrojtja nga ana tjetër, nuk kanë kundërshti përsa i përket fajësisë së të pandehurit Klement Shakaj, kualifikimit ligjor të veprës penale për të cilën është ngritur akuza apo autorësisë së saj.

Objektin e kërkimit në apel të të pandehurit Klement Shakaj, e përbën kërkesa për aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurin Klement Shakaj për një afat prove.

Gjykata e Apelit Tiranë e gjen të bazuar kërkesën e paraqitur nga i pandehuri Klement Shakaj dhe si e tillë duhet të pranohet, në lidhje me pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.

Neni 59 i Kodit Penal i jep të drejtën gjykatës që, në raste të veçanta, kur jep dënimin me burgim deri në pesë vjet të urdhërojë që i dënuari të vihet në provë duke u pezulluar ekzekutimi i dënimit, por, në çdo rast, gjykata duhet të ketë parasysh rrezikshmërinë e pakët të personit dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale.

Siç rezulton nga dispozita, kjo formë alternative e vuajtjes së dënimit me burgim aplikohet nga gjykata kur plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte:


  1. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor gjykata çmon se i pandehuri duhet të dënohet jo më shumë se pesë vjet burgim;

  2. Të rezultojë rrethanë e posaçme, sipas formulimit të nenit 59 të Kodit Penal

    • detyrimin e të dënuarit ndaj punës, arsimit, kualifikimit ose aftësimit profesional;

    • përgjegjësitë thelbësore familjare të të dënuarit;

    • nevojën e të dënuarit për trajtim apo rehabilitim mjekësor.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se duke iu referuar rrethanave të faktit, rezulton se i pandehuri Klement Shakaj nuk është i dënuar më parë dhe ka kryer në kushtet e paraburgimit pjesën më të madhe të dënimit, caktuar ndaj tij.

Gjykata e Apelit Tiranë çmon se në rastin e të pandehurit Klement Shakaj midis nevojës për ndëshkimin e tij për një veprim të kundraligjshëm penalisht të dënueshëm, i cili parashikon dënimin me heqje lirie në terma të përgjithshëm dhe të përfshirjes rastësore të të pandehurit Klement Shakaj për herë të parë në një aktivitet kriminal dhe të ekzistencës të disa rrethanave të provuara të cilat zbusin rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe atë të autorit, ka vend për t’u aplikuar pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim duke konkluduar se dhe në këtë rast arrihet qëllimi i dënimit të dhënë.

Sipas standardeve ndërkombëtare përdorimi i burgimit si formë dënimi duhet kufizuar rreptësisht dhe të jetë në raste të veçanta, atëherë kur nuk mund të zbatohen masa të tjera të përshtatshme. Siç shprehet nga Këshilli i Evropës, burgimi duhet të zbatohet si masë vetëm “kur çdo masë apo sanksion tjetër do të ishin të papërshtatshme për rëndësinë e veprës” (Këshilli i Evropës, Rekomandimi nr. R (99) 22 i Komitetit të Ministrave për Shtetet Anëtare në lidhje me mbipopullimin e burgjeve), dhe duhen bërë përpjekje që të minimizohet përdorimi i masave që e privojnë personin nga liria dhe të zbatohen më shumë masat të cilat nuk e bëjnë këtë.

Gjykata e Apelit Tiranë bazuar në provat e administruara dhe në përgjithësi në aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruara në ankimin e të pandehurit për moszbatim të dispozitës së nenit 59 të Kodit Penal janë të drejta.

Në këtë përfundim u arrit pasi rrethanat e kryerjes së veprës penale për të cilën është deklaruar fajtor dhe dënuar i gjykuari tregojnë për shkallë rrezikshmërie të vogël të vetë atij, ashtu edhe të kësaj vepre, në një kohë kur nga përmbajtja e dispozitës së nenit 59 të Kodit Penal, del se ajo mund të zbatohet ndaj personave me rrezikshmëri të pakët dhe për vepra penale për shkak të rrethanave në të cilat janë kryer konsiderohen me rrezikshmëri të pakët.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit Tiranë, bazuar në nenin 428 shkronja “a” dhe “b” të K.Pr.Penale,

VENDOSI

Lënien në fuqi të vendimit nr.1917, datë 24.07.2014 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë ndryshim:

Në aplikim të nenit 59 të K.Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit për pjesën e pavuajtur të dënimit me burgim për të pandehurin Klement Shakaj, për një afat prove prej 18 (tetëmbëdhjetë) muaj.

Urdhërohet i pandehuri Klement Shakaj të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Klement Shakaj, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.


Tiranë, më 22.07.2015

ANËTAR ANËTAR KRYESUES

SHKËLQIM MUSTAFA LEFTER JAHAJ GENTI SHALA

d.v. d.v. d.v.
VËRTETOHET NJËSIA ME ORIGJINALIN
KANCELAR


ARBËR KUSHE










Yüklə 39,84 Kb.

Dostları ilə paylaş:




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə