49
petkun e copyright-it, bënte të pamundur njohjen me konceptet dhe me idetë që përmbaheshin
në këto libra. Në këtë mënyrë, Madison-i ka qenë nga të parët që ka nënvizuar idenë se në
parim mund të ekzistojë një dikotomi ndërmjet të drejtës së autorit dhe të drejtës së publikut
për të përftuar informacion dhe kulturë, nëpërmjet qarkullimit të ideve. Këtu nuk duhet
ngatërruar koncepti i idesë si send i patrupëzuar, pa autor dhe pjesë e fondit të përbashkët të
njerëzimit, me idetë e materializuara, në një vepër me një autor të caktuar. Ndryshimi midis të
dyjave është i madh: nëse e para përjashtohet nga mbrojtja, e dyta qendron në thelb të
mbrojtjes nga e drejta e autorit. Megjithatë, qendrimi i Madison-it ndihmon në përcaktimin e
kufirit ndërmjet të drejtës së autorit dhe të drejtës së publikut për informim, pa cenuar të
parën. Krijimi i mundësisë për një individ të ketë akses drejt librave të ndryshëm në një
bibliotekë publike nuk mund të analizohet si një shkelje e të drejtës së autorit, por si një e
drejtë themelore e njeriut e karakterit kulturor.
Për t’u rikthyer të diskutimi kryesor, në vijim paraqitet një ilustrim se përse idetë, në
kuptimin e tyre të parë, nuk mund të mbrohen nga e drejta e autorit. Një artist i quajtur
Christo e shprehte artin e tij duke mbështjellë me çarçafë të mëdhenj vepra të mëdha
arkitektonike, si për shembull Pont-Neuf në Paris dhe Bundesratin në Berlin. Një fotograf bëri
disa poza të krijimit artistik dhe i riprodhoi ato, duke i hedhur në treg, pa lejen e artistit.
Artisti paditi fotografin, duke pretenduar shkelje të të drejtës së autorit, pasi nuk kishte marrë
lejen e tij për të të riprodhuar veprën në formën e fotografive. Por a ishte kjo ide e
materializuar në urën e Parisit një krijim artistik i mbrojtshëm nga e drejta e autorit? Po, sipas
gjykatës që gjykoi këtë çështje, shumatorja e të dhënave shtynte të mendohej se ishim përpara
një krijimi artistik: zgjedhja e urës, materiali i përdorur për mbulimin, lidhjet dhe mënyra e
mbulimit. Në këtë mënyrë, gjykata arriti në konkluzionin se kishim të bënim me një vepër që
mbrohej nga e drejta e autorit dhe këisoj, fotografi duhet të kishte marrë lejen e autorit për
përdorimin e pamjeve të urës së mbështjellur. Natyrisht që nuk mbaron me kaq. Disa muaj më
vonë, i njëjti artist padit një artist tjetër, i cili kishte realizuar një mbështjellje tjetër, atë të
pemëve të një bulevardi në një qytezë të Francës. Në këtë rast, gjykata kompetente e rrëzoi
padinë për arsye se “ideja për të mbështjellë pemë nuk mund të përvetësohet”
141
. Nëpërmjet
këtij shembull, kuptohet se elementi identifikues i një krijimi nga një krijim tjetër nuk është
ngjashmëria e ideve por mënyra e realizimit të tyre, pra konkretizimi i ideve në një vepër
artistike.
Në kuptim të dispozitave ligjore dhe të konventave ndërkombëtare, tashmë është e
gjithëpranuar se idetë përjashtohen nga mbrojtja e të drejtës së autorit. Ato nuk mund të
përbëjnë një vepër artistike në vetvete. Por a mund të mbrohen idetë? A ekziston ndonjë
mekanizëm i veçantë ligjor që i mbron ato, ose më saktë, mundëson përvetësimin e tyre dhe
më tej, mbron këtë përvetësim? Shpesh thuhet se e rëndësishme është të paturit e ideve, sepse
141 Michel Vivant, Jean-Michel Bruguière, « Droit d’auteur », Dalloz 2009, f. 73.
50
duke patur një ide novatore, hidhet bazat e para dhe tepër të fuqishme për krijimin e një tregu
të ri. Në këtë kontekst, duke hapur këtë digresion të vogël, duhet pranuar se idetë, nëse
përdoren siç duhet, mund të përbëjnë një burim të ardhurash të padiskutueshme. Ashtu si dhe
posedimi i informacionit, edhe gjenerimi dhe përvetësimi i ideve është një burim parësor
pushteti dhe të ardhurash për ndërmarrjet e sotme që veprojnë në fushën e shoqërisë së
informacionit. Në këtë kuptim, nuk mund të mohohet se idetë kanë një vlerë ekonomike
142
.
Për shkak të rëndësisë që do të kenë idetë (të mendojmë për shembull idenë e një fushate
reklamimi që nuk është materializuar ende por që në mënyrë të padrejtë, një konkurrent vihet
në dijeni dhe e imiton atë), në praktikë, ndërmarrjet do të bëjnë çmos të gjejnë një mjet juridik
të vlefshëm për t’i mbrojtur ato. Mjeti më i mirë është nëpërmjet ndihmës që të ofron
konkurrenca e pandershme
143
. Zbatimi i konkurrencës së pandershme, parashikuar në nenin
638 të KC, është e vetmja mundësi, pavarësisht karakterit të përgjithshëm të kësaj mbrojtjeje,
që të sigurojë, rast pas rasti mbrojtjen juridike të idesë. Nuk mund të ndërtohet një parim i
përgjithshëm i mbrojtjes juridike të idesë pasi jo çdo ide mund të mbrohet juridikisht. Në
praktikë, çdo ide që do të ketë një vlerë të sigurt ekonomike, do të meritojë mbrojtje. Por si
shumë gjëra dhe këtë e vendos i plotfuqishmi treg. Në të drejtën angleze, idetë mund të
mbrohet nëpërmjet mekanizmit të “confidential information”
144
, i përafërt me mekanizmin
juridik të parashikuar për sekretin tregtar.
b.
Konkretizimi
Që të kemi një vepër artistike, nevojitet një konkretizim i saj
145
. Njëzetvjeçari i fundit ka
sjellë, së bashku me risitë teknologjike të panumërta, dhe një zgjerim të nocioneve ekzistues
të të drejtës së autorit. Kështu, nuk duhet të gënjehemi nga fjalët sepse, kur themi fjalën
“konkretizim”, nuk duhet të nëkuptojmë domosdoshmërisht trupëzimin e veprës. Nëse do të
ishte kështu, jo vetëm që do binim ndesh me dispozitat ligjore
146
për sa i përket kushtet të
ekzistencës së veprës, por edhe do të përjashtonim tërësinë e veprave artistike, materializimi i
të cilave bëhet vetëm nëpërmjet proceseve digjitale. Teknologjia ka ndryshuar mënyrën e
konceptimit të gjërave dhe kësisoj, duhet të konsiderojmë se edhe një materializim digjital i
veprës, pra një trupëzim virtual i saj, mjafton për ta vlerësuar atë si të konkretizuar në kuptim
të Ligjit për të drejtën e autorit.
142 Michel Vivant, Jean-Michel Bruguière, « Droit d’auteur », Dalloz 2009, f. 71.
143 Nenet 638 dhe 639 të Kodit Civil.
144 Cavendish LawCards, Intellectual Property Law, Cavendish Publishing Limited, 1999.
145 Shih më sipër citimin mbi pikën 2 të nenit 2 të Konventës së Bernës.
146 Neni 8 i Ligjit për të drejtat e autorit : « objekt i të drejtës së autorit është çdo krijim intelektual origjinal, në
fushën e letërsisë, artit dhe shkencës, i cili mbart karakteristika individuale, pavarësisht nga mënyra ose forma e
shprehjes së tyre, objektivi, rëndësia për aq sa nuk parashikohet ndryshe në ligj. » ashtu si dhe paragrafi i parë i
nenit 7 të Ligjit të vjetër 9380: “Objekt i të drejtës së autorit në fushën e letërsisë, artit ose shkencës, produkt i
punës krijuese të mendjes së njeriut, pa marrë parasysh mënyrën e krijimit, mjetet ose format praktike të të
shprehurit dhe pavarësisht nga vlerat e tyre ose destinacioni […]”.
Dostları ilə paylaş: |