53
shkeljen e të drejtës së autorit që i bën regjistruesi, nëpërmjet regjistrimit dhe përcjelljes në
publik të paautorizuar të konferencës së tij. Konkretizimi është mënyra e vetme për të patur
një bazë vlerësimi të një vepre. Por konkretizimi mund të veshë forma të ndryshme dhe nuk
mund të jetë i mbyllur nga ligji, pasi kështu mund të përjashtoheshin forma të ndryshme të
veprave, për shkak se ato mund të veshin një konkretizim të papërcaktuar ende nga
teknologjia aktuale. Në këto kushte, disa legjislacione, si ai anglez përdorin termin “duke
përfshirë”
152
, kur bëhet fjalë për konkretizimin, në mënyrë që të lihet një dritare e hapur për
forma të reja konkretizimi.
Ndërkohë, do të shikojmë se e njëjta logjikë nuk vlen për vendet që zbatojnë
Copyright-in. Kështu, çdo vepër duhet të jetë e fiksuar diku në një send të trupëzuar (tangible
medium)
153
. Në të drejtën angleze, veprat letrare, dramatike dhe muzikore nuk gëzojnë
mbrojtje nga Copyright-i nëse nuk nuk janë regjistruar, shkruar ose shprehur në forma të tjera
të ngjashme
154
. Duke patur parasysh këto ndryshime thelbësore mes dy tendencave të të
drejtës së autorit në botë, Konventa e Bernës lë një hapësirë të lirë shteteve që këtë çështje ta
rregullojnë në bazë të diskrecionit të tyre
155
.
Kjo çështje na sjell në mendje një problem tjetër në lidhje me veprat artistike. Vepra
artistike është shprehje e botës së brendshme të autorit. Thelbi i saj është pjesa e patrupëzuar,
e mishëruar në mënyrë të detyruar në mënyrë që të prekë shqisat dhe ndjesitë e njeriut në
sendin e trupëzuar, që është dhe suporti i veprës
156
. Kjo do të thotë, se nëse kemi të bëjmë me
një pikturë, vepra do të jetë piktura, domethënë kompozimi, estetika etj, dhe jo elementët që e
përbëjnë atë, që e trupëzojnë atë: pra ngjyrat, telajoja dhe materiale të tjera ndihmëse. E njëjta
logjikë do të vlejë dhe për një faqe interneti, me të vetmin ndryshim se faqja e internetit nuk
do të jetë kurrë e trupëzuar, por do të jetë një send i përbërë nga disa sende, edhe ato të
patrupëzuara.
1.1.3 Krijimtaria
Vepra është prodhim i krijimit intelektual të autorit. Ligji 9380 nuk e thoshte në mënyrë të
qartë, gjë që Ligji për të drejtat e autorit e ka zgjidhur. Kuptohet se në themel të krijimtarisë
qendron përpjekja krijuese e autorit, që është puna që ai kryen për të prodhuar veprën. Por ky
152 David I. Bainbridge, Intellectual Property, Botimi i nëntë, Pearson, London, f. 54.
153 Mary LaFrance, “Copyright Law”, Thomson West, 2008, f. 108.
154 Copyright, Designs and Patents Act, 1988.
155 Neni 2 (2) i Konventës së Bernës: “It shall, however, be a matter for legislation in the countries
of the Union
to prescribe that works in general or any specified categories of works shall not be protected unless they have
been fixed in some material form.”
156 Është interesante të shikohet se Ligji i vjetër 9380, përkufizonte veprat artistike si krijime që preknin shqisat
dhe ndjesitë e njeriut. Ky përkufizim duket sikur i jep një mission veprave, gjë që nuk i kërkohet veprës që ta
ketë. Megjithatë, nëse një vepër nuk ka për synim të prekë shqisat dhe ndjesitë e njeriut, atëherë çfarë duhet të
bëjë tjetër? Ndoshta ky përkufizim, edhe pse i panevojshëm, ndihmon në dhënien e idesë se një vepër, edhe pse
hyn në sendet e patrupëzuar, duhet të gjejë një support që të bëhet e “prekshme”.
54
kriter është i pamjaftueshëm për të përkufizuar krijimin intelektual. Ligji për të drejtat e
autorit parashikon gjithashtu dhe kriterin shumë të rëndësishëm të origjinalitetit
157
. Madje ky
kriter është parakushti kryesor që një krijim artistik të jetë i mbrojtshëm nga e drejta e
autorit
158
. Në thelb të çdo krijimi intelektual qendron risia. Kuptimi që dy degët e pronësisë
intelektuale i japin kësaj fjale nuk është i njëjtë. Nëse patentat e shpikjes, pjesë e pronësisë
industriale, vënë theksin në risinë objektive të shpikjes, pra tek ideja që jemi përpara një gjetje
të re që njerëzimi nuk e njihte më parë, në rastin e të drejtës së autorit, risia qendron te fakti
shumë suvjektiv se në thelb të krijimit artistik qendron autori dhe çdo krijim i tij do të ketë një
karakter të ri, pikërisht sepse personaliteti i autorit është unik, një dhe vetëm një
159
.
Madje dhe
në përpjekjet më titaneske që autori të kopjojë vetveten, ai sërish do të jetë tërësisht inovues
në punën e tij. Risia në këtë rast do të ketë një kuptim subjektiv, që do të jetë origjinaliteti.
Pra jo vetëm duhet të kemi praninë e një pune krijuese të autorit, por gjithashtu kjo punë
duhet të ketë karakter origjinal.
Dy kriteret janë kumulative dhe janë pjesë e mjeteve arsyetuese të gjyqtarit për të
vlerësuar nëse jemi në prani të një vepre artistike apo jo. Ligji për të drejtat e autorit i bashkon
këto dy kritere vetëm në një për shkak të formulimit që përdor. Kështu, “vepër është çdo
prodhim në fushën e letërsisë, artit ose shkencës që është origjinale, domethënë është krijimi
intelektual i vetë autorit“
160
. Ky formulim heq kuptimin e kriterit subjektiv të veprës, çka e
kthen veprën në një punë, që mbetet krijuese, por që nuk e veçon atë aspak nga çdo punë
tjetër. Duke e ndarë nga kriteri i origjinalitetit, ndaj njëherësh dhe veprën nga autori i saj dhe
e kthen atë në një mall që nuk ka zot autorin, por shfrytëzuesin e saj
161
. Por si ka zhvilluar
koncepti i origjinalitetit? Kë të do shikojmë më rreshtat në vijim duke patur parasysh
se kriteri
i origjinalitetit, pavarësisht evoluimit të kuptimit të tij, është kriteri kryesor që na ndihmon të
kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një vepër që mbrohet nga e drejta e autorit apo jo.
a.
Origjinaliteti dhe
personaliteti i autorit
Është mëse e kuptueshme gabimi që bëhet duke menduar se fjala “origjinalitet“ kërkon që
puna intelektuale duhet të jetë e re ose inovuese. Por në çështjen e të drejtës së autorit, termi
“origjinal“ nuk ka të njëjtin kuptim parësor që mund të gjejmë në fjalor
162
. Origjinaliteti nuk
do të lidhet me risinë që mund të sjellë vepra, pasi vepra mund të mos sjellë asnjë risi, por me
157 Neni 8 pika 1, i Ligjit për të drejtat e autorit.
158 Sipas jurisprudencës Gjykatës Supreme në SHBA, është një “parakusht kushtetues”: “As we have explained,
originality is a constitutionally mandated prerequisite for copyright protection” (Feist Publications Inc vs. Rural
Telephone Service Co Inc, 1991; http://www.law.cornell.edu/copyright/cases/499_US_340.htm).
159 Christophe Caron, Droit d’auteur et droits voisins, Litec LexisNexis, Botimi 3, 2013, f. 78.
160 Neni 3 i Ligjit për të drejtat e autorit.
161 Njehsimi i dy kritereve në një kriter të vetëm, atë të “prurjes intelektuale” apo “personale” të autorit vjen
nga jurisprudenca në fushën e programeve kompjuterikë. Është e nevojshme të ketë një punë mjaftueshmërisht të
personalizuar dhe intelektuale që një krijim të quhet artistik.
162 David Bainbridge, “Intellectual Property”, Pitman Publishing, Botimi 3, 1996, f. 35.