51
Çështja është sesi do të identifikohen veprat? Më saktë, përtej kritereve që kemi në
përkufizimin e veprave, a ekziston ndonjë katëgorizim i veprave, në raport me llojin e tyre?
Ligji për të drejtat e autorit, ashtu si dhe Ligji i vjetër 9380, jep një listë jo shteruese të këtyre
kategorive. Themi joshteruese pasi llojet e kategoritë e veprave nuk duhet të konsiderohen si
të pandryshueshme. Askush nuk di të thotë me saktësi sesi mund të evoluojnë veprat dhe
llojet e tyre, ashtu siç askush nuk mund të parashikonte me saktësi para njëqind vitesh se do të
ishte krijuar kategoria e “veprave audiovizuale”
147
. Ato mund të pasurohen, madje më shpejt
se ç’mund të përditësohet ligji.
Megjithatë, nga mënyra e prezantimit të kategorive të veprave në Ligjin për të drejtat e
autorit, duket se tashmë çdo gjë është e vendosur dhe nëse në të ardhmen duhet të
parashikohet krijimi i një kategorie tjetër ose krijohet një vepër që nuk parashikohet në këto
kategori, duhet medoemos që të amendohet ligji. Do të ishte e udhës që të ndiqej logjika e
gjendur në disa ligje të huaja, ashtu si dhe logjika e projektligjit për të drejtën e autorit të vitit
2010, ku pas përkufizimit të veprave dhe para fillimit të shtjellimit të listës përdorej
“veçanërisht si”, që do të tregojë se diapazoni i veprave dhe kategorive të veprave është më i
gjerë se ç’mund të parashikojë një ligj dhe, nëse përmbushet kriteret e origjinalitetit dhe punës
krijuese të autorit, asgjë nuk duhet të ndalojë një krijim që të konsiderohet si vepër. Përdorimi
i një togfjalëshi të tillë në Ligjin aktual mungon
148
.
Kategorizimet e veprave do t’i trajtojmë më poshtë. Për momentin, do të ndjekim një
shtjellim më kronologjik duke u fokusuar fillimin në çastin se kur lind një vepër.
Së pari, a mundet që një krijim i pambaruar, ose ndryshe, një krijim i sapo filluar të quhet
vepër? Ligji për të drejtat e autorit nuk përjashton nga mbrojtja veprat e papërfunduara dhe në
147 Neni 8 pika 1(d) i Ligjit për të drejtat e autorit.
148 Neni 8 pika 1 i Ligjit për të drejtat e autorit: 1. Objekt i të drejtës së autorit është cdo krijim intelektual
origjinal, në fushën e letërsisë, artit dhe shkencës, i cili mbart
karakteristika individuale, pavarësisht nga mënyra
ose forma e shprehjes së tyre, objektivi, rëndësia, për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Veprat e të drejtës së autorit janë:
a) krijimet e fjalës, të shprehura nëpërmjet shkrimeve letrare dhe publicistike, leksionet, predikimet fetare,
fjalimet, cdo krijim tjetër me gojë ose me shkrim dhe programet kompjuterike; b) krijimet dramatike dhe
dramatiko-muzikore;
c) kompozimet muzikore, me ose pa tekst; c) krijimet koreografike dhe pantomimat;
d) krijimet audiovizuale, në të cilat përfshihen krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audiovizuale të
krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike; dh) krijimet e artit pamor në fushën
e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet decorative monumentale, pavarësisht nga materiali/mediumi përbërës i
tyre, dhe krijime të tjera të artit pamor; e) krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet, skicat në shkallë
të zvogëluar dhe krijimet grafike në projektet arkitekturore; ë) krijimet fotografike dhe cdo krijim tjetër që
shprehet nga cdo proces i ngjashëm me atë fotografik; f) veprat e arteve të aplikuara duke përjashtuar ato vepra
si dizenjo industriale që mbrohen nga ligji për “Pronësinë Industriale”; g) krijimet tre-dimensionale, ilustrimet,
listat, hartat dhe vizatimet në fushën e topografisë, gjeografisë dhe shkencës në përgjithësi; gj) krijimet
kartografike;
h) krijimet shkencore me shkrim ose me gojë sic mund të jenë prezantimet, monografitë, deduksionet,
disertacionet, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë, projektet dhe dokumentacioni shkencor.