30
të një rëndësie parësore jo vetëm për sa thamë më sipër por edhe për faktin se ajo mbulon
tërësinë e pronësisë intelektuale, pra jo vetëm të drejtën e autorit por edhe pronësinë
industriale (markat, patentat, dizenjot dhe emrat gjeografikë). Ekzistojnë dhe një seri të tjera
marrëveshjesh të një rëndësie më të vogël sot, për shkak të eklipsimit të tyre nga marrëveshjet
TRIPS, por që do të citohen në çastin e duhur
88
. Dhe po të shtojmë edhe Konventën e Romës
për Mbrojtjen e Ekzekutuesve, Prodhuesve të Fonogrameve dhe Organizatave Transmetuese
si dhe Traktatin e Uashingtonit për Mbrojtjen e Qarqeve të Integruar, në të cilat Shqipëria
është anëtare, shikojmë se kemi një panoramë të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare që
mbulojnë të drejtën e autorit. Nuk duhet të lëmë pa përmendur direktivat e Bashkimit
Evropian, influenca e të cilave është e madhe në legjislacionit e brendshëm shqiptar. Për
shkak të rëndësisë dhe numrit të madh të tyre, ato do të trajtohen në vijimësi në këtë punim.
Është me vend të thuhet se Shqipëria është palë në të gjitha këto traktate si dhe është
nënshkruese e marrëveshjes TRIPS.
Tashmë, duke ju rikthyer asaj çka u nënvizua në fillim të këtij paragrafi, do të duhet të
sqarojmë pozitën e të drejtës së autorit me lëndët e tjera të të drejtës. Duke filluar së pari me
pozitën e të drejtës së autorit në ndarjen e madhe historike të të drejtës, publike apo private?
Ku qendron më afër e drejta e autorit? Parimisht dhe si rregulli i përgjithshëm, e drejta e
autorit qendron në grupin e të drejtës private, për shkak të mekanizmave, parimeve, aktorëve
të saj si dhe marrëdhënieve që ata lidhin me njeri-tjetrin, si për shembull, nëpërmjet
kontratave të autorit. Atëherë përse shtrohet kjo pyetje? Kjo sepse e drejta e autorit, për shkak
të specifikës së saj, njeh disa institucione të posaçme publike që krijojnë dhe ato një korpus
rregullash që kanë një karakter publik. Mund të citojmë këtu Zyrën shqiptare të të Drejtave të
Autorit si dhe institucionin e ri të krijuar me Ligjin për të drejtat e autorit, Këshillin Kombëtar
të të Drejtës së Autorit. Aktualisht, ajo ka vetëm një karakter këshillimor dhe siguron,
nëpërmjet depozitimit të veprave, një element provueshmërie të ekzistencës së një vepre, por
në të ardhmen, ajo mund të thirret të kryejë disa detyra me karakter vendimmarrës
89
.
Më tej, identifikimi i familjes së përkatësisë të të drejtës së autorit na shtyn të hedhim
një shikim krahasimor pse jo dhe bashkëpunues midis saj dhe të drejtave të tjera pjesë të të
drejës private. Në radhë të parë, e drejta e autorit, si pjesë e pronësisë intelektuale, mbart një
vlerë ekonomike që hyn tashmë në mënyrë të padiskutueshme në asetet më me vlerë të një
biznesi që dëshiron të mbrojë dhe të promovojë produktet e tij. Në këtë kuptim, asnjë analizë
e vlefshme për sa i përket vlerës së një vepre artistike apo marke tregtare nuk mund të mos
88 Mund të citojmë Konventën Universale për të drejtën e autorit e datës 24 korrik 1971, Traktati i Organizatës
Botërore të Pronësisë Intelektuale (“OBPI”) “Për të drejtën e autorit” dhe disa dhe disa marrëveshje ose traktate
të tjerë që kanë të bëjnë me të drejtat fqinje me të drejtën e autorit si për shembull Traktati i OBPI-së i vitit 1996
“Për interpretimet, ekzekutimet dhe fonogramet”.
89 Shih më sipër, për analogji, përpjekjet franceze për ngritjen e një organi administrativ gjobvënës kundër
shkelësve të të drejtave të autorit në Internet.
31
vlejë nëse nuk përfshihet dhe e drejta tregtare ose në mënyrë më të përgjithshme, e drejta e
biznesit. Por prurja më e madhe në rezervuarin e parimeve të të drejtës së autorit vjen nga e
drejta civile. Ajo gjendet e infilturar në çdo pore të të drejtës së autorit. Asnjë parim i të
drejtës civile nuk është i tepërt për të drejtën e autorit. Sa për ilustrim, mund të themi se rastet
e pavlefshmërisë të kontratës do të vlejnë dhe për kontratat e autorit, porosia, huazimi apo
shitja e një vepre do të bëhet duke patur parasysh kapitujt përkatës të KC, ashtu siç do të
shërbejnë dhe parimet e bashkëpronësisë kur do të flitet për veprat me bashkautorë... Lidhja
midis dy të drejtave është gati e pazgjidhshme.
Gjithashtu, lidhja me të drejtën civile del në pah më së miri nëse kemi parasysh se
objekti i të drejtës së autorit, përveç autorit, është vepra artistike dhe kjo e fundit nuk është gjë
tjetër veçse një send. Ky send i veçantë i bindet disa logjikave të veçanta, por mekanizmi i
përgjithshëm i përshkrimit, funksionimit dhe vënies në qarkullim të veprës i bindet logjikës së
sendit të patrupëzuar që përshkruhet në Kodin Civil. Pasi e drejta e autorit, ashtu si dhe
pronësia intelektuale në përgjithësi, mbron një send të patrupëzuar. Vepra artistike, dizenjo,
marka tregtare nuk përbëjnë një gjë tjetër veçse sende (apo aset do të thoshnin ekonomistët) të
patrupëzuar. Në këtë kuptim, e drejta e autorit mund të renditet në kategorinë e të drejtave
reale. Sendet e patrupëzuara janë ato që mund të kuptohen vetëm me mendje, entitetet
abstrakte dhe ideale
90
. Një përkufizim kaq i qartë nuk mund të gjendej në lidhje me natyrën e
krijimeve intelektuale të të drejtës së autorit dhe të pronësisë intelektuale në përgjithësi. Një
ide të tillë e shpreh dhe Ligji pëe të drejtën e autorit, i cili e përkufizon veprën artistike si një
krijim që duhet të vërë në lëvizje shqisat e njeriut, nëpërmjet të cilave do të kemi stimulimin
intelektual të nevojshëm për të konceptuar një vepër artistike përtej mishërimit të saj në një
objekt të caktuar. Sepse, siç do e shikojmë pak më poshtë, e drejta e autorit mbron krijimin
artistik, mishërimin e idesë së autorit dhe jo mishërimin objektiv apo fiksimin e një vepre mbi
një suport të caktuar: e dreja e autorit mbron këngën jo CD-në, mbron skulpturën jo baltën,
mbron pikturën jo telajon dhe bojrat. Megjithatë, jo gjithmonë kjo ndarje konceptuale do të
vlejë për të gjitha llojet e veprave.
Gjithashtu, e drejta e autorit paraqet një lidhje të fortë dhe me të drejtat të quajtura të
personalitetit. Këto të drejta kanë të bëjnë me imazhin e personit
91
, emrin dhe elementë të
tjerë të personalitetit që prezumohen se nuk janë pjesë e qarkullimit civil. Ç’lidhje ka e drejta
e autorit me të drejtat e personalitetit? Është pikërisht veçantia kryesore e të drejtës së autorit
që e përafron shumë me këtë të drejtë. Kjo veçanti është e drejta morale, ose e drejta
jopasurore, e cila karakterizohet nga mekanizma juridikë që mbrojnë personin e autorit (si për
shembull autorësia e veprës ose e drejta që ka autori për të ruajtur anonimatin e tij), ose
mbrojnë integritetin e veprës (e drejta e ruajtjes së integritetit të veprës). Nëse e drejta e
90 Baltasar Benussi, Komentar i Kodit Civil të Zogut, Libri III i K.C., Botim i Ministrisë së Drejtësisë, 1931, f.
5.
91 Në lidhje me çështjet e imazhit të personit, shih ndër të tjera dhe Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor,
Tiranë nr. 476, datë 21.1.2014 “Zajmina Vasjari kundër “Vajra Bimore Sh.A.”.
Dostları ilə paylaş: |