Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”
Instituti për Planifikim Hapësinor
52
Vizioni për zhvillimin e ardhshëm hapësinor për këtë hapësirë, i dhënë në
Planin Hapësinor të Kosovës është:
Zonë e zhvilluar kulturore e turistike, agro-industriale dhe tregtare,
zhvilluar në rrënjët dhe traditat e lashta, me qeveri lokale të përgjegjshme
dhe efikase, në bashkëpunim me qytetarët e saj dhe aktorët për zbatim të
qëllimeve zhvillimore, me shfrytëzim të resurseve natyrore dhe njerëzore,
posaçërisht në fushën e turizmit, afarizmit e bujqësisë.
Shpallja e Bjeshkëve të Nemuna park kombëtar dhe realizimi i zhvillimeve
hapësinore që janë paraparë atje me planin hapësinor, është një hap
shumë i rëndësishëm për jetësimin e vizionit për “Kopshtet e Kosovës”.
Koncepti i zhvillimit hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” e
ka ndarë hapësirën e parkut në zona sipas regjimit të mbrojtjes,
shfrytëzimit të Parkut dhe sipas strukturave hapësinore. Më pas, në proces
të zhvillimit të konceptit janë trajtuar tre skenarë të zhvillimit të këtyre
zonave.
3.1.1. Ndarja në zona sipas regjimit të mbrojtjes dhe shfrytëzimit
Kjo ndarje është bërë duke u respektuar Ligji për Parkun Kombëtar
“Bjeshkët e Nemuna”i cili kërkon që hapësira e parkut t’i ketë 4 zona të
cilat dallojnë përnga regjimi i mbrojtjes së tyre. Ato janë:
1.
Zona e parë – mbrojtja strikte;
2.
Zona e dytë – menaxhimi aktiv;
3.
Zona e tretë – shfytëzimi i qëndrueshëm;
4.
Zona e ndikimit – jashtë parkut, 50 metra nga kufiri i parkut.
Identifikimi dhe definimi i kufinjve të zonave I, II dhe III është bërë përmes
ekspeditave në terren të grupit të ekspertëve duke u bazuar në vlerat
natyrore me ç’rast janë përdorur kriteret si:
•
Biodiversiteti i vlerave natyrore (florës, faunës, ekosistemeve,
habitateve etj.);
•
Karakteri endemo-relikt i vlerave natyrore
;
•
Rrezikshmëria e vlerave natyrore
;
•
Vlerat biogjeografike, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike dhe
peisazhore;
•
Kufiri natyror dhe fizik i zonave (luginat, kurrizet malore, prrockat dhe
lumenjtë, kufiri i vegjetacionit pyjor, shkëmbinjtë, rrugët etj.)
Zona e parë
Si zonë e parë e mbrojtjes në territorin e PK “Bjeshkët e Nemuna” janë
propozuar disa hapësira me gjithësejt 9927 ha që përbëjnë 15.8% të
sipërfaqes së parkut kombëtar. Zona e parë paraqitet me vlera të veçanta
natyrore të cilat karakterizohen me biodiversitet të pasur të florës, faunës,
habitateve dhe të ekosistemeve. Ajo në përbërjen e saj karakterizohet me
ekosistemet me potenciale autentike të pandryshuara ose pak të
ndryshuara si rezultat i praktikave tradicionale të menaxhimit. Kjo zonë
poashtu karakterizohet me dendësi të lartë të llojeve tipike, të rralla dhe
endemike të bimësisë, me dendësi të lartë të bimëve që janë vënë nën
mbrojtje, me shkëmbinj të veçantë dhe është zonë me rëndësi të madhe
për linjat e migrimit të dhive të egra, arinjve dhe rrëqebujve. Këtu, jeta e
lirshme e habitateve të botës bimore (flora me speciet pyjore, barishtore,
etj) dhe shtazore (fauna me speciet e sisorëve, rrëshqitësve, shpezëve,
etj), duhet të zhvillohet në kushte krejtësisht natyrore. Hapësirat e
identifikuara në terren si zonë e parë do të shpallen rezervate të natyrës të
cilat janë nën mbrojtje strikte. Rezervatet e natyrës
mund të shfrytëzohen
vetëm për nevojat shkencore dhe arsimore.
Zona e dytë
Si zonë e dytë në territorin e PK “Bjeshkët e Nemuna” është propozuar
sipërfaqja prej 45832 ha që përbën 72.7 % të sipërfaqes së parkut
kombëtar. Pjesë e konsiderueshme e cila i takon zonës së dytë mbulohet
me pyje dhe kullosa. Kullosat janë të përhapura mbi vegjetacionin
barishtor ku mbizotëron klima e maleve të larta (alpine dhe subalpine).
Zona e dytë është me sipërfaqe më të madhe në krahasim me dy zonat e
tjera dhe karakterizohet me ekosisteme pyjore dhe barishtore. Në këtë
zonë janë të pranishme llojet e rralla e të rrezikuara si dhe endemike të
florës, faunës, por në krahasim me zonën e parë, prania e tyre është më e
kufizuar. Kjo zonë, përveq biodiversitetit të pasur natyror, posedon edhe
vlera të rëndësishme biogjeografike, gjeologjike, gjeomorfologjike,
hidrologjike, pedologjike dhe peizazhore.
Zona e dytë është zonë me mbrojtje të orientuar, më pak rigoroze se sa në
zonën e parë dhe ku njeriu mund të intervenojë, por në mënyrë të
kontrolluar. Zona është e dedikuar për pushim aktiv dhe rekreacion të
popullësisë. Aktivitetet e lejuara në këtë zonë janë:
1.
Aktivitetet bujqësore siq është kultivimi i drithërave dhe kulturave të
tjera bujqësore, por me norma të caktuara të përdorimit të pesticideve,
herbicideve dhe plehrave azotike;
2.
Prerja e pyjeve për qëllime sanitare, për plotësimin e nevojave të
banorëve rezident për ngrohje dhe për evitimin e shpërndarjes së
zjarreve;
3.
Ripyllëzimi në hapësira që shërbejnë si mbrojtës dhe rregullues të
dëmtimeve mjedisore pa ndikim ne pyjet ekzistuese;
4.
Aktivitetet për një blegtori ekstenzive, mbajtja e lopëve, deleve dhe
kuajve, kullotja e kontrolluar e tyre, mbajtja dhe kullotja e dhive në tufa
jo të mëdha – më së shumti deri 100 krerë dhi në 10 km²;
5.
Bletaria;
6.
Vjelja e frutave të imta dhe bimëve mjekuese në periudha të caktuara
kohore gjatë vitit,
7.
Kultivimi i frutave, por jo i frutave dhe bimëve komplementare që u
bëjnë konkurrencë frutave ekzistues;
8.
Ndërtimi i shtigjeve të skijimit në vendet ku nuk dëmtohen ose ku
shumë pak dëmtohen pyjet, ndërtimi i shtigjeve për shetitje me punkte
për çlodhjen e vizitorëve;
9.
Instalimi i ski liftave, teleferikëve;
10.
Aktivitetet rekreative sportive si shetitja, ngasja e biçikletës, skijimi, etj;
11.
Ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave që lidhin territoret të cilët i
përkasin zonës së tretë, kurse nuk lejohet ndërtimi i autoudhëve;
12.
Nuk lejohet transportimi i derivateve dhe materieve të tjera të
dëmshme;
13.
Shfrytëzimi i resurseve ujore të rrjedhshme që ndodhen deri në
lartësinë prej 1500 metrash me qëllim të furnizimit të banorëve me ujë;
14.
Shfrytëzimi i resurseve ujore që ndodhen deri në lartësinë prej 1500
metrash me qëllim të furnizimit të banorëve me ujë në mënyrë
individuale përmes puseve duke e ndërtuar infrastrukturën e tyre
përcjellëse;
15.
Shfrytëzimi jo industrial i resurseve minerare, ndërsa nuk lejohet
operimi i minierave sipërfaqësore si guroret dhe i atyre nëntokësore,
apo xeheroret;
16.
Me leje të veçantë mund të ndërtohen spitale me karakter specifik siq
janë spitalet për sëmundjet kardiovaskulare, të mushkërive etj., por nuk
lejohen aktivitetet që shkojnë në kundërshtim me traditën dhe kulturën
e banorëve të parkut.
Përveq ndërtimeve që u përmendën më lartë, ndërtime tjera nuk lejohen
në këtë zonë. Aktivitetet që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e pasurive të
natyrës në zonën e dytë, më hollësisht rregullohen me planin e
menaxhimit të parkut kombëtar.
Zona e tretë
Si Si zonë e tretë në territorin e PK “Bjeshkët e Nemuna” janë propozuar
gjithësejt 61 hapësira me 7269 ha që përbëjnë 11.5 % të sipërfaqes së
parkut. Sipërfaqet e këtyre zonave varirojnë nga 1 ha deri në 582 ha. Zona
e tretë i përfshinë të gjitha sipërfaqet barishtore dhe gurore të cilat nuk
kanë vlera të veçanta të biodiverzitetit as vlera të veçanta kulturore-
historike. Zona III, në krahasim me zonat I dhe II, ka kushte të volitshme
gjeografike, relievore dhe klimatike për zhvillimin e turizmit. Zona e tretë
ndahet në tri nënzona: zona IIIa apo zona e vendbanimeve, zona IIIb apo
zona ku gjenden stanet dhe zona IIIc apo zona e zhvillimit. Në nënzonat IIIa
dhe IIIc, përveq aktiviteteve që lejohen në zonën e dytë, lejohen edhe
ndërtime në funksion të banimit, arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit
ekonomik, me theks të veçantë në zhvillimin e turizmit. Në nënzonën IIIb
të staneve, lejohet vetëm ndërtimi i staneve tjera, me materialet që janë
karakteristike për stanet, ndërtimi i objekteve për bagëtinë dhe i objekteve
përcjellëse për bylmetin. Në zonën III në përgjithësi nuk lejohet ndërtimi i
kapaciteteve industriale të cilat e ndotin mjedisin. Ndërtimet duhet të jenë
të bazuara në këtë plan hapësinor dhe në planet rregulluese e poashtu të
jenë në harmoni të plotë me mjedisin natyror.