Aftësia e kufizuar në median e shkruar: Si portretizohet aftësia e kufizuar dhe personat me aftësi të kufizuara nga media e shkruar në Bosnje Herzegovinë



Yüklə 0,62 Mb.
səhifə3/12
tarix02.10.2017
ölçüsü0,62 Mb.
#2969
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12

II. Terminologjia





Përse është e rëndësishme terminologjia?
Gjuha e përdorur në media luan një rol thelbësor në formimin e qëndrimit social mbi personat me aftësi të kufizuara. Terminologjia e përdorur për të përshkruar personat me aftësi të kufizuar është integrale, jo vetëm për të formuar qëndrimin social por edhe për të krijuar dhe përforcuar steriotipet. Konkluzioni kryesor i studimit ne lidhje me terminologjinë është fakti se ka një mungesë totale të konsistencës së termave të përdorur nga gazetarët. Shumë shpesh një term përdoret në kuptime të ndryshme duke iu referuar si fëmijëve me nevoja të veçanta, nga një anë, vetë fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe nga ana tjetër një grupi të gjerë të personave me aftësi të kufizuara. Termi “persona me aftësi të kufizuara”, që nënkupton personat me të gjitha tipet e aftësisë së kufizuar, shpesh përdoret vetëm për personat vetëm me dëmtime fizike. Ndërkohë, në raste të tjera ky term përdoret saktë duke iu referuar një grupi personash të ndryshëm. Akoma më konfuzues është përorimi i termave të ndryshëm brënda të njëjtit artikull. Nuk është e pazakontë të gjesh të paktën pesë trema të ndryshme të përdorura në të njëjtin artikull për të përshkruar personat më aftësi të kufizura, duke i dërguar mesazhe çoroditëse publikut për shkak të terminologjisë.
Ka ende një numër të madh termash fyes të përdorura nga ana e gazetarëve pavarësisht nga shtimi i përdorimit të termit ‘persona me aftësi të kufizuara’, i cili mbështetet gjerësisht dhe përdoret nga ana e lëvizies së aftësisë së kufizuar në rajon. Termat tepër fyes, të tillë si antikap, çalaman, i vonuar, dhe rakitik dhe emërtime të tjera denigruase arrijnë të penetrojnë në median e shkruar. Ekziston gjithashtu një përdorim i gjerë i termave “ i vonuar mendor” dhe “ njerëz me zhvillim të pamjaftueshëm mendor”. Ka gjithashtu një tenencë në shtetet e studiuara për ti quajtur këta persona “i paafti”, “i verbri”, “shurdhi” dhe për të përdorur terminologji që ka lidhje me dëmtimin, të tilla si “paraplegjik” dhe “personat me distrofi muskulare”. Përdorimi i këtyre mbiemrave në vend të emrave në këtë mënyrë është jashtë kohe dhe ka kohë që konsiderohet fyese në lidhje me personat e grupeve të ndryshme etnike (nuk është e përshtatshme për shembull, të përdoret termi “të zinjtë”). 12 Për fat të keq, gjuha fyese dhe pezhorative duket se është normë, ndërkohë që atë e gjen rëndom në artikujt që kanë lidhje me aftësinë e kufizuar. Një përdorim i tillë i zakonshëm i terminologjisë fyese mund të jetë një tregues se publiku nuk është aspak i ndërgjegjësuar mbi faktin se një gjuhë e tillë është fyese.
Sipas Michael Nally, pedagog në departamentin e gazetarisë të Universitetit të Central Lancashire, gazetari duhet të jetë i ndërgjegjshëm se përdorimi i gjuhës diskriminuese ose të rëndë mund të ofendojë disa nga lexuesit, dëgjuesit dhe shkuesit e tij: “Gazetari e ka për detyrë të përpiqet të shmangë fjalët dhe fjalitë që mund të ofendojnë personat me aftësi të kufizuara” 13. Kodet e sjelljes mund të nxisin gazetarët të përdorin terma jodenigrues ose fyes. Për shembull, në nenin 10 të kodit të praktikave të Unionit Kombëtar të Gazetarëve Britanikë, i ngjashëm me kodin e Këshillit të Medias së shkruar për Bosnjën, thuhet: “gazetari duhet të përmendë moshën, gjininë, racën, ngjyrën, besimin, ilegjitimitetin, aftësinë e kufizuar, statusin martesor ose orientimin seksual vetëm nëse informacioni është padiskutim i nevojshëm. Gazetari nuk duhet as të inicojë e as të përgatisë material që nxit diskriminimin, përqeshjen, paragjykimin ose urrjtjen mbi bazën e cdonjërit prej elementëve të lartpërmendur. Neni 13 i Komisionit të Ankesave të Medias së Shkruar thotë se:” 1) media e shkruar duhet të shmangë referencat paragjykese ose pezhorative ndaj racës, ngjyrës, fesë, gjinisë ose orientimit seksual të një personi apo ndaj çdo sëmundje fizike ose mendore ose aftësie të kufizuar. 2) duhet të shmangë publikiumin e detajeve të racës, ngjyrës, besimit fetar, orientimit seksual, sëmundjes fizike ose mendore ose aftësisë së kufizuar, me përjashtim të rasteve kur kjo është e domosdoshme për lajmin.” 14
Megjithatë, edhe pse përdoret kodi kundër diskriminimit në MB, terminologjia diskriminuese penetron ne median e shkruar dhe madje edhe në media me profil të lartë kombëtar të tilla si “the Guardian, the Times, the Economist dhe BBC”.15
Disa gazetarë Anglezë u pyetën përse ndodhte kështu dhe ja se çfarë thanë ata:


  • Gjuha e papërshtatëshme dhe titujt tej emotivë vazhdojnë të përdoren në lajmet mbi personat me aftësi të kufizuara pasi kjo ka qenë formula për një kohë shumë të gjatë (Jackie Logue, gazetar dhe redaktor).

  • Ka mungesë të mëdha njohurish mbi aftësinë e kufizuar si nga profesionsitët e medias ashtu dhe nga shoqëria në përgjithësi, pasi ata nuk e shonin një person me aftësi të kufizuara në rradhë të parë si një person që i ka ndodhur të ketë një aftësi të kufizuar (Jackie Logue, gazetar dhe redaktor).16

  • Gazetarët janë trainuar për të përdorur gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lehtësisht duke kopjuar kështu një term të tillë si “gjysëm i verbër” më shpejt se sa fjalia e vështirë ‘i gjymtuar vizualisht’ (Michael Nally, gazetar dhe pedagog).17

Megjithatë, gazetarët kanë detyrë të vështirë duke patur parasysh faktin se shumë persona të intervistuar përdorin forma të ndryshme të terminologjisë duke krijuar një mozaik fjalësh që mund të konfuzojnë përfaqësuesit e medias. Profesionsitët që punojnë në fushën e aftësisë së kufizuar, prindërit, përfaqësuesit qeveritarë dhe madje edhe personat me aftësi të kufizuara përdorin forma të ndryshme të terminologjisë përfshirë termat stigmatizues dhe kjo e bën të vështirë punën e gazetarit që duhet të dijë se cili është termi i përshtatshëm. Mund të jetë vështirë gjithashtu për një gazetar të gjejë terminologjinë e duhur që në të njëjtën kohë është lehtësisht e kuptueshme për publikun. Gazetarët e trainuar si dhe drejtuesit e gazetarëve duhet të ndërgjegjësohen mbi çështjet e aftësisë së kufizuar dhe redaktorët dhe zëvendës-redaktorët duhet gjithashtu të trainohen për të garantuar një kuptim të mirë të aftësisë së kufizuar. Përdorimi i gjuhës së saktë në media do të ndihmojë në përhapjen e mesazhit tek publiku në termat e duhura.


Në përgjithësi, termi më i përdorur në median e shkruar është “invalidi”
Termi “invalidi” (në gjuhën e Bosnje Hercegovinës), emër, përdoret në shumë vende të rajonit. Advokues të shumtë të aftësisë së kufizuar në rajon pranojnë se ky emër përkthen siç duhet nga anglishtja fjalën “the disabled”. Ndërkohë që disa media përdorin termin neutral të tillë si “personat me aftësi të kufizuara”, ka ende një numër të madh gazetarësh që përdorin termat depersonalizues, të tillë si “invalid”, ose “antikap” të cilat shumë i konsiderojnë, fyes pasi këto terma, siç shpjegon Colin Barnes, “u rrëmbejnë anën humane personave me aftësi të kufizuara, e për rrjedhojë i kthejnë ata në objekte.” 18 Në të gjithë rajonin ky term gjendet shpesh me germa të mëdha në çdo titull shkrimi. Për rrjedhojë, si gazetat e përditëshme dhe ato javore, si gazetat cilësore dhe tabloidët, duket se preferojnë gjihën e paaftësisë, “invalidi” në titujt dhe nëntiujt e shkrimeve të tyre, dhe padyshim që kjo ndikon shumë në qëndrimet e publikut. Megjithatë, termi “personat me aftësi të kufizuara” që është terminologjia e preferuar e shumicës të lëvizjes së aftësisë së kufizuar, po fillon të përdoret më gjerë në median e shkruar përveç titujve ku shfaqet vetëm në raste të ralla19.
Termi “the disabled” (invalidi) në Serbisht dhe gjuhën boshnjake është në njëfarë mënyre problematik kur përpiqesh ta përkthesh në anglisht duke patur parasysh që rrënja e fjalës mungon. Ja çfarë thotë Gordana Rajkov e Qendrës për Jetesë të Pavarur të Serbisë në lidhje me të: “Termi “invalid” u shfaq në gjuhën tonë (Serbisht) pas Luftës I Botërore dhe u përdor në masën dërmuese për veteranët e luftës me aftësi të kufizuara [ratni vojni invalidi].Që prej atëherë do të thotë saktësisht person me dëmtime, që për rrjedhojë nënkupton jo i barabartë me të tjerët, por gjithashtu nënkuptonte një lloj dinjiteti pasi i referohej personave që kishin luftuar e sakrifikuar për vendin e tyre. Ai term persistoi në gjuhë që atëherë (...) dhe kurrë nuk pati kuptim negativ. S’ka nevojë të themi se kurrë nuk u përkthye në gjuhën tonë, kurrë nuk u përdor në kuptimin e tij të përkthyer, pothuajse gjithmonë në origjinalin anglisht (kështu ndodh shpesh). Kjo është arsyeja sipas mendimit tim se rregullat që zbatohen në gjuhët e tjera, si në anglisht, nuk mund të jenë tërësisht njësoj në gjuhë të tjera, sikurse termi “invalid” ka saktësisht të njëjtin konotacion si dhe termi “the disabled” në anglisht, edhe pse fjalët nuk janë përkthyer drejtpëdrejt” 20.
Përdorimi i terminologjisë në tituj
Për 2006, “the disabled” (invalidi) është terminologjia më e përdorur e aftësisë së kufizuar e përdorur në kryetitujt e gazetave në Bosnje Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi. Në shumë raste, edhe me “invalid” në kryetitujt, terminoligjia në shkrim është mikse dhe mund të përdoret termi “invalid” bashkë me një numër termash.
Duke vëzhguar median e shkruar në Bosnje, në artikullin e titulluar “Invalidët në periferi të shoqërisë” (Invalidi na margini drustva) në Dnevni Avaz më 08.10.06, teksti i artikullit përdor termat: invalidët, invalidët dhe tç verbërit, ndërsa “invalidët” përdoret në titull. Ose në “Kompanitë private kundër punësimit të invalidëve” (Domaće tvrtke protiv zapošljavanja invalida) më Dnevni List, 16.06.06, gazetari përdor: invalidë, persona invalidë dhe persona me aftësi të kufizuara në vend të njëri tjetrit. Në një artikull tjetër me titull “Miting proteste: a kanë invalidët të drejtë për jetesë normale?” në gazetën Oslobođenje të datës 09.06.06, edhe pse termi “invalidë” është përdorur në titull, në brëndësi të artikullit, termat: invalid i plotë, invalid lufte, persona 100% invalidë dhe persona me vështirësi në lëvizje janë përdorur të gjithë.
Përveç titujve në të cilët shpesh preferohet të përdoret termi “invalidë”, vetë titujt kanë natyrë shumë provokative. Disa shembuj titujsh ku përdoret termi “invalidë” vijojnë më poshtë:


  • Invalidët përlajnë fondet për fëmijët”; (Invalidi pojeli djeciji doplatak), Oslobođenje, 22.07.06

  • Nuk ka vend për invalidët”; (Nema mjesta za invalide), Dnevni List, 01.06.06

  • Mijëra invalidë në nevojë për ndihmë”; (Hiljadama Invalida Neophodna Pomoc), Nezavisne Novine, 03.12.06

  • Të verbrit përplasen pas shtyllave të reklamave”; (Slijepi udaraju u zeljezo od panoa), Nezavisne Novine, 02.10.06

  • Invalidët: Shteti na ka plagosur më rëndë se lufta”; (Država nas ranjava gore od rata), Dnevni List, 30.06.06

  • Miting proteste: A kanë invalidët të drejtë për jetesë normale? (Protestni skup, imaju li invalidi pravo na normalan zivot), Oslobođenje 09.06.06

  • Invalidët të diskriminuar në të gjitha nivelet”; (Invalidi diskriminsani na svim novoima), Oslobodjenj”e, 30.06.06

  • U ngopëm me përfitime: Protestë nga ana e invalidëve veteranë të luftës përpara ndërtesës qeveritare në Tuzla; Qeveria po i lë pas dore invalidët”; (Dosta nam je profitera: Protest RVI pred zgradom Vlade Tuzlanskog kantona; Vlada ignorise invalide), Oslobođenje, 28.09.06

  • Ushtarët e harruar të Travnikut: Nuk mbahet fryma gjallë me llafe”; (Zaboravljeni travnicki vojnici: Ne zivi se od rijeci), Oslobođenje, 29.94.06

  • Një veteran invalid i luftës shkatërron një ndërtesë në Sapna (Ratni vojni invalid demolirao zgradu Općine Sapna), Oslobođenje, 20.07.06

Megjithatë, në përgjithësi, pjesa më e madhe e artikujve përdor termin “invalid” dhe është e qartë se ky është dhe termi dominues në median e shkruar. Termi tjetër i përdorur mjaft shpesh në shtypin e Bosnjë dhe Hercegovinës është “vetëranë Invalidë lufte”, i ndjekur nga “civilë viktima të luftës” dhe “invalidë jo-lufte”. Këto janë specifike vetëm për Bosnjë Hercegovinën pasi debati I vazhdueshëm mbi statusin e përfitimeve për invaliditet për vetërantët invalidë të luftës dhe viktimat civile të luftës është një çështje e rëndësishme politike. Numri i invalidëve vetëranë të luftës u rrit ndjeshëm në Bosnjë Hercegovinë pas luftës dhe rrjedhimisht u rrit edhe numri i përfituesve të pensioneve të vetëranëve invalidë të luftës. Përveç se kjo u bë një barrë e rëndë financiare për shtetin, këtu qëndron edhe një çështje tjetër e nxehtë, pasi egziston një ndryshim shumë i madh midis përfitimeve që marrin invalidët vetëranë të luftës dhe atyre që marrin të gjithë personat e tjerë më aftësi të kufizuara. Çështja e statusit të invalidit në lidhje me përfitimet nga invaliditeti është një çështje politike që po debatohet aktualisht në Bosnjë Hercegovinë dhe për këtë qëllim ka marrë edhe një nivel të lartë interesimi nga ana e medias së shkruar.


Në Sërbi egziston një situatë e ngjashme ndërkohë që termi ‘invalid’ dominon titujt e gazetave, por në brendësi të artikujve egziston një përzierje inkonsistente e terminologjisë:


  • Diskutime mbi konventën e ardhshme: Beogradi organizator i takimeve të aftësisë së kufizuar”; (Razgovor o Budućoj Konvenciji: Beograd domaćin skupa o iInvalidima), Politika, 21.03.2006

  • Panair punësimi për invalidët” (Sajam zaposljavanja invalida), Danas 21.10.06

  • Edhe invalidëve u pëlqen sporti” (I invalidi vole atletiku), Blic 27.05.06

  • Punësim dhe jo mëshirë: Si ti zgjidhim problemet jetësore të invalidëve” (Zaposlenje, a ne milostinja: Kako rešiti životni problem invalida), Politika, 21.10.2006

  • Tre takime mbi problemet e invalidëve” (Tri skupa o problemima invalida), Politika, 02.03.2006

Ashtu si në Bosnjë Hercegovinë shpesh herë titujt janë provokativë në natyrë:



  • Handikapatët në parlament?” (Hendikepirani u Parlamentu?), Blic, 03.12.06

  • Fëmijë të vetmuar në jashtë vëmendjes” (Usamljena deca: Na sporednom koloseku), Politika, 16.10.2006

  • Jetë në kufirin e mbijetesës: Tryezë e rrumbullakët në Parlamentin e Sërbisë” (Život na ivici egzistencije: Okrugli sto u Narodnoj Skupštini Srbije), Politika, 18.10.2006

  • Edhe invalidëve u pëlqen sporti” (I invalidi vole atletiku), Blic 17.05.06

Megjithatë, egziston një përdorim më i gjerë i termit “persona me aftësi të kufizuara” (osobe sa invaliditetom) në shtypin e shkruar serb, madje edhe nëpër tituj, veçanërisht në gazetën Politika. Për shembull, “Mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara” (Zaštita osoba sa invaliditetom) Politika, 05.01.2006, gjatë gjithë artikullit përdoret termi persona me aftësi të kufizuara. Në mënyrë të ngjashme në artikullin “Nxitje për jetesë të pavarur: Pozita e personave me aftësi të kufizuara (Podstrek za samostalni život: Položaj osoba sa invaliditetom) në Politika më 11.10.2006, si në titull edhe në artikull përdoret termi “persona me aftësi të kufizuara”. Artikulli, “Bizneset kundër paragjykimeve” (Firmom protiv predrasuda), Politika 18.01.2007, është një shembull tjetër i përdorimit të terminologjisë së duhur. Në mënyrë të ngjashme artikulli “Në pritje të 20 firmave: finalizimi i konventës së Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara” (Čekajući 20 potpisa: Završena Konvencija UN o Pravima Osoba sa Invaliditetom), Politika, 18.09.2006 është konsistent në përdorimin e termit persona me aftësi të kufizuara në të gjithë artikullin.


Në vijim disa shembuj të artikujve të botuar në Politika ku përdoret termi “persona me aftësi të kufizuara”:

  • E drejtë e paarritshme: Konferencë e Personave me aftësi të kufizuara (Nepristupačno pravo: Konferencija osoba sa invaliditetom), Politika, 23.02.2006

  • “Mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara” (Zaštita osoba sa invaliditetom), Politika, 05.01.2006

  • “Nxitje për jetesë të pavarur: Pozicioni i personave me aftësi të kufizuara” (Podstrek za samostalni život: Položaj osoba sa invaliditetom), Politika, 11.10.2006

  • “Kontrollet mjekësore për personat me aftësi të kufizuara: Qendra Shëndetësore ‘Dr Milutin Ivkoviç’”(Pregledi osoba sa hendikepom: Dom Zdravlja Dr Milutin Ivković), Politika, 05.12.2006

  • “Sirenat e alarmit: personat me aftësi të kufizuara në statistika” (Zvono za uzbunu: Osobe sa invaliditetom u statistici), Politika, 06.04.2006


Vijueshmëria e terminologjisë
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, në përgjithësi, një nga problemet më të mëdha në shtypin e shkruar është mungesa e vijueshmërisë së termave dhe në një artikull mund të gjenden 5 ose 6 terma të ndryshëm të përdorur për të përshkruar personat me aftësi të kufizuara. Praktikë e njohur është që brënda të njëjtit artikull përdoren lloje të ndryshme termash që demonstrojnë se nuk është e qartë se cili term të përdoret. Përveç të qënit jokonsistentë, përdoren shpesh dhe terma tepër ofendues që përfshijnë: ‘persona të vonuar mendorë’, ‘persona me zhvillim të pamjaftueshëm mendor’, ‘shurdhë’, ‘fëmijë me shqetësime psiko-fizike’ dhe ‘antikapë mendorë’.
Në një artikull të Dnevni Avaz, 06.05.06, me titull “Punë në vend të bamirësisë” (Posao umjesto milostinje), në një shkrim redaksional të shkurtër prej 300 fjalësh, përdoren termat: invalidë, persona invalidë, persona me antikap fizik dhe mendor dhe qytetarë me kufizime fizike dhe mendore, të gjitha brënda të njëjtit artikull. Në një artikull tjetër me titull “Nuk ka vend për invalidët” botuar në Dnevni List, 01.06.06, (Nema mjesta za invalide), përdoret një numër iI madh termash të ndryshëm që përfshijnë: persona më vështirësi lëvizje, invalidë lufte dhe civilë, invalidë veteranë lufte, invalidë në karrike me rrota, të gjymtuar, të tjerë invalidë me vështirësi në lëvizje, dhe së fundi, invalidët. Në artikullin “Qendra shëndetësore për të moshuarit, që strehon 80 persona, në mëshirë të fatit” (Oronula zgrada prijedorske Gerijatrije utočište za 80 lica Zaboravljeni od svih) botuar në Nezavisne Novine, 05/12/2006, termat, i gjymtuar, invalid, persona që nuk lëvizin, persona që nuk lëvizin plotësisht, të gjitha përdoren nga ana e gazetarit. Në një rast tjetër, termat: invalid, fëmijë me shqetësime në zhvillimin e tyre psikik dhe fizik, civilë invalidë të luftës, invalidë jo të luftës, vetëranë invalidë lufte, përdoren të gjitha brënda të njëjtit artikull. [“Invalidët përlajnë fondet për fëmijët”; (Invalidi pojeli djeciji doplatak), Oslobođenje, 22.07.06]. Në artikullin, “Miting proteste: A kanë invalidët të drejtë për jetesë normale?” (Protestni skup, imaju li invalidi pravo na normalan zivot?) Oslobođenje 09.06.06, në brendësi të artikullit gazetari përdor termat në vijim: invalidë të plotë, invalidë veteranë lufte, persona 100% invalidë dhe persona me vështirësi në lëvizje.
Megjithatë, pavarësisht përdorimit të shpeshtë të terminologjisë ofenduesë në shtypin boshnjak, ka shembuj nëpër artikujt e botuar mbi veprimtaritë e OPAK ku gazetarët përdorin terma më të pranueshëm, si për shëmbull ‘persona invalidë’, si për shëmbull në artikullin, “Shoqata e të Amputuarve në fushatë për të drejtat e personave invalidë (Udruzenje amputiraca (UDAS) kampanja za prava osoba s invaliditetom) në Nezavisne Novine, 30.05.06. Në mënyrë të ngjashme në artikullin, “Përmbushja e të drejtave dhe parandalimi i diskriminimit” (Ostvarivanje prava I sprecavanje diskriminacije) në Oslobođenje, 31.10.06, mbi një program trainimi të OPAK-ve lokalë, në të gjithë tekstin përdoret termi, persona invalidë. Megjithatë, edhe në rastet e mbulimit të veprimtarive apo çështjeve që lidhen me OPAK, përsëri egziston një shumëllojshmëri termash në përdorim. Për shembull, në një artikull mbi një tryezë të rrumbullakët për themelimin e këshillit kombëtar të aftësisë së kufizuar, “Konferenca inicuese u zhvillua me qëllim themelimin e këshillit kombëtar për personat invalidë në Bosnjë Hercegovinë: diskriminimi i invalidëve ende vazhdon (Održana inicijalna konferencija s ciljem uspostave državnog vijeća za osobe sa invaliditetom U BiH i dalje prisutna diskriminacija invalida), termat: invalidë, persona invalidë, persona me vonim mendor dhe persona me zhvillim të pamjaftueshëm mendor ende përdoren në këtë artikull. Në mënyrë të ngjashme, në artikullin, “ Pak Përkujdesje për të verbrit: Nesër është dita ndërkombëtare e Bastunit të Bardhë” (Malo brige za slijepe: Sutra Medjunarodni dan bijelog stapa), Oslobođenje, 14.10.06, të verbrit, invalidët dhe antikapët përdoren nga ana e gazetarit. Edhe në artikullin mbi një program të një OPAK-u për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pavarësisht se zëdhënësi i shoqërisë civile në mënyrë të vazhdueshme përdorte gjatë intervistës termin “persona me aftësi të kufizuara”, gazetari përsëri përdorte termin “invalidë” gjatë gjithë tekstit “Punësim për invalidët: Qendrat për ritrainim” (Zapošljavanje invalida: Centri za prekvalifikaciju) në Oslobođenje 06.10.06. Eshtë e qartë nga analiza se advokuesit e aftësisë së kufizuar duhet të punojnë shumë për të përçuar mesazhin e tyre në media për përdorimin e terminologjisë së duhur. Është e qartë se vetë komuniteti i personave me aftësi të kufizuara nuk është i bashkuar për përdorimin e një terminologjie të preferuar pasi vetë ata përdorin një shumëllojshmëri termash që variojnë nga ofendues në autoritarë. Megjithatë nuk është e nevojshme për tu unifikuar rreth një termi të preferuar që mund të përdoret në mënyrë të vazhdueshme nga lobuesit e aftësisë së kufizuar me qëllim parandalimin e konfuzionit më të madh nga ana e merdias. Nga ana tjetër, shtypi i shkruar ka nevojë të zhvillojë një komunikim më të mirë me shoqërinë civile për të siguruar përdorimin e gjuhës së duhur mbi çështjet që lidhen me aftësinë e kufizuar.
Në shtypin serb egziston një situatë e ngjashme ku shumë terma të ndryshëm përdoren brënda të njëjtit artikull shpeshherë duke përdorur edhe terma ofendues e madje edhe të vjetëruar. Në artikullin, ‘Viti i mundësive të barabarta: Parlamenti i Serbisë mbi ndalimin e diskriminimit të invalidëve’ (Godina jednakih mogućnosti: Skupština Srbije o zabrani diskriminacije invalida), Politika, 04.04.2006, termat: antikapë, dëmtime fizike dhe psikologjike, persona me dëmtime, persona invalidë dhe invalidë përdoren të gjitha brënda të njëjtit tekst. Në artikullin, “Heqja e barrierave rrugore për invalidët” (Uklanjanje ulicnih barijera za invalide), Danas, 04.12.06, gazetari përdor dy lloje të ndryshme terminologjie brënda të njëjtës fjali: “Ai e miraton vendimin nga ana e shtetit për shtimin e pagesës së invaliditetit deri në 70% të pagës mesatare në Serbi, si edhe u lejon personave invalidë të importojnë makina të përjashtuar nga pagesa e taksës doganore. Edhe në artikullin mbi punësimin, “Punësim i barabartë për invalidët” (Sajam zaposljavanja invalida) Danas, 21.10.06, gazetari përdor herë termin “invalid” dhe herë termin “personat me aftësi të kufizuara”. Në artikullin , “Jetë në kufij të egzistencës: Një tryezë diskutimi në parlamentin Serb” (Život na ivici ëgzistencije: Okrugli ato u Narodnoj Skupštini Srbije), Politika, 18.10.2006, “antikapët, “invalidët” dhe “të gjymtuarit” përdoret në të gjithë tekstin. Edhe më i dukshëm është në artikullin, “Viti i Mundësive të Barabarta: Parlamenti i Serbisë mbi ndalimin e diskriminimit të invalidëve” (Godina jednakih mogućnosti: Skupština Srbije o zabrani diskriminacije invalida), Politika, 04.04.2006, i cili flet për anti-diskriminimin dhe mundësitë e barabarta, por përdor terminologjinë vijuese fyese: antikapët, invalidët, dëmtime fizike dhe psikologjike, personat e dëmtuar, si edhe personat me paaftësi. Në artikull citohet një qeveritar që thotë: “ nëse shteti nuk u jep atyre (personave me aftësi të kufizuara) akses në edukim të barabartë me të tjerët, këta persona të dëmtuar do të mbeten antikapë dhe të marxhinalizuar.” Jo vetëm kjo deklaratë është fyese, por vetë zyrtari qeveritar dukshëm nuk i njeh çështjet e aftësisë së kufizuar nga prespektiva e të drejtave të njeriut veçanërisht kur përdor terminologji të tillë të papërshtatëshme.
Pavarësisht nga fakti që po përdoret më shumë termi “personat me aftësi të kufizuara” në kryetitujt në Serbi, shumë prej artikujve u mungon qëndrueshmëria në terminologji në përmbajtjen e tekstit ku përfshihen terma fyes. Për shembull, në artikullin “ Kujdes nga 2 në 15 ditë: Qendra e parë për strehimin afatshkurtër për personat me aftësi të kufizuara në Vojvodinë” (Nega od dva do 15 dana: Prvioobjekat za kratkotrajni smeštaj osoba sa invaliditetom u Vojvodini), Politika 13.09.2006, gazetari përdor një miks të termave që vijojnë: persona me të meta mendore, persona me aftësi të kufizuara, persona me një antikap. Po kështu në artikullin, “Përgatisin valixhet vetëm kur duhet: personat me aftësi të kufizuara si turistë” (Pakuju kofere samo kad moraju: Osobe sa invaliditetom kao turisti), Politika, 22.08.2006, përdoren një miks termash përfshirë personat me antikape fizike dhe mendore. Pra, pavarësisht se në titull përdoret termi “personat me aftësi të kufizuara”, mungesa e vijimësisë në terminologji vijon në brendësi të tekstit.
Në artikujt në lidhje me aktivitetin e OPAK në Serbi, gazetari tenton të përdorë “personat me aftësi të kufizuara” në titull dhe në tekst terma të tillë si, “Një e drejtë e paaksesueshme: Konferencë e Personave me Aftësi të Kufizuara” (Nepristupačno pravo: Konferencija osoba sa invaliditetom) në Politika më 23.02.2006. Po kështu në artikullin “Tek Doktori pas dy dekadash: Çfarë sjellin Shërbimet e asistencës personale” (Kod lekara posle dve decenije: Šta donosi služba personalnih asistenata), mbi një projekt të drejtuar nga OPAK, Politika e datës 4.01.2006, gazetari përdor të njëjtën terminologji. Një shembull tjetër pozitiv të përdorimit të së njëjtës terminologji në artikull, “Universitete të paaksesueshme: pozicioni i studentëve me aftësi të kufizuara” (Nedostupni Fakulteti: Položaj Studenata s Hendikepom) në Politika më 07.06.2006, që i referohet një studimi të ndërmarrë nga OPAK mbi aksesin në arsimin e lartë për studentët me aftësi të kufizuara. Përdorimi më i shpeshte i terminologjisë gjatë pasqyrimit të aktivitetit të OPAK tregon se kur ka një komunikim të mirë mes medias dhe shoqërisë civile, ka edhe një përdorim më të mirë të terminologjisë mbi personat me aftësi të kufizuara.
Përdoret gjithashtu në median e shkruar termi “personat me një antikap” (osobe sa hendikepom), i cili është një term që preferohet nga disa pjestarë të lëvizjes së aftësisë së kufizuar, pasi ai nuk përdor fjalën “invaliditet” që ka në rrënjë fjalën “invalid”. Goran Plavlovic i Shoqatës së Studentëve me Aftësi të Kufizuara (ADS) të Serbisë shpjegon se përse ata prefrerojnë termin “personat me një antikap” (osobe sa hendikepom).
Shoqata e Studentëve me Aftësi të Kufizuara (ADS) ka realizuar 9 fushata mediatike. Në të gjitha ato ata targetuan median dhe përdorën të njëjtën terminologji. Drejtori Egzekutiv, Goran Pavlovic, është shumë i dukshëm në media, duke dalë shpesh në media, dhe sipas tij, përdor çdo mundësi që i jepet për të shpjeguar terminologjinë.
«Të dy termat 'personat me aftësi të kufizuara' dhe 'personat me antikap' janë të sakta, pasi të dyja e vënë theksin tek 'personi', dhe antikapi ose aftësia e kufizuar nuk kanë aq rëndësi. Personi është kryesori, qënia njerëzore me tërësinë e karakteristikave personale.
Termi që nuk rekomandohet absolutisht është «i paaftë/invalid», që përkufizohet si 'invalid, i pazakontë, pa vlerë'.
Përse antikap? Pasi ndërsa «aftësi e kufizuar» sinjalizon një mungesë të plotë ose të pjesshme të një funksioni, termi «antikap» nënkupton një gjendje në të cilën ndodhet personi, vetëm për shkak të aftësisë së kufizuar midis faktorëve të tjerë. E thënë kështu fokusi qëndron tek të drejtat e njeriut, tek barazimi i mundësive dhe tek përfshirja. Ne ndjejmë gjithashtu se ky term, personat me antikape, thekson më shumë aspektin e tij social, ndërsa termi 'personat me aftësi të kufizuara' thekson një aspekt më personal të situatës sonë'
Goran Pavlovic përdor zakonisht një paralelizëm për të nxjerrë në pah të drejtat e njeriut dhe barazimin e mundësive ashtu siç kuptohet nga publiku i gjerë. I pari përfshin basketbollistin Vladi Divac: ne të dy kemi një antikap: unë nuk mund të zëvendësoj llampën pa ndihmën e karriges, ndërkohë që ai nuk mund të hyjë në një Peglica (makinë e përmasave të vogla) dhe të ngasë atë në mënyrë komode.
Fjala antikap i ka fillesat në garat me kuaj që zhvilloheshin në shekullin e XVII. Kujt më të rinj dhe më të fuqishëm u jepeshin kalorësve më të rëndë, ndërkohë që kuajt më të vjetër dhe më të dobët konsideroheshin se kishin një antikap dhe u jepeshin kalorësve me peshë më të lehtë. Qëllimi ishte arritja e barazimit të mundësive në zyrat e basteve. Prandaj dikush me antikap nuk gëzon mundësi të barabarta dhe këtu nuk flasim vetëm për aspektin fizik.
Përsa i përket përfaqësuesve të medias, përpjekja ime e vazhdueshme është të arrijë një raportim sa më pozitiv lidhur me çështjet e aftësisë së kufizuar. Aktualisht, nëpër lajme përdoret modeli mjeksor, që e vë theksin tek dëmtimi, difektet dhe kufizimet, ajo çka ne nuk mund ta kemi, ndërkohë që kritikohen të tjerët për mos plotësimin e nevojave tona. Përkundrazi, duhet të ketë lajme më pozitive mbi atë çfarë ne kemi arritur, çfarë unë mund të bëj, gjëra apo vende ku unë mund të sjellë ndryshim.
Në Malin e Zi, ashtu si në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi, shumica e titujve përdorin gjithashtu termin ‘invalid’, si për shembull në artikullin “ Ndërtimi i aksesit për invalidët” (Uradjen prilaz za invalide) botuar në Dan, 16.12.06. Përveç përdorimit të gjerë të termit ‘invalid’ në tituj, jo ndryshe nga Serbia dhe Bisnje-Hercegovina, përdorimi i termave brenda artikujve është inkonistent. Për shembull “ Qeveria nuk i dëgjon problemet e shurdhëve” (Vlast ne cuje probleme gluvih) botuar në Dan, 09.26.06, gazetari përdor termat: persona me dëmtime dëgjimi, persona shurdh, si edhe shurdh dhe persona me vështirësi dëgjimi. Në artikullin tjetër “Instalohet platformë e pjerrët për personat përdorues të karrigeve me rrota” “(Postavljena rampa za osobe sa kolicima), botuar në Pobjeda, më 10.11.06, gazetari krahason “studentët e zakonshëm” me “studentët me nevoja speciale”. Në «Shteti duhet të kujdeset më shumë: Një seminar i realizuar për personat me aftësi të kfufizuara» ” (Država da povede više računa: Održano predavanje za osobe sa invaliditetom), Dan, 21.11.06, pavarësisht nga fakti se termi persona me aftësi të kufizuara është përdorur në titull dhe të intervistuarit përdorin të njëjtën terminologji, gazetari gjithashtu përdor termin personat me nevoja të veçanta, dhe persona me zhvillim të frenuar psiko-fizik në të gjithë tekstin.
Sikurse dhe në BH dhe Serbi, titujt janë shpesh bombastik duke i trajtuar personat me aftësi të kufizuara si objekte:


  • Shëtitje në det për 260 invalid ”, (Krstarenje Bokom za 260 invalida) Vijesti, 11/04/200

  • Shfaqje në video për antikapatët”, (Video bim za hendikepirane) Pobjeda, 28/07/200

  • Invalidët filluan grevën e urisë”, (Invalidi počeli štrajk glađu) Vijesti, 31/03/200

  • Taksa më të ulëta kur punëson një invalid”, Vijesti, (Manji porez ako se zaposli invalid) 07/04/200

  • Shurdhmemecët përgatisin kartolina”, (Gluvonemi prave čestitke Dan), 16/11/2006

  • Invalidët përgatisin suvenire”, (Invalidi prave suvenire), Dan, 14/06/200

  • Në tre vjet kanë vdekur 40 punonjës invalidë ”, (Za tri godine umrlo 40 invalida rada), Dan, 22/04/2006

Në Malin e Zi, megjithatë, kishte një prezencë më të lartë të terminologjisë mjeksore në median e shkruar, të tillë si : 'pacientët' dhe 'fëmijët në institute' dhe termat si ' çrregullime' të përdorura për të përshkruar dëmtimet. Për shembull në artikullin mbi edukimin përfshirës « Kopshte për të Gjithë» (Obdaniste za sve) in Dan on 20.01.06, difektologu shpjegon proçesin e tranzicionit drejt një klase të zakonshme si një “trajtim që duhet të jepet nga difektologu, terapisti i të folurit dhe psikologu”. Në një artikull tjetër mbi edukimin përfshirës, një ekspert kombëtar i kësaj fushe shpjegon se ka katër ‘ç’rregullime’ për tu vlerësuar dhe identifikuar me qëllim përfshirjen në sistemin shkollor dhe ato janë : verbëria, mungesa e dëgjimit, antikapi mendor dhe intelektual.


Fëmijët me aftësi të kufizuara: Konfuzioni me termat

Në të tre vendet, ka një konfuzion të madh me termat që lidhen me fëmijët me aftësi të kufizuar, veçanërisht kur shkruhet për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale. Për ta ilustruar me tej këtë konfuzion, listat e termave që përdoren më shpesh është e gjatë dhe e shumëllojshme dhe përbëhet prej:




  • Fëmijë me nevoja speciale arsimore

  • Fëmijë me zhvillim të frenuar psiko-fizik

  • Fëmijë me vështirësi në zhvillim

  • Fëmijë me çrregullime dhe difekte

  • Fëmijë me dëmtime të lehta në zhvillimin mendor

  • Fëmijë dhe të rinj me vështirësi në zhvillim

  • Fëmijë me mungesa dhe shqetësime

Një konkluzion i rëndësishëm lidhur me terminologjinë në BH është shpeshtësia e madhe e termit “fëmijë me nevoja speciale”. Termi përdoret më shpesh në artikuj që lidhen me arsimin dhe reformat e arsimit përfshirës ose në artikuj për Qendrat e Kujdesit Ditor. Kur iu referohen fëmijëve me aftësi të kufizuara egziston tendenca që në vend të saj të përdoret termi “fëmijë me nevoja speciale.” Tendencë tjetër është përdorimi i termit fëmijë me nevoja speciale për t’ju referuar fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale. Në disa artikuj termi përdoret në lidhje me terma të tillë si, vështirësi zhvillimi dhe persona me zhvillim të pamjaftueshëm mendor. Në artikullin “Kopshti i parë për fëmijët me nevoja speciale” (Prvi vrtic za djecu s posebnim potrebama), Nezavisne novine, 09.09.06, termat ‘fëmijët me nevoja speciale’ dhe ‘personat me zhvillim të pamjaftueshëm mendor’ përdoren në vend të njëra tjetrës në të gjithë tekstin. Në një artikull tjetër për një kopësht për fëmijë me aftësi të kufizuara, “Kopshti Marija Mazar është bosh” (Vrtic Marija Mazar prazan), Nezavisne novine, 12.10.06, përdoret termi të vegjël me nevoja speciale, fëmijë me nevoja speciale dhe fëmijë me vështirësi zhvillimi. Në një artikull tjetër, “Kush ka nevojë për të?” (Kome to odista treba?), Oslobođenje, 29.10.06, mbi arsimin përfshirës, terminologjia është shumë mikse dhe përfshin: fëmijë me nevoja speciale, fëmijë me vështirësi të mësuari, fëmijë me vështirësi të caktuara, fëmijë me një nivel të caktuar kapaciteti dhe fëmijë me vështirësi në zhvillim dhe në mësim.


Megjithatë, ka konfuzion lidhur me termin pasi është e paqartë se si përdoret ky term dhe kujt i referohet. Për shembull, në artikullin mbi arsimin përfshirës, “bëjmë një punë të përgjegjshme, por edhe shpërblyese” (Radimo odgovoran ali i prekrasan posao), në Reporter, 27.09.06, ndërkohë që në njërën anë është i qartë se termi “fëmijë me nevoja speciale” në këtë artikull i referohet fëmijëve me vështirësi të mësuari, mësuesi i intervistuar shpjegon se fëmijët me nevoja speciale përfshijnë fëmijët me dëmtime të foluri dhe fëmijët që nuk dëgjojnë. Edhe pse në shumicën e artikujve termi nënkupton se fëmijët me nevoja të veçanta janë fëmijë me vështirësi në të mësuar, nuk bëhet e qartë nëse termi përdoret për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara apo vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale.
Në mënyrë të ngjashme, në artikullin me titull “Ndihmë familjeve” (Pomoc obiteljima), në Dnevni Avaz, 29.10.06, termat Autizëm, shqetësime komplekse zhvillimi dhe fëmijë me vështirësi zhvillimi përdoren në të njëjtin artikull. Në artikullin, “Një dhomë e veçantë për fëmijët me autizëm” (Specijalna soba za decu sa Autizmom), Blic, 17.02.08, përdoren shumë terma të ndryshëm brënda një pasazhi shumë të shkurtër që përfshijnë: fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë invalidë, fëmijë me nevoja speciale, fëmijë me vështirësi në zhvillim. Në artikullin, “Fëmijë të vetmuar jashtë vemendjes” (Usamljena deca: Na sporednom koloseku), Politika, 16.10.2006, në artikull përdoren termat e mëposhtëm: fëmijë me shqetësime në zhvillim, fëmijë me anticap, fëmijë me shqetësime të shumëllojshme dhe fëmijë të shëndetshëm. Në mënyrë të ngjashme në artikullin, “Sirenat e alarmit: personat invalidë në statistika” (Zvono za uzbunu: Osobe sa invaliditetom u statistici), Politika, 06.04.2006, termat: fëmijë me shqetësime psiko-fizike, dhe fëmijë me funksione mendore të dëmtuara përdoren për të përshkruar fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale.
Lidhur me fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale në Serbi, terminologjia është tepër mikse dhe nuk ka terma konsistentë të përdorur në shtypin e shkruar. Plus kësaj, terminologjia e përdorur nga gazetarët është tepër poshtëruese. Terma të tillë si vonim mendor, personat me zhvillim mendor të pamjaftueshëm, dhe shqetësime zhvillimi komplekse përdoren si nga gazetarët ashtu edhe nga profesionistët, autoritetet dhe madje edhe nga prindërit e intervistuar nga shtypi i shkruar. Për shembull, në artikullin, “Fëmijë të vetmuar jashtë vemendjes” (Usamljena deca: Na sporednom koloseku) in Politika on 16.10.2006, nëna e një fëmije me aftësi të kufizuara intelektuale citohet të përdorë termat: fëmijë me ç’rregullime në zhvillim dhe fëmijë më çrregullime të ndryshme në zhvillim. Ose në artikullin, “Për hyrjen e defektologëve në shkolla: nga nën komiteti parlamentar për të drejtat e fëmijëve” (Za ulazak defektologa u škole: Sa skupštinskog pododbora za prava deteta) të gjitha termat e mëposhtme janë përdorur: fëmijë me vështirësi zhvillimi, persona me nevoja speciale, fëmijë me antikap, invalidë, fëmijë me nevoja normale, fëmijë me çrregullime të sjelljes, fëmijë me çrregullime të lehta në zhvillim dhe fëmijë me çrregullime të sjelljes.
Egziston gjithashtu një konfuzion mjaft i madh lidhur me termat që përdoren për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale edhe në shtypin e Malit të Zi. Në të 89 artikujt e shqyrtuar egziston një numër mjaft i madh termash që përdoren nga ana e gazetarëve për të përshkruar fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale dhe shpesh mund të gjenden disa terma të ndryshëm edhe brënda të njëjtit artikull. Për shëmbull, në artikullin, “Seminar edhe për prindërit” (Predavanja i za roditelje), Vijesti, 30.10.06, fëmijë me vështirësi në zhvillim, fëmijë me nevoja speciale dhe fëmijë me deficienca dhe shqetësime përdoren në vend të njëra tjetrës brënda këtij artikulli të shkurtër. Në mënyrë të ngjashme në artikullin, «Integrimi i fëmijëve me nevoja speciale» (Integracija djece sa posebnim potrebama) në Pobjeda, 03.06.06, në tekst përziehen fëmijët me nevoja speciale, fëmijët me aftësi të ulura intelektuale dhe fizike, fëmijë me vështirësi në zhvillim.
Egziston gjithashtu tendenca në median e shkruar në Bosnjë, Serbi dhe Malin e Zi për të krahasuar personat me aftësi të kufizuara me “personat e shëndetshëm” ose “personat normalë”. Terma të tillë si “invalid” dhe “popullsia e shëndetshme” përdoren shpedh në lidhje me njëra tjetrën. Për shembull, në një shkrim nga Bosnja të titulluar ”Ju luani për atdheun” (Za domovinu se igra), transkript i një interviste radiofonike në Dani i datës 08.07.05, me anëtarë të ekipit kombëtar të volejbollit të personave me aftësi të kufizuara të Bosnjës , gazetarja pyeti një prej lojtarëve: “A jeni persona normalë?”. “A keni bashkëshorte, familje dhe miq? Ajo më pas vazhdoi të pyesë, “ Nëse ju mund tia dilni, a mund të themi të njëjtën gjë për personat e shëndetshëm, për ata pa antikap.” Disa tekste përshkruajnë marrëdhënien mes “Popullsisë së shëndetshme” dhe popullsisë “jo të shëndetshme” siç ndodh në shkrimin nga Serbia “Antikapët në Parlament? (Hendikepirana u Parlamentu?), në Blic të datës 03.12.06?” ku në këtë shkrim gazetari përshkruan një shkollë për fëmijët me aftësi të kufizuara: ”Në Beograd, për shembull, ka vetëm një shkollë për të mbështetur fëmijët e verbër dhe ata që nuk lëvizin duke iu ofruar atyre mundësinë për ta kaluar fëmijërinë e tyre në shoqërinë e fëmijëve të tërësisht të shëndetshëm. Për ta, kjo është e vetmja mundësi për tu ndierë të barabartë në të ardhmen, gjë që përbën bazat e një jetë të shëndetshmë sociale.” Ose, në shkrimin “Fëmijë të vetmuar jashtë vemendjes” (Usamljena deca: Na sporednom koloseku) në Politika të datës 16.10.2006, autori shkruan “Jeta me një fëmijë me handicap është jashtëzakonisht e vështirë…. Ky fëmijë ka shumë të ngjarë të flakë objektet që i dalin përpara dhe të krijojë një rrëmujë të pakontrolluar. Një fëmijë i shëndetshëm dhe aktiv është diçka, por hipeaktiviteti i një fëmije me shqetësime të shumëfishta në zhvillimin e tij është diçka krejt tjetër”. Një tjetër shembull ilustrues e gjejmë në shkrimin “Mungesa e të kuptuarit nga ana e prindërve: “Më shumë fëmijë romë me nevoja të veçanta në kopshte” (Nerazumevanje roditelja: Više Roma i dece sa posebnim potrebama u vrtićima), Politika, 24.08.2006, në të cilin drejtoresha e një OJQ-je që punon mbi një iniciativë për arsimin përfshirës i përshkruan fëmijët me aftësi të kufizuaara në shkollë së bashku me “fëmijët plotësisht të shëndetshëm”. Më pas ajo vazhdon të shpjegojë se është e nevojshme që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë klasat e tyre, pasi ata janë shumë agresivë dhe duhet të shoqërohen me “bashkëmooshatarët e tyre të shëndetshëm” për një orë në ditë.
Në raste të tjerta, personave me aftësi të kufizuara u referohen në shkrime si, “ata persona”. Përdoren gjithashtu terma të tjerë pavetorë të tillë si “100% invalidë” ose “60% invalidë” duke iu referuar një individi ose një grupi. Kështu ndodh në shkrimin e titulluar “Një invalid 100% trainon polivcin për tu zhytur “ (Stopostotni invalid obučava i policijske ronioce) në Dnevni Avaz nga 04.09.06. përveç se është shumë pavetore, kjo terminologji jep një model shumë mjekësor të aftësisë së kufizuar, pasi kjo është mënyra se si klasifikohen personat me aftësi të kufizuara sipas komisionit mjekësor që vlerëson kapacitetin e tyre për të punuar dhe përfitimet që rrjedhin prej tij.
Në të tre këto vende duket qartë mungesa e vijimësisë së përdorimit të terminologjisë së aftësisë së kufizuar në median e shkruar, por termi “invalid” është përdorur më shpesh sesa të tjerët, veçanërisht në titujt e shkrimeve. Ndërsa disa media përdorin terma neutralë të tillë si “persona me aftësi të kufizuara” ka ende një numër të madh gazetarësh që përdorin terma depersonalizues të tillë si “të paaftë” ose “handikapë”. Duke qenë se titujt shihen më shumë, kjo praktikë mund të ndihmojë për të futur përdorimin e këtij termi në media edhe nga publiku i gjerë. Niveli i lartë i terminologjisë ofenduese ose depersonalizuese nxjerr në pah nevojën që gazetarët të jenë më të ndërgjegjshëm për gjuhën e përshtatshmë për aftësinë e kufizuar. Megjithatë, më shqetësuese është mungesa e përgjithshme e vijimësisë mbi termat, gjë që tregon për një konfuzion të dukshëm mbi gjuhën për aftësinë e kufizuar dhe mungesën e konsensusit publik mbi terminologjinë e duhur.
Ndryshimi i gjuhës që përdoret në media
Ka një numër shembujsh pozitivë të shkrimeve që përdorin terminologjinë e duhur. Praktikat e mira janë zakonisht të shkruara nga advokuesit e aftësisë së kufizuar ose nga ata që kanë intervistuar pjesëtarë të lëvizjes së aftësisë së kufizuar, ose kur gazetari ka një njohuri të përgjithshme mbi çështjet që lidhen me aftësinë e kufizuar nga perspektiva e modelit social. Advokuesit e aftësisë së kufizuar në rajon kanë përgjegjësinë e madhe për ti treguar medias se çfarë gjuhe ata duan që të përdoret dhe të këmbëngulin që kjo gjuhë të përdoret gjithmonë. Në këtë mënyrë ata do të ndihmojnë për të realizuar ndryshime afatgjata në mënyrën se si përdoret nga media e shkruar terminologjia mbi aftësinë e kufizuar. Nga ana tjetër, është e qartë që gazetarët, redaktorët dhe profesionistë e tjerë të medias kanë nevojë të trainohen rreth terminologjisë së aftësisë së kufizuar për të ditur se cila terminiologji është e saktë. Përgatitja e një pakete informuese që targeton profesionistët e medias do të ishte një zgjedhje e mençur. Përveç kasaj, ka nevojë për investime në trainimin e zëdhënësve të medias brënda lëvizies së aftësisë së kufizuar për të garantuar përdorimin e terminologjisë së duhur.
Më poshtë jepen disa praktika të mira në përdorimin e terminologjisë së duhur:
PËR LËVIZJE TË LIRË DHE PAVARËSI” (ZA SLOBODNO KRETANJE I SAMOSTALNOST), Danas, 16.10.06
Bastuni i Bardhë, Shoqata e Personave të verbër dhe dëmtime shikimi, organizoi një veprimtari ditën e shtunë të titulluar “Të ecim së bashku” me synim nxitjen e të drejtave të barabarta për lëvizje të lirë dhe pavarësi. Iniciativa u organizua me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bastunit të Bardhë, me qëllim që të nënvizonte rëndësinë e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në komunitetin e gjerë social. Presidentja e Shoqatës “Bastuni i Bardhë” Vesna Nestorović, tha për median se motivi i kësaj veprimtarie është të nxjerrë në pah partneritetin midis personave me aftësi të kufizuara dhe shtetit në zgjidhjen e problemeve të personave me aftësi të kufizuara. Nestorović tha se veprimtaria “Të ecim së bashku” kërkon të tërheqë vëmendjen ndaj harresës gjatë rikonstruktimit të rrugës Nemanjina në Beograd. Ajo theksoi se shoqatat e personave me aftësi të kufizuara u përpoqën të shpjegojnë se si trotuaret për personat e verbër duhej të ishin ndërtuar në një mënyrë të tillë që të ishin të përdorëshme nga e gjithë popullata, por askush nuk i kushtoi vëmendje dhe për shkak të lartësisë së tyre personat me aftësi të kufizuara nuk mund ti përdorin këto rrugë për të ecur të pavarur. Ajo përmendi gjithashtu edhe një problem tjetër me të cilin përballen personat e verbër dhe me dëmtime shikimi – është mungesa e personelit që do të mund të asistonte për të trainuar personat për të lëvizur në mënyrë të pavarur- Instruktorët e Orientimit dhe Lëvizjes. Ajo tha gjithashtu se ishte bërë një propozim për të realizuar një trainim të personelit lokal në Kroaci. Veprimtaria nisi në sheshin Slavia ku u mblodhën rreth 50 persona me aftësi të kufizuara. Përballë Qendrës Kulturore të Studentëve në Beograd ata organizuan simulimin e kalimit të rrugës me sy të lidhura dhe me shkop, ecjen e pavarur në trotuar për personat e verbër dhe me dëmtime shikimi dhe kalimin e rrugës me karrocë.
GJITHSHKA VARET NGA DËSHIRA E MIRË E AUTORITEVE LOKALE” (SVE ZAVISI OD DOBRE VOLJE LOKALNE VLASTI), Danas, 25.10.06.


Yüklə 0,62 Mb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə