Titulli I Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl



Yüklə 0,8 Mb.
səhifə5/12
tarix06.02.2018
ölçüsü0,8 Mb.
#26135
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12

27- Zbutja e epshit me agjërim

Ibn Mesudi (r.a.) përcjell se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “O të rinj! Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, pasi kjo ndihmon për uljen e shikimit dhe për ruajtjen e nderit. Por kush nuk e ka këtë mundësi, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi e shuan epshin."229

Gjithashtu, Xhabir Ibn Adilahi (r.a.) përcjell se, një burrë në moshë të re shkoi tek i Dërguari (a.s.) dhe i kërkoi që ta lejonte të tridhej. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro dhe lute Allahun që të të japë nga mirësitë e Tij".230

Abdulla Ibn Amri (r.a.) tregon: “Një burrë shkoi tek i Dërguari (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari Allahut, më lejo që të tridhem!” I Dërguari (a.s.) i tha: “Për umetin tim, ‘tredhja’ është agjërimi dhe namazi i natës".231



Dobi dhe rregulla

E para: Dëshira e madhe që kishin sahabët (r.a.) për t’iu bindur Allahut të Lartësuar, frika e kundërshtimit të Tij, pyetja për çështjet e fesë dhe ambicia e tyre për botën tjetër.

E dyta: Ndalimi i tredhjes për ndërprerjen e epshit. Kjo vepër është haram.

E treta: Ai që do të martohet, por nuk ka mundësi, i lejohet të përdorë barna që frenojnë epshin, bazuar në urdhrin e Profetit për kurimin nëpërmjet agjërimit.232

E katërta: Vlera e martesës për ata që kanë mundësi. Martesa është ibadet dhe mirësi nga Allahu i Lartësuar.

E pesta: Ai që nuk ka mundësi për martesë, duhet të bëjë lutje, t’i kërkojë Allahut t’i japë prej mirësive të Tij dhe, njëkohësisht, duhet të agjërojë derisa t'ia mundësojë Allahu.

E gjashta: Tradita e Pejgamberit (a.s.) ishte të kënaqej me gjërat e këndshme dhe të lejuara, qofshin ushqime, pije apo edhe martesa. Kush i braktis këto gjëra me pretekstin e devocionit dhe ibadetit është në kundërshtim me Sunetin e Pejgamberit (a.s.).

28- Numri i rekatëve të teravive.

Aishja (r.a) tregon: “Pejgamberi (a.s.) nuk falte më tepër se njëmbëdhjetë rekatë namaz nate, as në ramazan dhe as në muajt e tjerë. Ai falte katër rekatë, - mos e pyet sa mirë e sa gjatë, - më pas falte sërish katër rekatë, - mos e pyet sa mirë e sa gjatë, - pastaj falte tre rekatë. I thashë njëherë: O i Dërguari Allahut, a fle gjumë para se të falësh vitrin?” – “O Aishe, sytë e mi flenë, por zemra ime nuk fle!” – m’u përgjigj ai".233

Në një variant tjetër po tek Buhariu dhe Muslimi shënohet: “I Dërguari (a.s.) falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë, tek të cilët përfshihej vitri dhe dy rekatët e sabahut."234

Musruki (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “E pyeta Aishen (r.) për namazin e të Dërguarit (a.s.) gjatë natës. Ajo tha: “Falte shtatë, nëntë ose njëmbëdhjetë rekatë, përveç dy rekatëve të sabahut".235

Ibn Abasi (r.a.) thotë: “I Dërguari (a.s.) falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë namaz".236

Abdurrahman Ibn Hurmuz E’arexhi ka thënë: “Njerëzit që kam gjetur, që kur i mbaj mend, i mallkonin qafirat në lutje gjatë namazit të taravive në ramazan. Kënduesi që u printe njerëzve në namaz lexonte suren Bekare në tetë rekatë. Po ta lexonte për dymbëdhjetë rekatë, njerëzit mendonin se e kishte falur namazin shkurt".237



Dobi dhe rregulla

E para: Namazi i Profetit (a.s.) gjatë natës në ramazan ishte i njëjtë me atë në muajt e tjerë.238

E dyta: Një veçori e profetëve është se atyre iu flinin sytë, por jo zemrat, prandaj ëndrrat e profetëve ishin të vërteta.239

E treta: Dijetarët janë në ixhma (një mendje) se namazi i natës në Ramazan dhe jashtë tij është i gradës sunet. Masa e tij nuk është e përcaktuar, prandaj sipas dëshirës, dikush zgjat qëndrimin në këmbë dhe shkurton numrin e rekatëve, e dikush tjetër shkurton qëndrimin në këmbë dhe shton rekatët.240

E katërta: Tradita e Pejgamberit në faljen e namazit të natës, në Ramazan dhe jashtë tij, ishte qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe sexhde, duke mos falur më tepër se njëmbëdhjetë rekatë. Kjo është më mirë se të falesh shkurt e të shtosh numrin e rekatëve.241

E pesta: Kishte raste kur Profeti (a.s.) falte më tepër se njëmbëdhjetë rekatë, pra falte trembëdhjetë rekatë. Ndoshta falte edhe më pak, si shtatë ose nëntë rekatë, bazuar në hadithe të tjera. Ndërsa Aishja (r.a.) tregon se si vepronte më së shumti Profeti (a.s.), që praktika e tij e rregullt ishte të mos i kalonte njëmbëdhjetë rekatë .242

E gjashta: Profeti (a.s.) jepte selam pas dy rekatëve. Ndërsa falja e katër rekatëve - ose më shumë - me një selam bie ndesh me traditën e vazhdueshme të tij. Bazë për këtë është fjala e Aishes (r.a.) kur përshkruan namazin e Profetit (a.s.) gjatë natës: "Ai jepte selam pas dy rekatëve dhe përfundonte me një rekat tek".243

Gjithashtu, Profeti (a.s.) ka thënë: "Namazi i natës është dy e nga dy."244 Këtu nuk bën fjalë për namazin e vitrit, sepse muslimani mund ta falë vitrin tre ose pesë rekatë, duke u ulur për teshehud veçse në fund të tyre, siç përcillet në hadithin e Aishes (r.a.), e cila thotë: “I Dërguari i Allahut falte gjatë natës trembëdhjetë rekatë, nga të cilët pesë i kishte vitër. Në vitër ai ulej për teshehud veçse në fund".245

E shtata: Sahabët dhe tabiinët - Allahu qoftë i kanaqur prej tyre! - e zgjasnin namazin e teravive. Kjo ishte tradita e tyre në Medinë, siç dëshmon tabi’ini i nderuar Adurrahman Ibn Hurmuz - Allahu i Lartësuar e mëshiroftë!

E teta: Lejohet mallkimi dhe lutja kundra qafirëve në duanë e kunutit, në namazin e teravive, qoftë ndaj atyre me të cilët kemi pakt sigurie, qoftë ndaj atyre që nuk kemi të tillë pakt, sepse ata e meritojnë për shkak të kufrit të tyre. Megjithatë, kjo nuk është e detyrueshme. Tradita e Pejgamberit në këtë çështje është t’i lutemi Allahut kundra kafirëve me të cilët jemi në gjendje lufte, t'i shkatërrojë e t'i ndëshkojë, ndërsa për ata me të cilët kemi marrëdhënie paqësore apo që shpresohet hyrja e tyre në islam t’i lutemi Allahut që t'i udhëzojë e t'i drejtojë.246

E nënta: Gjatë Ramazanit, sahabët dhe tabiinët në Medinë, lutjen që bënin kundra qafirëve në kunut e bazonin në duanë e kunutit të Profetit (a.s.) në rastet e fatkeqësive për vrasjen e kënduesve të Kuranit nga fiset Riël, Dhekuan, Beni Lahjanë dhe Usajetu.247 Banorët e Medinës e bënin një gjë të tillë nga gjysma e Ramazanit deri në fund të tij248.

E dhjeta: Lutja kundra qafirëve që bëhet ditën e xhuma, në pjesën e dytë të hutbes, bazohet në veprën e sahabëve dhe tabi’inëve të mëdhenj, në Medine, të cilët i mallkonin qafirat kur bënin duanë e kunutit. Hafidh Ibn Abdulberri (Allahu e mëshiroftë!), mbas konfirmimit të këtij përfundimi, thotë: “A’rexhi ka patur mundësinë të arrijë një numër të konsiderueshëm sahabësh dhe tabi’inësh të mëdhenj. Prandaj, kjo do të thotë se kështu veprohej në Medinë”.249



29- Kur e prish agjërimin udhëtari?!

Xhaferr Ibn Xhebri rrëfen: “Njëherë, hipa bashkë me Ebu Besra El Gifarin, një shok i Pejgamberit (a.s.), në një anije nga qyteti i Fustatit (në Egjipt), në muajin e Ramazanit. Sapo hipi dhe u nis anija, ende pa i kaluar shtëpitë, ai kërkoi që t'i shtrohej sofra e ushqimit. Pasi u shtrua sofra, më ftoi për të ngrënë, por unë i thashë: "A nuk i sheh shtëpitë?! " Ebu Besra tha: "Si kështu, po i largohesh sunetit të të Dërguarit të Allahut (a.s.)?!” Xhaferri tregon më pas se Ebu Basre hëngri.250

Përcillet nga Muhamed Ibn Kabi se ka thënë: “I shkova Enes Ibn Malikut në Ramazan, kur donte të udhëtonte, ndërsa kafshën e kishte të përgatitur për udhëtim. Ndërkohë që veshi rrobat e udhëtimit, kërkoi t'i jepej ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: “Sunet është ky veprim?” Ai tha: “Po, sunet është”, - dhe i hipi kafshës". 251

Dobi dhe rregulla

E para: Nga suneti i Pejgamberit është dhe mosagjërimi në udhëtim. Nga i Dërguari (a.s.) është përcjellë se ai edhe ka agjëruar në udhëtim, edhe nuk ka agjëruar. Një gjë e tillë është përcjellë edhe për sahabët në disa udhëtime me të Dërguarin (a.s.).

E dyta: Këto hadithe tregojnë se kush fillon udhëtimin, i lejohet që ta prishi agjërimin, edhe nëse nuk e ka kaluar qytetin ose fshatin, prej të cilit nis udhëtimin. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kur nisnin udhëtimin sahabët, e prishnin agjërimin, pa marrë parasysh kalimin e shtëpive të vendbanimit. Ata thoshin se kjo qe tradita e Pejgamberit (a.s.).”252

E treta: Nga hadithet përfitohet se, kushdo që gdhin agjërues dhe më pas niset për udhëtim, i lejohet që ta prishë agjërimin gjatë ditës, ndryshe nga ata që e ndalojnë një gjë të tillë. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Nga këto dëshmi del fare qartë se kushdo që niset për udhëtim gjatë ditës së Ramazanit, ka të drejtë ta prishë agjërimin".253



30- Marrdhëniet seksuale gjatë ditës së agjërimit

Ebu Hureja (r.a.) tregon: "Ndërkohë që ne ishim ulur me të Dërguarin (a.s.), erdhi një burrë dhe tha: “U shkatërrova, o i Dërguari i Allahut!"- “Pse u shkatërrove?” - i tha ai. Ai u përgjigj: "Kam kryer marrëdhënie intime me gruan time në Ramazan". Profeti (a.s.) i tha: "A ke pasuri të lirosh një rob?" Ai tha: "Jo!" – "A mundesh të agjërosh dy muaj pa ndërprerje?" – e pyeti. - "Jo!" - i tha sahabi. Profeti (a.s.) e pyeti: “A ke me se të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?" – “Jo” - u përgjigj ai.

Profeti priti njëfarë kohe dhe pastaj i sollën një kosh me hurma arabie (rreh 30 kg – sh.p). Profeti (a.s.) i tha: "Merri këto dhe jepi sadaka! Ai tha: “T'ua jap atyre që janë më të varfër se ne?! Pasha Allahun, nuk ka shtëpi në Medine më nevojtare për to sesa ne!" Profeti (a.s.) qeshi derisa iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Shko dhe ushqe me to familjen tënde!".254

Dobi dhe rregulla

E para: Kush kryen marrëdhënie intime gjatë ditës së Ramazanit pa arsye, siç janë: udhëtimi, harresa apo detyrim me forcë, ka kundërshtuar Allahun e Madhëruar, ka bërë gjynah. Ai duhet të pendohet dhe njëkohësisht duhet ta vazhdojë agjërimin e asaj dite. Gjithashtu, agjërimi i asaj dite quhet i prishur, prandaj është e detyrueshme shlyerja e tij.255

E dyta: Për shlyerjen (kefare-n) respektohet kjo radhë: së pari, fillohet me lirimin e robit. Nëse nuk ka mundësi, agjëron dy muaj pa ndërprerë, e nëse nuk mundesh, ushqen gjashtëdhjetë të varfër.

E treta: Nga hadithi përfitohet se burrit i lejohet të tregojë gjëra që ndodhin mes tij dhe gruas, nëse është e nevojshme.256

E katërta: Nëse njeriu bën ndonjë gjynah dhe pyet për gjykimin e tij apo çfarë detyrimi ka, kjo nuk konsiderohet shfaqje e gjynahut.257

E pesta: Sjellja e butë me ata që mëson, përfitimi i zemrave në fe, pendimi për mëkatin e bërë dhe ndjenja e frikës nga Allahu i Lartësuar.258

E gjashta: Lejohet t'i jepet ushqimi i shlyerjes një familjeje.259

E shtata: Interesimi që tregonin shokët e Muhamedit (a.s.) për pastrimin e nefsit, për të shpëtuar nga shkaqet e dënimit.260

E teta: Personi që ka detyrë shlyerjen i lejohet të hajë prej ushqimit të kefare-s (shlyerjes) nëse nuk ka ç’të japë, gjithashtu një personi të tillë i lejohet që këtë masë ushqimi t’ia japë sadaka dhe familjes së tij.261

E nënta: Burri ka detyrë të shpenzojë për familjen edhe kur nuk ka ç’të shpenzojë. Buhariu - Allahu i Lartësuar e mëshiroftë! - ka titulluar një nënkapitull në librin e tij: “Shpenzimi i të varfërit për familjen".262

E dhjeta: Kjo shlyerje e rëndë është për atë që e prish agjërimin me marrëdhënie intime, jo për ata që e prishin me të ngrënë e të pirë. Sipas kësaj që u përmend, jepet edhe fetvaja nga dijetarët.263

E njëmbëdhjeta: Gëzimi i prijësit me kryerjen e nevojave të vartësve, qofshin ato që kanë lidhje me këtë botë dhe me botën tjetër.264

E dymbëdhjeta: Njeriut i lejohet që të ankohet për hallin që ka tek dikush që ka mundësi ta ndihmojë, nëse kjo nuk tregon pakënaqësi me caktimin e Zotit.

E trembëdhjeta: Nëse ka kryer marrëdhënie intime në një ditë të Ramazanit, dy herë ose më shumë, dhe nuk ka bërë shlyerjen e këtij gjynahu, ai bën vetëm një shlyerje, dhe për këtë nuk ka mospajtim mes dijetarëve.265

E katërmbëdhjeta: Nëse kryen marrëdhënie intime në dy ditë të Ramazanit apo më shumë, muslimani ka detyrë të bëjë shlyerje për çdo ditë të Ramazanit.266

E pesëmbëdhjeta: Nëse muslimani kryen marrëdhënie intime kur është duke agjëruar për të zëvendësuar (kaza) ditët që ka prishur në Ramazan, atij i prishet agjërimi dhe ka detyrë të agjëroj atë ditë më vonë, dhe nuk e ka detyrë shlyerjen, sepse shlyerja bëhet vetëm për shkak të shkeljes së shenjtërisë së Ramazanit, sipas mendimit më të saktë, ndërsa agjërimi kaza nuk e ka një shenjtëri të tillë.267

E gjashtëmbëdhjeta: Kushdo që e gjen agimi duke kryer marrëdhënie intime dhe e shkëput kontaktin menjëherë, nuk ka detyrë asgjë. Nëse vazhdon kontaktin me gruan, ai është mëkatar, prandaj duhet të pendohet dhe ka detyrë shlyerjen, por këtë ditë duhet të vazhdojë të ruhet nga gjërat që e prishin agjërimin.268

E shtatëmbëdhjeta: Kush e prish agjërimin duke ngrënë ose pirë për të kryer marrëdhënie intime, ai është mëkatar, për shkak të prishjes së agjërimit pa arsye dhe mashtrimit në fe. Ndaj tij nuk bie detyrimi i shlyerjes.269

E tetëmbëdhjeta: Mësojmë për tolerancën dhe lehtësinë që karakterizojnë legjislacionin e kësaj feje (Sheriatin). Toleranca dhe lehtësia shfaqen qartë në rastin e këtij burri, i cili bëri këtë mëkat kaq të madh në Ramazan. Ai shkon i frikësuar tek Profeti (a.s.), dhe thotë: “U shkatërrova!". Në një variant tjetër thuhet: “Mendoj se jam shkatërruar!". Kjo tregonte që ai ishte penduar, dhe Allahu ia pranoi pendimin. Profeti (a.s.) i dha hurmat e arabisë për ta shlyer atë mëkat, ndërsa ai ia dha familjes së vet, ngaqë ishin shumë të varfër. Për këtë arsye qeshi i Dërguari (a.s.).270

E nëntëmbëdhjeta: Nëse njeriu nuk e di se është ditë Ramazani dhe kryen marrëdhënie intime, mendimi më i saktë është se ai nuk e ka detyrë shlyerjen.271

E njëzeta: Nëse kryen marrëdhënie intime me harresë, agjërimin e ka të saktë dhe nuk ka detyrë as shlyerjen dhe as agjërimin kaza.272

31- Vlera e faljes së teravive me xhemat

Përcillet se Ebu Dherri (r.a.) ka thënë: “Njëherë, në kohën që agjëronim me të Dërguarin (a.s.) muajin e Ramazanit, ai nuk e fali asnjë natë me ne namazin e teravive derisa kishin mbetur vetëm shtatë netët e fundit të muajit. Kur kishin mbetur vetëm kaq netë (pra kur ishin në natën e 23 të muajit), ai u çua dhe fali me ne teravitë, derisa kaloi një e treta e natës. Një natë më pas nuk i fali me ne. Natën e pestën të mbetur na i fali gjersa kaloi gjysma e natës. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të na falje më tepër nafile me xhematë edhe pjesën e mbetur të natës...” Profeti (a.s.) tha: “Nëse burri falet me imamin, derisa ai të largohet, i llogaritet sikur është falur gjithë natën.” Ebu Dherri thotë më pas: “Natën e katërt të mbetur nuk na i fali. Kurse natën e tretë të mbetur, Profeti mblodhi familjen dhe njerëzit e tjerë dhe fali me ne teravitë derisa patëm frikë se mos na ikte felahu.” Transmetuesi thotë: “E pyeta: Ç’është felahu?” – “Syfyri” - më tha ai.” Profeti (a.s.) – vijon Ebu Dherri - nuk na i fali me xhemat pjesën e mbetur të muajit".273



Dobi dhe rregulla

E para: Namazi i teravive është sunet. Profeti (a.s.) i fali ato njëherë, dhe pastaj i ndërpreu, nga droja se mos bëheshin detyrë për muslimanët

E dyta: Namazi i teravisë me xhematë në xhami është i ligjshëm edhe për gratë, sepse edhe Profeti (a.s.) grumbulloi familjen, gratë e veta dhe njerëzit, dhe u fal me ta.

E treta: Kush ngrihet e falet me imamin, derisa imami të largohet, do t'i shkruhet sikur është falur gjatë gjithë asaj nate. Muslimani nuk duhet ta neglizhojë këtë mirësi të madhe. Ai duhet të përpiqet që ta plotësojë namazin e teravive bashkë me muslimanët në çdo natë të Ramazanit. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: "Të pëlqen që personi të falet vetëm në Ramazan apo me xhemat?” Ai tha: “Të falet me xhemat, se kështu ngjall sunetin profetik.” Pastaj tha: “Mua më pëlqen që t’i falë teravitë dhe vitrin me imamin”.274

E katërta: Namazi i teravive është sunet që të falet në fillim të natës, siç ka vepruar i Dërguari (a.s.) dhe sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “A duhet të shtyhet falja e namazit të natës - d.m.th teravisë – deri në fund të natës?” – “Jo, - u përgjigj ai, - tradita e muslimanëve më pëlqen më shumë". 275

Është pyetur dijetari i nderuar Abdulaziz Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Po sikur besimtarët të bien dakord që namazin e vitrit ta falin në fund të natës?” – “Namazi me xhemat bashkë më njerëzit në fillim të natës është më mirë” - tha ai.

E pesta: Nëse njeriu është aktiv dhe ka forcë për të bërë adhurim, e plotëson namazin me muslimanët në fillim të natës, më pas, në fund të natës, falet më vete sa të dëshirojë. Në këtë mënyrë, ai arrin dy të mirat, faljen me imamin derisa ai largohet dhe mirësinë e namazit në fund të natës.

32- Koha e çeljes së iftarit.

Ibn Umeri (r.a.) përcjell se i Dërguari (a.s.) ka thënë: "Kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit) dhe të perëndojë dielli, hyn koha e çeljes së agjëruesit". Këtë hadith e sjell Buhariu e Muslimi.276 Në një variant tek Tirmidhiu thuhet kështu: "…dhe kur zhduket dielli (perëndon disku i tij), hyn koha e çeljes".277

Kurse në variantin e Ebu Daudit thuhet: "Kur vjen dita këndej (nga ana e lindjes) dhe kur largohet dita që andej (nga ana e perëndimit), dhe humb dielli, hyn koha e çeljes së agjëruesit".278

"Abdullah Ibn Ebu Eufa tregon: “Ishim me Pejgamberin (a.s.) në një udhëtim. Sapo perëndoi dielli, Pejgamberi i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo çorbën me ujë!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje derisa të binte plotësisht mbrëmja!” Pejgamberi sërish i tha: “Zbrit dhe trazo çorbën (për të çelur)”. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje derisa të binte plotësisht mbrëmja! Ke akoma ditë!” – “Zbrit dhe trazo çorbën!”, - i dha urdhër për herë të tretë Pejgamberi (a.s.). Kështu, pas herës së tretë, burri zbriti dhe trazoi çorbën”. Pejgamberi a.s., pasi piu, bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit!".279 Në një variant tek Muslimi thuhet se: "Bëri me shenjë nga lindja". Kurse në variantin e Ahmedit thuhet: "...ka ardhur koha e çeljes së agjërimit". Ndërsa tek varianti i Ebu Daudit përmendet se: Këtë ia ka thënë Bilalit (r.a.).280



Dobi dhe Rregulla:281

E para: Kur dielli perëndon, agjëruesit i lejohet të çelë. Shprehja ‘...kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit)..’ nënkupton fshehjen e diskut të diellit në perëndim edhe pse në horizont e nëpër rrugica vazhdon të ketë akoma ndriçim.282

E dyta: Profeti (a.s.) ishte i interesuar që të sqaronte dispozitat e Sheriatit me hollësi. Shohim që ai ka treguar tre shenja që tregojnë kohën e iftarit: ardhja e natës, ikja e ditës, perëndimi i diellit. Në fakt, kur shfaqet njëra shenjë, patjetër që shfaqen edhe të tjerat. Profeti (a.s.) i ka përmendur të gjitha, - dhe Allahu e di më së miri, – për faktin se ndoshta agjëruesi nuk e sheh perëndimin e diskut të diellit për shkak të ndonjë pengese, mirëpo shikon nga ana e lindjes që ka rënë errësira e natës, dhe në këtë rast i lejohet të çelë iftarin.283

E treta: Kur perëndon i tërë disku i diellit, agjëruesi çel, pa u ndikuar nga ndriçimi i kuqërremtë që ka mbetur në horizont. Në fakt, kur fshihet i tërë disku, shfaqet errësira nga ana e lindjes.

E katërta: Kurrë nuk është detyrë me agjëruar ndonjë pjesë të natës. Për këtë janë pajtuar të gjithë dijetarët.284 Gjithashtu, nuk pëlqehet vonimi i çeljes, përkundrazi pëlqehet shpejtimi i saj, siç tregojnë edhe hadithet.

E pesta: Njerëzit nxitojnë të kundërshtojnë për çështje që nuk i dinë. Kështu ndodhi me Bilalin (r.a.), kur nuk nxitoi të zbatonte urdhrin e Profetit (a.s.), pasi nuk e dinte se lejohej çelja e iftarit në atë kohë.

E gjashta: Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ndonjëherë i kërkonin shpjegim Profetit (a.s.), për të qenë më të sigurt ose për të marrë njohuri më të hollësishme për gjykimin ose për më shumë dituri, dhe pastaj menjëherë e vinin në zbatim. Bilali i kërkoi sqarim disa herë Profetit lidhur me çeljen, kur pa shkëlqimin e rrezeve të kuqe pas perëndimit të diellit. Ai mendoi se çelja e iftarit lejohej veçse mbas zhdukjes së kësaj drite. Ai pandehu se Profeti (a.s.) nuk e kishte parë atë ndriçim, ndaj donte ta kujtonte për një gjë të tillë.

E shtata: Dijetarit ose imamit mund t’ia kujtosh gjërat që ti mendon se ai i ka harruar ose nuk i ka vënë re. Mirëpo nuk duhet të përsëritësh të njëjtën gjë më tepër se tri herë.

E teta: Ai që nuk e di gjykimin e një veprimi lejohet të pyesë përsëri, të kërkojë sqarim e të diskutojë, derisa ta mësojë.

E nënta: Hadithi aludon për kundërshtimin e çifutëve dhe krishterëve, të cilët e vononin çeljen mbas perëndimit të diellit. Gjithashtu, ai është kundërpërgjigje edhe ndaj rafidive, të cilët e vonojnë iftarin gjersa të dalin yjet.

E dhjeta: Lejohet agjërimi në udhëtim për atë që nuk e dëmton.

E njëmbëdhjeta: Agjëruesi gjatë kohës që çel iftarin mund të përsërisë fjalët e muezinit dhe të lutjet mbas ezanit. Argumentet në tërësi tregojnë që pëlqehet një gjë e tillë. Ato nuk përjashtojnë rastin e angazhimit me ngrënien e iftarit.285

E dymbëdhjeta: Për çdo person, çasti i fillimit të agjërimit, i çeljes së iftarit dhe i kohëve të namazit, përcaktohen sipas vendit ku ndodhet ose hapësirës ajrore në të cilën udhëton. Kështu, nëse perëndon dielli kur je në aeroport ose nëse ke falur akshamin, dhe më pas, kur niset avioni në drejtim të perëndimit, ti shikon diellin, nuk e ke detyrë më të vazhdosh agjërimin ose të falësh sërish akshamin. Agjërimi dhe namazi janë të saktë, sepse koha e iftarit dhe e namazit përcaktohen sipas tokës mbi të cilën gjendet personi. Mirëpo, nëse avioni niset disa minuta para perëndimit të diellit dhe vazhdon të jetë ditë, nuk të lejohet të çelësh iftar e as të falesh pa perënduar dielli i hapësirës ajrore mbi të cilin udhëton. Edhe nëse udhëton në hapësirat ajrore të një vendi ku banorët e tij e kanë çelur iftarin dhe e kanë falur akshamin, ty nuk të lejohet të çelësh iftar as të falesh për sa kohë shikon diellin.286

33- Gjykimi për atë që vjell me dashje gjatë agjërimit

Ebu Hurejra (r.a.) tregon se i Dërguari (a.s.) ka thënë: "Ai që i vjen për të vjellë, nuk e ka detyrë ta përsërisë ditën e agjërimit, e ai që e nxjerr vetë ushqimin, duke provokuar të vjellët, le ta zëvendësojë ditën e agjërimit."287

Mi’dan Ibn Talha (Allahu e mëshiroftë!) rrëfen: “Ebu Derda (r.a.) më tregoi që, njëherë, i Dërguari (a.s.), pasi volli, e ndërpreu agjërimin. Pastaj, unë takova në xhaminë e Damaskut Theubanin - skllav i liruar nga i Dërguari (a.s.) - dhe i thashë: “Ebu Derda më ka treguar se i Dërguari (a.s.) volli dhe e ndërpreu agjërimin. Ai më tha: “Të vërtetën ka thënë, sepse unë më pas i hodha ujin për abdes".288

Dobi dhe rregulla

E para: Prej mëshirës së Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij, njeriu nuk merret në llogari për veprat që ndodhin pa vullnetin e tij. I tillë është edhe rasti me të vjellët. Nëse ai ndodh qëllimisht për shkak të provokimit me anë të gishtërinjve, ose me futjen e ndonjë sendi në gurmaz, ose me nuhatjen e ndonjë ere të keqe, ose me shikimin e ndonjë pamje të bezdishme, ose me çfarëdo mjeti qoftë, e prish agjërimin. Ndërsa kur vjellja ndodh pa vullnetin e njeriut, agjërimi nuk prishet. Dijetarët janë unanimë mbi këtë rregull që del nga këto hadithe.

E dyta: Për sa i përket transmetimit që tregon se i Dërguari (a.s.) volli, pastaj e prishi agjërimin, thuhet se ai (a.s.) u dobësua për shkak të vjelljes, prandaj e prishi agjërimin, jo se ai e prishi për shkak se të vjellët (pa provokim) e prish agjërimin. Kështu i kanë kuptuar dijetarët dy hadithet që janë përcjellë për këtë çështje. Në një variant që e shënon Tahavi, tregohet se i Dërguari (a.s.) ka thënë: "E prisha agjërimin, ngaqë volla dhe u bëra i pafuqishëm për të agjëruar."289

E treta: Hadithet dëshmojnë se ai që provokon vetë të vjellët e prish agjërimin. I njëjti gjykim jepet në rastin kur e vjella është ushqim, lëng i hidhur, gëlbazë, gjak etj., sepse hadithi i përfshin që të gjitha.290

E katërta: Agjëruesit nuk i lejohet të provokojë të vjellat gjatë ditës së Ramazanit. Nëse vjell, i prishet agjërimi, përveç rastit kur është i sëmurë dhe është e nevojshme një gjë e tillë. Në këtë rast, ai është i arsyetuar me sëmundjen. Allahu i Lartësuar thotë: Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër, të agjërojë më vonë aq ditë sa nuk i ka agjëruar.[Bekare: 184 ]. Kështu, ai e prish agjërimin atë ditë dhe e agjëron më vonë.291

E pesta: Gjykimi i dhënë nga Sheriati për prishjen e agjërimit të atij që vjell me dashje, dëshmon për drejtësinë e Sheriatit dhe se dispozitat e Allahut janë të gjitha drejtësi dhe mëshirë për njerëzit e ngarkuar me detyra fetare. Dijetari Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Agjëruesit i ndalohet të konsumojë gjëra që i japin forcë fizike dhe vlera ushqyese si: ushqimi dhe pija. Po ashtu, atij i ndalohet të nxjerrë çdo gjë që i shkakton dobësi dhe mungesë të lëndëve me të cilat ushqehet trupi. Përndryshe, kjo do ta dëmtonte dhe atëherë ai do të konsiderohej tejkalues i caqeve dhe jo i drejtë, në lidhje me adhurimin.”292



Yüklə 0,8 Mb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə