Titulli I Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl



Yüklə 0,8 Mb.
səhifə4/12
tarix06.02.2018
ölçüsü0,8 Mb.
#26135
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12

Dobi dhe rregulla:174

E para: Lejohet ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime dhe gjithçka që çel agjërimin, deri në shfaqjen e agimit.

E dyta: Të verbërit i lejohet të thërrasi ezanin nëse ai vetë përcakton kohën, ose e informon dikush tjetër që e njeh atë.

E treta: Në namazin e agimit është e ligjshme thirrja e dy ezaneve, njëri para agimit, ndërsa tjetri në të hyrë të tij.175

E katërta: Lejohet ngrënia mbasi të kesh bërë nijetin, sepse Profeti (a.s.), e ka lejuar ngrënien deri në agim. Nëse bën nijetin në darkë për të agjëruar ditën e nesërme, pastaj para agimit ha ushqim, në këtë rast nijeti nuk është prishur.

E pesta: Kur dyshon se ka hyrë koha e agimit apo jo, lejohet të hash, pasi në origjinë është ende natë, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “..dhe hani e pini derisa të dalloni qartë perin e bardhë (agimin) nga peri i zi (errësira e natës)”. Përderisa hyrja e agimit është e dyshimtë, parimisht quhet se ka akoma natë, derisa të bëhet e sigurtë hyrja e agimit. Te Bejhakiu, në një transmetim të saktë nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: "Kur dyshon, ha derisa ta dallosh agimin qartë".176 Kjo ka të bëjë me rastin kur njeriu është duke vrojtuar hyrjen e agimit dhe dyshon nëse ka hyrë apo jo, ndërsa kur bazohet në ezan e në orë, këtu nuk ka vend për të dyshuar, sepse ai mund të sigurohet duke pyetur dhe duke parë kohën.

E gjashta: Është e pëlqyeshme ngrënia e syfyrit dhe vonimi i tij.

E shtata: Neveviu - (Allahu e mëshiroftë!) - ka thënë në lidhje me fjalën e transmetuesit: “koha mes njërit ezan dhe tjetrit ishte aq sa zbriste njëri muezin dhe ngjitej tjetri", se: Bilali e thërriste ezanin para agimit dhe qëndronte në pritje duke bërë lutje etj., dhe më pas vrojtonte agimin. Kur afrohej koha e shfaqes së tij, zbriste dhe lajmëronte Ibn Umi Mektumin, i cili bëhej gati duke u pastruar etj., pastaj ngjitej dhe thërriste ezanin në fillim të hyrjes së agimit.177

E teta: Për kohën mbas agimit nuk thuhet se është natë, por quhet ditë.178

E nënta: Lejohet që burri t’i atribuohet nënës së tij (biri i filanes), nëse është e nevojshme dhe nëse shquhet me atë llagap.179

E dhjeta: Agimi i parë nga i dyti dallon me tri karakteristika:


  1. Agimi i dytë është zbardhja që shfaqet në vijën horizontale, në vendin ku lind dielli, nga jugu në veri dhe ka një përhapje të gjerë, të fortë e të qartë në vijën horizontale, ndërsa agimi i parë është një shkëlqim drite me rreze që shfaqet e ngjitet vertikalisht në qiell, nga lindja në perëndim.

  2. Nuk ka errësirë mbas agimit të dytë, sepse përhapja e dritës vazhdon deri në lindjen e diellit, ndërsa agimin e parë e pason errësira.180

  3. Agimi i dytë e ka të ngjitur bardhësinë e tij me vijën horizontale, ndërsa tek agimi i parë ka errësirë ndërmjet tij dhe horizontit.181

E njëmbëdhjeta: Nëse thirret ezani i agimit ndërkohë ai që dëshiron të agjërojë ka enën në dorë, i lejohet që ta plotësojë ngrënien dhe pirjen, e të mos e lërë atë, sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të hadithit. Ky është lehtësim që na e ka bërë Allahu, të Cilit i takon lavdërimi dhe falënderimi.182

21- Koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit.

Te Buhariu e Muslimi, Enesi tregon se Zejd Ibn Thabiti i tha: “Hëngrëm syfyr bashkë me Pejgamberin, dhe pastaj ai u çua për faljen e namazit.” Enesi i tha: “Sa ishte koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit?” Ai tha: “Aq sa për të lexuar pesëdhjetë ajete".183 Sipas një varianti tjetër të Buhariut në kapitullin e agjërimit, Enesi tregon se Zejd Ibn Thabiti kishte ngrënë syfyr bashkë me Pejgamberin dhe pastaj janë çuar për faljen e namazit të sabahut. Transmetuesi nga Enesi tregon: “Pyetëm Enesin: “Sa ishte koha ndërmjet përfundimit të syfyrit dhe hyrjes në namaz)?” Ai u përgjigj: “Aq sa koha e leximit të pesëdhjetë ajeteve”.” 184



Dobitë dhe rregullat

E para: Është sunet të vonohet syfyri, se kështu ushqimi i syfyrit e mban më shumë agjëruesin dhe kështu realizohet më mirë kundërshtimi i ithtarëve të Librit .

E dyta: Sahabët - Allahu qoftë i kënaqur me ta - kohët i kishin të mbushura me adhurim, prandaj Zejdi (r.a.) e përcaktoi kohën me periudhën e leximit të ajeteve.

E treta: Lejohet matja e kohës me punë të ndryshme. Arabët e kishin zakon një gjë të tillë: si për shembull, sa koha e mjeljes së një dhije, sa koha e therjes së një deveje etj.

E katërta: Koha ndërmjet ezanit dhe syfyrit në këtë hadith është sa koha që merr leximi i pesëdhjetë ajeteve mesatare, as të gjata dhe as të shkurtra, me një lexim mesatar, jo i shpejtë dhe jo të ngadaltë.185

E pesta: Vonimi i syfyrit është i pëlqyeshëm. Këtu bën përjashtim vonimi i kontaktit me bashkëshorten, sepse nuk është prej gjërave që të jep fuqi gjatë ditës dhe bart rrezikshmërinë e tejkalimit të kohës së syfyrit, për shkak të dëshirës seksuale që, ndoshta mund ta ketë të vështirë ta braktisë, e kështu agjëruesi rrezikon të prishë agjërimin dhe t’i bëhet detyrë kefar-ja (shryerja) e prishjes së agjërimit me marrëdhënie intime.

E gjashta: Interesimi për kërkimin e dijes, shqyrtimin e çështjeve, gjurmimin e suneteve, njohja e kohëve të tyre dhe përkujdesja pë to. Kjo mësohet prej pyetjes së Enesit dhe përgjigjes së Zejdit (r.a.).

E shtata: Dhembshuria e Profetit (a.s.) për umetin, që duket në lejimin e ngrënies së syfyrit, me qëllim që besimtarët të jenë më të fortë gjatë agjërimit. Gjithashtu, Profeti (a.s.) e vonoi ngrënien e syfyrit qëllimisht, në mënyrë që umeti ta merrte për shembull. Nëse ai nuk do të hante syfyr, shokët e tij do ta merrnin për shembull dhe kjo do t’i çonte në vështirësi. Por edhe nëse do ta caktonte kohën e syfyrit në pjesën e parë të natës apo në mesin e saj, përsëri syfyri nuk do ta jepte aq shumë efektin e tij për mbajtjen e agjëruesit.

E teta: Edukata me të Dërguarin (a.s.) dhe mënyra e bukur e të shprehurit, sipas fjalës së Zejdit (r.a.): “Hëngrëm syfyr bashkë me Pejgamberin (a.s.)", e jo: “Hëngrëm ne dhe Pejgamberi (a.s.)”.

22 – Gjykimi i puthjes apo përkëdheljes së gruas për agjëruesin

Aishja (r,ea), thotë: "I Dërguari (a.s) puthte dhe përqafonte gruan, kur ishte me agjërim, por ai ishte më i afti nga të gjithë për të frenuar epshin". Sipas një varianti tjetër, Aishja (r. anha) thotë: "I Dërguari (a.s) e puthte gruan në Ramazan, ndërkohë që ishte me agjërim".

Në një version tjetër po tek Muslimi, Aishja (r. anha) thotë: "Kush nga ju mund të frenojë epshin e vet siç e frenonte i Dërguari (a.s.)?".

Në versionin e Ebu Daudit, Aishja (r. anha) thotë: " I Dërguari,(a.s.), më puthte, ndërkohë që ai dhe unë ishim agjërues".

Ibni Hibani sjell një version nga Ebu Selme Ibn Abdurahmani, se Aishja (r. anha) ka thënë: "I Dërguari (a.s.) puthte disa nga gratë e tij, ndërkohë që ishte me agjërim. E pyetën: “Gjatë agjërimit farz dhe vullnetar?” Ajo tha: “Në të dyja llojet, farz dhe vullnetar".186

Hafsa (radijallahu anha)tregon se: "I Dërguari (a.s.) i puthte gratë ndërkohë që ishte me agjërim.187

Umer Ibn Ebu Seleme (r.a.) tregon se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s.): “A e puth gruan agjëruesi?” I Dërguari i Allahut (a.s.) i tha: “Pyete këtë” për Umu Selemen. Ajo i rrëfeu se i Dërguari i Allahut e vepronte një gjë të tillë. Atëherë, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, ty t'i ka falur Allahu gjynahet që ke bërë dhe ato që do të bësh...” I Dërguari (a.s.) i tha: “Për Allah, unë jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe jam ai që e kam më shumë frikë Atë".188

Omeri (r.a.) rrëfen: “Njëherë, duke shikuar gruan, m'u ngacmuan ndjenjat dhe e putha, ndërkohë që isha me agjërim. Më pas, shkova te Pejgamberi (a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguari Allahut, sot kam bërë një gjë të rëndë: kam puthur gruan, ndërkohë që po agjëroja...” Ai më tha: “Po sikur të kishe shpërlarë gojën me ujë ndërkohë që po agjëroje?" – “Kjo s'ka gjë” - i thashë. – “Epo, atëherë, përse bëhesh merak?!" – ma ktheu ai.”189



Dobi dhe rregulla:

E para: Agjëruesit i lejohet ta puthë dhe përqafojë gruan, si gjatë agjërimit farz, po ashtu edhe vullnetar, në ramazan dhe në muajt e tjerë, si për të riun edhe për të moshuarin, kur ka siguri se nuk e humb kontrollin e epshit të tij e të bjerë në haram, si për shembull në marrëdhënie intime apo ejakulim.

E dyta: Me fjalën ‘përkëdhelje apo përqafim të gruas’ hadithi ka për qëllim përqafimin e gruas prej burrit të saj, puthitjen e trupit të burrit me të gruas, prekjen e lëkurës, shtrëngimin apo afrimin e saj, dhe jo marrëdhënien seksuale, sepse kjo e fundit e prish agjërimin.190

E treta: Agjëruesi duhet të ketë parasysh se agjërimi prishet kur ejakulon për shkak të puthjes, puthitjes së trupit me trupin e gruas, përkëdheljes, prekjes apo shtrëngimit të saj, por ai duhet të vazhdojë agjërimin dhe ta kompesoj atë ditë pas ramazanit, të pendohet tek Allahut dhe t’i kërkojë falje Atij. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë në hadith kudsij: "Për hirin Tim, agjëruesi ka lënë epshin, ngrënien, e pirjen"191. Në një version tjetër: “Ai, për hirin Tim, ka lënë ëndjen dhe gruan e tij".192

Ndërsa dalja e sekrecioneve (medhi) nuk e prish agjërimin, bazuar në mendimin më të saktë të dijetarëve,193 por agjëruesi duhet t'u largohet gjërave epshndjellëse, të cilat të çojnë në haram.

E katërta: Hadithet që përmendëm dëshmojnë se puthja e gruas nga ana e agjëruesit nuk është e lejuar vetëm për Profetin (a.s.), por ajo është e lejuar edhe për umetin në përgjithësi, me kusht që mos të çojë në haram, si ejakulim apo marrëdhënie intime.194

E pesta: Profeti (a.s.) ishte njeriu që kishte më shumë drojë Allahun, sepse ai e njihte më mirë madhërinë e Tij.195

E gjashta: Nga hadithet përfitojmë se e kemi detyrë që ta lëmë thellimin dhe teprimin në çështjet e fesë, ose të menduarit se vetëm Profetit i lejohej të puthte bashkëshortet e tij gjatë agjërimit, por jo umetit të tij. Prandaj kur u diskutua kjo gjë, Profeti (a.s.) u nevrikos dhe tha: "Ndërsa unë, pasha Allahun, jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe e kam më shumë frikë Atë".196 Ndërsa në hadith tjetër thotë: "Unë i njoh më mirë se ju kufijtë e Allahut."

E shtata: Interesimi i shokëve të Profetit për të njohur gjërat e lejuara dhe të ndaluara, devotshmëria që kishin ndaj Allahut të Lartësuar dhe frika prej gjërave që cenojnë ibadetin apo e prishin atë.

E teta: Në këto hadithe ka kundërpërgjigje ndaj sufive ekstremistë, të cilët ia kanë hequr vetvetes ose liderëve të tyre detyrimet fetare, me preteksin se gjoja kanë arritur gradë të lartë në besim e në sjellje. Ndërsa Profeti (a.s.), i cili ishte njeriu me besimin më të plotë dhe që i përmbahej më shumë Sheriatit, e korrigjoi gabimin e atyre që menduan se, përderisa Profetit i janë falur mëkatet, atëherë i lejohet të bëjë disa gjëra të ndaluara197.

E nënta: Hadthi i Umer Ibn Hatabit (r.a.) mbështet metodën e analogjisë në gjykimin fetar, kur kemi të bëjmë me çështje të ngjashme. Kësisoj, me shpërlarjen e gojës, uji mund të kalojë në gurmaz, duke prishur agjërimin. E tillë është edhe puthja, e cila mund të çojë në kryerjen e marrëdhënieve intime, që prishin agjërimin. Përderisa njëri veprim nuk e prish agjërimin, po ashtu edhe tjetri, i ngjashëm me të, nuk e prish agjërimin.198

23 – Dënimi për atë që prish agjërimin

Ebu Umame Elbahilij (r.a.) tregon se ka dëgjuar të Dërguarin (a.s.) duke thënë: ‘Kur isha duke fjetur, erdhën dy burra më morën për krahu dhe më dërguan në një mal të thyer e më thanë: ‘Ngjitu!’ – ‘Nuk mundem’ - thashë unë. Ata më thanë: ‘Ne do të ta lehtësojmë.’ Atëherë, unë u ngjita. Ndërkohë që isha në rrafshinën e malit, dëgjova zëra të fortë. Atëherë thashë: ‘Ç'janë këta zëra?’ – ‘Këto janë klithmat e banorëve të Zjarrit’, - më thanë ata. Më pas, më morën. Papritmas, pashë disa njerëz të varur për leqet e këmbëve: anën e gojës e kishin të çarë, ndërsa nofulla u rridhte gjak...” Më pas, Profeti (s.s) tregon: “U thashë atyre: ‘Kush janë këta?’ - Janë ata që çelin agjërimin para se të vijë koha e çeljes” - u përgjigjën ata.199



Dobi dhe rregulla

E para: Në hadith pohohet dënimi i varrit, që pohohet gjithashtu edhe në Kuran, Sunet dhe ixhmain e umetit, derisa imam Ahmeti ka thënë: ‘Këtë nuk e mohon kush, por veç ai që është i humbur dhe humb edhe të tjerët.’200

E dyta: Dënimi i varrit do ta vuaj shpirti dhe trupi, në një mënyrë që vetëm Allahu i Lartësuar e di. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Besimi e të parëve të këtij umeti dhe imamëve të tij është se i vdekuri ose do të jetë në begati, ose në dënim. Kjo gjë i ndodh shpirtit dhe trupit. Ne besojmë se shpirti, pas ndarjes prej trupit, përjeton mirësi ose dënohet. Gjithashtu, besojmë se shpirti ndonjëherë ka kontakt me trupin. Ai përjeton mirësi ose dënohet me të. Ndërsa kur të vijë Dita e madhe e Ringjalljes, shpirtrat do të kthehen në trupat e tyre e do të dalin prej varreve për të shkuar më pas para Zotit të botëve.”

E treta: Pejgamberi (a.s.) pa në ëndërr disa forma të dënimit të varrit. Ëndrrat e pejgamberëve janë të vërteta. Ato janë një pjesë e Shpalljes prej Zotit.

E katërta: Hadithi sqaron se sa i rëndë është dënimi i varrit. Besimtari duhet ta ketë frikë, t'u largohet faktorëve që të çojnë në të dhe të bëjë çdo gjë të mundshme që të shpëtojnë prej tij.

E pesta: Në hadith ka kërcënim të fortë për ata që çelin para kohës së iftarit duke qenë të vetëdijshëm, me dashje dhe pa arsye. Një veprim i tillë është gjynah i rëndë, andaj është dhe shkak për dënim të ashpër.

E gjashta: Përderisa ky është dënimi i atij që çel para iftarit, atëherë në mënyrë më parësore e meriton dënimin ai që nuk agjëron fare muajin e Ramazanit ose një pjesë të tij pa arsye të konsiderueshme. Ai duhet të shpejtojë në pendim të sinqertë, në mënyrë që të mos e kapë dënimi i ashpër në varr.

24 – Vlera e shpejtimit të iftarit

Allahu i Lartësuar ka thënë: “...Plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje.” ” [Bekare: 187].

Sehl Ibn Sadi (r.a.) përcjell se i Dërguari (a.s.) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi, përderisa shpejtojnë iftarin."201

Në variantin që sjell Ibn Maxhe, i Dërguari (a.s.) ka thënë: "Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë, përderisa të shpejtojnë iftarin. Shpejtojeni iftarin, se judejtë e vonojnë atë."202

Kurse tek Ibn Huzejmeh dhe Ibni Hibani: "Kjo fe do të vazhdojë të ngadhënjejë, të jetë e lartë dhe të jetë e dukshme, për sa kohë që njerëzit do të shpejtojnë iftarin, ndryshe nga judejtë dhe të krishterët, të cilët e vonojnë atë."203

Në variantin tjetër: "Umeti im do të vazhdojë të jetë në udhën time, për sa kohë nuk presin shfaqjen e yjeve për të çelur iftar."204

Ebu Atije el Hamedani (Allahu e mëshiroftë!) rrëfen: “Unë me Mesrukun shkuam tek Aishja (r.a.) dhe i thamë: “O Nëna e Besimtarëve, njëri nga shokët e Muhamedit (a.s.) e shpejton iftarin dhe namazin, kurse tjetri e vonon iftarin dhe namazin. Ajo tha: “Kush është ai që e shpejton iftarin e namazin?” – “Abdullah Ibn Mesudi” - i thamë ne. Atëherë, ajo tha: “Kështu vepronte i Dërguari i Allahut (a.s.)". Ebu Kurejbi shton se "...tjetri ishte Ebu Musa".205

Enesi (r.a.) thotë: “Profeti nuk e falte namazin e akshamit pa çelur iftarin, qoftë edhe me një gllënjkë ujë."206

Umer Ibn Mejmun Eudij thotë: "Shokët e Muhamedit (a.s.) ishin njerëzit që shpejtonin më së shumti iftarin dhe vononin më së shumti syfyrin". 207

Dobi dhe rregulla:

E para: Pëlqehet që të shpejtohet iftari kur vërtetohet perëndimi i dielli me anë të shikimit ose kur të lajmëron ndonjë njeri i besueshëm, ose mendon vetë se mundësia më e madhe është se dielli ka perënduar.208 Këtë e dëshmon tradita profetike dhe ajo e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Hafidh Ibn Abdulberri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët janë në ixhma se, po hyri koha e faljes së akshamit, ka hyrë koha e iftarit, qoftë ky agjërim farz apo vullnetar. Gjithashtu, ata janë në ixhma (një mendje) se namazi i akshamit i përket natës. Allahu i Lartësuar thotë: “Plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje.” [Bekare: 187].209

E dyta: Mirësia gjendet tek ata njerëz që e shpejtojnë iftarin dhe largohet nga ata që e vonojnë atë.210

E treta: Shpejtimi i iftarit është prej mirësisë së këtij umeti, një praktikë kjo që na dallon nga judejtë dhe të krishterët, të cilët e vonojnë iftarin.211 Dallimi nga ithtarët e Librit dhe kundërshtimi i tyre është një parim në fenë tonë i cili qëndron në shumë norma ligjore. Ky është një fakt që tregon se ky umet është më i dalluari dhe i mirë nga mbarë njerëzimi, prandaj është i ndaluar imitimi i jomuslimanëve.

E katërta: Vonimi i iftarit përtej perëndimit të diellit tregon shmangie nga tradita e Pejgamberit (a.s.) dhe risi në fenë e Allahut të Madhërishëm.

E pesta: Në këto hadithe ka kundërpërgjigje ndaj rafidive (sekt shi’it) dhe atyre që pajtohen me ta, të cilët e shtyjnë çeljen e iftarit përtej perëndimit të diellit deri në shfaqjen e yjeve.212

E gjashta: T’i përmbahesh kohës së caktuar të adhurimit, pa shtuar e pakësuar, të mbron nga ekstremizmi në çështjet e fesë, braktisja e rregullave të fesë dhe largon vesveset e Shejtanit. Shpejtimi në çeljen e iftarit, kur vërtetohet perëndimi i diellit, të mbron nga gjëra të tilla.213

E shtata: Nga hadithet përfitojmë se njeriu, me shpejtimin e iftarit, shfaq paaftësi dhe nënshtrim dhe robëri përpara Allahut të Lartësuar, si dhe nxitim për të pranuar lehtësimin nga Ai.214

E teta: Nga hadithet përfitojmë se vazhdimësia e agjërimit pas perëndimit të diellit, natën, është i papëlqyeshëm, prandaj është sunet që më parë të çelësh iftar, pastaj të falësh akshamin, sepse kështu arrin ta shpejtosh më shumë iftarin.215

E nënta: Hadithet nxisin për pasim të Sunetit dhe moskundërshtim të tij, pasi me lënien e Sunetit punët shkojnë keq. Sahabët, kur pësonin ndonjë disfatë, kontrollonin çfarë tradite profetike kishin lënë. Kur e gjenin, e mësonin që shkaku i dështimit ishte pikërisht braktisja e asaj tradite.216

E dhjeta: Hadithi flet dhe për vlerën e këtij umeti, meqë është udhëzuar për pasimin e Sunetit. Pasimi i Sunetit sjell dashurinë e Allahut të Lartësuar, bazuar në fjalën e Tij: Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t'ju dojë dhe t'jua falë gjynahet! Allahu është falës i Madh dhe Mëshirëbërës. [Ali Imranë: 31].217

25 – Mosagjërimi për udhëtarin, shtatëzënën dhe gjidhënësen

Enes Ibn Malik El Kabij rrëfen: “Ne na sulmoi kalorësia e të Dërguarit të Allahut (a.s.). Unë pastaj shkova tek ai dhe e gjeta duke ngrënë drekë. Ai më tha: "Hajde, afrohu të hash" – “Unë po agjëroj”, iu përgjigja. Atëherë ai më tha: "Ulu, të flas për agjërimin. Allahu i Lartmadhëruar ia ka hequr udhëtarit gjysmën e namazit. Ndërsa agjërimin ia ka hequr udhëtarit, gruas shtatzënë dhe gjidhënëses". Për Zotin, i Dërguari i Allahut (a.s.) tha këto dy gjëra, të dyja ose njërën. Ç'fatkeqësi për mua! Ah, sikur të kisha ngrënë prej ushqimit të Dërguarit të Allahut (a.s.).”218



Dobi dhe rregulla

E para: Mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij, i Cili i ka çliruar nga disa dispozita të Sheriatit ata që nuk kanë mundësi, që dëmtohen ose ndjejnë vështirësi në kryerjen e tyre.

E dyta: Morali i lartë dhe bujaria e Pejgamberit (a.s.), kur e ftoi Enesin për të ngrënë me të, dhe interesimi i Profetit për t’i mësuar umetit gjërat që kishin nevojë t'i dinin.

E treta: Udhëtarit i lejohet të mos agjërojë, si dhe të shkurtojë namazin. Këto janë lehtësime nga Allahu. Allahu do që robërit të zbatojnë lehtësimet e Tij, ashtu sikurse dëshiron ti përmbahen urdhëresave të Tij.

E katërta: Allahu i Lartësuar ia ka lejuar gruas shtatzënë që mos të agjërojë, ngaqë foshnja në bark ushqehet me ushqimin e saj. Kësisoj, agjërimi mund ta dëmtojë atë ose foshnjen e saj, prandaj Ligjvënësi i Urtë (Allahu) e ka lejuar të mos agjërojë.

E pesta: Allahu i Lartësuar ia ka lejuar gruas gjidhënëse që të mos agjërojë, sepse ajo ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm, ndërsa agjërimi mund t'i shkaktojë mundim ose të dëmtojë shëndetin e saj ose të foshnjës.

E gjashta: Këtij lejimi i bashkangjiten edhe rastet që e kanë të domosdoshme prishjen e agjërimit, si: për shuarjen e zjarrit, për shmangien e ndonjë agresioni, për shpëtimin e jetës së njeriut, kur jeta e tij është në rrezik.219

E shtata: Nëse gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse e prishin agjërimin për shkak se i druhen shëndetit të tyre ose shëndetit të tyre dhe të foshnjës, ato vetëm agjërojnë më vonë aq ditë sa nuk kanë agjëruar në ramazan. Në këtë rregull nuk ka mosmarrëveshje ndërmjet dijetarëve, sepse ato konsiderohen si i sëmuri që e prish agjërimin nga frika për veten e tij. Nëse ato e prishin agjërimin nga frika për fëmijën e tyre, kjo është pikë diskutimi mes dijetarëve, por fetvaja që zbatohet në Arabinë Saudite - dhe kjo, në dashtë Allahu, është e saktë – thotë se ato duhet vetëm të agjërojnë këto ditë më vonë, sepse gjykohen njëlloj si të sëmurët.

Gjithashtu, Profeti (a.s.) barazoi në gjykim gruan shtatzënë apo gjidhënëse me gjendjen e udhëtarit, për sa i përket mosagjërimit. Dihet që udhëtari i agjëron më vonë ditët që ka lënë. Ai nuk ka detyrë të ushqejë për çdo ditë një të varfër, e po kështu është dhe gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse.220

26- Agjërimi dhe mosagjërimi në udhëtim

Aishja përcjell se Hamza Ibn Amr Eslemij i tha të Dërguarit (a.s.): “A të agjëroj në udhëtim?”, pasi ai agjëronte shumë. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro ose jo, si të dëshirosh". Këtë e shënon Buhariu e Muslimi.221

Ibni Abasi (r.a.) tregon se: I Dërguari i Allahut (a.s.) udhëtoi njëherë në muajin e ramazanit. Ai agjëroi gjersa arriti vendin e quajtur Usfan, pastaj kërkoi t'i jepej ena e ujit. Ai piu prej saj gjatë ditës, që ta shihnin njerëzit. Nuk agjëroi pastaj, derisa arriti në Mekë. Ibn Abasi thoshte: “I Dërguari i Allahut (a.s.) edhe agjëronte në udhëtim, edhe nuk agjëronte, prandaj kush të dojë, le të agjërojë e kush të dojë, le të mos agjërojë."222

Enes Ibn Maliku (r.a.) thotë: “Kur udhëtonim me të Dërguarin (a.s.), ata që agjëronin nuk i qortonin ata që nuk agjëronin, ashtu si ata që nuk agjëronin nuk i qortonin ata që agjëronin."223

Ebu Seid Hudrij (r.a.) thotë: "Gjatë ramazanit, kemi vajtur në betejë me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Kishte prej nesh që agjëronin, por kishte edhe që nuk agjëronin. Ai që agjëronte nuk zemërohej me atë që nuk agjëronte, por as ai që nuk agjëronte me atë që agjëronte. Ata besonin se ai që e shihte veten të fuqishëm, agjëronte, dhe kjo quhej gjë e mirë, ndërsa kush ndihej i dobët dhe hante në ditët e agjërimit edhe kjo vlerësohej si gjë e mirë."224

Ai përcjell përsëri e thotë: “Udhëtuam me të Dërguarin (a.s.) për në Mekë. Kur qëndruam në një vend, i Dërguari (a.s.) tha: “Ju po i afroheni armikut, kështu që prishja e agjërimit ju bën më të fortë për t'u përballur me të". Kësaj here, Pejgamberi (a.s.) thjesht bëri një lëshim, prandaj disa e mbajtën agjërimin dhe disa e prishën, por më pas, kur zbriti në një vend tjetër, ku ishim më pranë armikut, u tha: “Në të gdhirë ju do të ndesheni me armikun dhe prishja e agjërimit ju bën më të fortë." Ndaj dhe ne e prishëm të gjithë agjërimin.” “Kësaj here - thotë transmetuesi - Pejgamberi (a.s.) ua bëri detyrë prishjen e agjërimit”. Pas kësaj here, ne agjëronim me të Dërguarin kur ishim në udhëtim".225



Dobi dhe rregulla

Së pari: Toleranca në Islam, lehtësia e dispozitave, marrja në konsideratë e gjendjes së atyre që kanë përgjegjësi, dhe për të gjitha këto, falënderimi i takon Allahut!

E dyta: Udhëtari mund të zgjedhë ndërmjet agjërimit ose mosagjërimit. Suneti është që të bëjë atë që e ka më të lehtë, sepse hadithet tregojnë se ai është i lirë të zgjedhë.

E treta: Udhëtari që e ka të vështirë agjërimin është më mirë të mos agjërojë, kurse ai që e ka më të vështirë shlyerjen më vonë, sesa agjërimin në udhëtim, është më mirë të agjërojë në udhëtim, për arsye se kështu largon nga vetja vështirësinë e mëvonshme dhe shlyen detyrimin sa më parë.

E katërta: Ata që janë gjithmonë në udhëtim ose kanë udhëtime të shumta për shkak të punës, siç janë shoferët, për shembull, është më mirë që ta agjërojnë ramazanin në udhëtim, nëse agjërimi nuk i dëmton dhe nuk kanë vështirësi, me qëllim që të përmbushin këtë detyrim. Madje, agjërimi mund të jetë detyrim mbi ta gjatë udhëtimit, nëse nuk kanë kohë tjetër për të agjëruar.

E pesta: Njeriu që ka përgjegjësi duhet ta çlirojë veten me sa të jetë e mundur nga detyrimet fetare.

E gjashta: Hadithet që flasin për udhëtimet e të Dërguarit (a.s.), na bëjnë të kuptojmë se agjërimi dhe mosagjërimi ishin në varësi të arritjes së dobisë më të madhe dhe shmangies së dëmit dhe vështirësisë. Për këtë arsye, muslimani duhet t'i përmbahet në këtë pikë udhëzimit të Pejgamberit (a.s.).

E shtata: Hadithi i Hamza Eslemiut është fakt që njeriu duhet të pyesë për çdo gjë që i paraqitet, a është e lejuar apo është më e vlefshme, se kështu vepronin sahabët - Allahu qoftë i kënaqur me ta!

E teta: Prijësit i lejohet të urdhërojë njerëzit që të veprojnë më të lehtën, dhe në këtë rast ajo bëhet e detyrueshme, sepse ata e kanë detyrë t'i binden prijësit. Bindja ndaj prijësit, në këtë rast, nuk është mëkat.

E nënta: Prijësi duhet të sillet butë me ata që janë nën kujdesin e tij. Ai duhet të marrë në konsideratë gjendjen e të dobtëve. Pejgamberi (a.s.) i urdhëroi të gjithë shokët e tij që të prishnin agjërimin, për të qenë më të fortë në përballjen me armikun. Megjithëse në mesin e tyre kishte të fortë, që nuk ndikoheshin nga agjërimi, ngaqë ishin mësuar me të, kishte edhe të tjerë që agjërimi i dobësonte. Kështu, Profeti (a.s.) i urdhëroi të gjithë që të mos agjëronin, duke marrë parasysh kategorinë e atyre që i dobësonte agjërimi.

E dhjeta: Në të tilla regulla, ku muslimani ka mundësi zgjedhjeje, ka lirshmëri, kështu që nuk duhet të qortojmë tjetrin për atë që zgjedh. Kjo vlen edhe për çështjet e diskutueshme, për të cilat nuk ka argumente të prera, pra edhe në këto çështje ka lirshmëri, në dashtë Allahu.

E njëmbëdhjeta: Mendimet e ndryshme të muslimanëve lidhur me trajtimin e disa lehtësimeve fetare apo mbi kuptimin e teksteve të Sheriatit nuk duhet të bëhen shkak për përçarje e armiqësi mes tyre.

E dymbëdhjeta: Këto hadithe tregojnë se sa të vëllazëruar e të dashur ishin dhe sa mirë i kuptonin çështjet e fesë sahabët - Allahu qoftë i kënaqur me ta! Ai që zgjidhte lehtësimin fetar të mosagjërimit nuk e shante atë që agjëronte dhe ai që agjëronte nuk e shante atë që zgjidhte lehtësimin.

E trembëdhjeta: Lejohet udhëtimi gjatë ramazanit. Vetë Profeti (a.s.) udhëtoi gjatë ramazanit vitin kur u çlirua Meka.226

E katërmbëdhjeta: Kush ka ndër mend të udhëtojë të nesërmen, gjatë ramazanit, nuk i lejohet ta bëjë nijet që në darkë se nuk do të agjërojë të nesërmen, sepse nuk mund të konsiderohesh udhëtar për qëllimin që ke, por konsiderohesh udhëtar vetëm atëherë kur nis udhëtimin.227

E pesëmbëdhjeta: Kush ka ndër mend të udhëtojë, nuk i lejohet të prishë agjërimin kur është në vendin e tij, derisa të dalë në udhëtim ose të ketë hipur në mjetin e udhëtimit.228



Yüklə 0,8 Mb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   12




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə