Doktor” “kuptimi rëNDËsia dhe kushtet e vlefshmërisë SË veprimit juridik në rastin e kalimit të PASUrisë SË paluajtshme


INSTITUTI I PRONËS PRIVATE NGA VITI 1944 DERI NË VITIN 1990



Yüklə 448,34 Kb.
səhifə2/16
tarix31.10.2018
ölçüsü448,34 Kb.
#77599
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   16

INSTITUTI I PRONËS PRIVATE NGA VITI 1944 DERI NË VITIN 1990



Të dhëna historike
Në nëntor të vitit 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit gjermanë. Menjëherë qeverisjen e vendit e mori përsipër qeveria e re, udhëheqësit e së cilës dolën nga rradhët e Ushtrisë Nacionaliste Shqiptare dhe Partisë Komuniste. Në 11 janar të vitit 1945, Shqipëria u shpall Republikë Popullore. Në rast se do të shohim gjithë zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit në këtë periudhë si dhe legjislacionin e miratuar do të konstatojmë se Shqipëria deri në vitet 1990 u karakterizua nga politika ekonomike centralizuese, ku çdo burim ekonomie u përqëndrua në kontrollin e shtetit komunist. U krye një reformë agrare sipas të cilës toka bujqësore dhe pasuria private u shtetëzuan totalisht dhe ku shteti ishte ofruesi i vetëm i shërbimeve dhe mallrave.
Një nga aktet më të rëndësishme të kohës ishte Kushtetuta e vitit 1946, e cila në nenin 7, kapitullin II të saj parashikonte se : “Në Republikën Popullore të Shqipërisë mjetet e prodhimit përbëhen prej pasurisë së përbashkët të popullit që gjendet në duart e shtetit, prej pasurisë së organizatave kooperativiste popullore dhe prej pasurisë së personave privatë, fizikë ose moralë”.
Në atë kohë konsideroheshin si pasuri e përbashkët e popullit, të gjitha minierat dhe pasuritë e tjera të nëntokes, ujërat, burimet natyrale pyjet dhe kullotat, mjetet e komunikacionit ajror, hekurudhor e detar, postë - telegrafet, telefonat, radiostacionet dhe bankat. Tregtia e jashtme dhe e brendshme e vendit tonë ishin nën kontrollin e shtetit, i cili i rregullonte dhe i kontrollonte ato.
Në nenin 12 të kësaj Kushtetutë thuhej se: “Toka u takon ayre që e punojnë. Caktohet me ligj kur nje institucion ose një person që nuk e punon token mund të mbetet zot i kësaj toke dhe në ç’masë”. E njëjta frymë dhe ideologji do të përshkonte dhe K.Civil të vitit 1955.
Ajo që vlen të përmendet në këtë periudhë është fakti që regjimi politik i kohës e filloi veprimtarinë e tij me kufizimin e pronës private nëpërmjet Ligjit për Reformen Agrare të vitit 1945-1946. Kjo reformë e kufizoi shumë të drejtën e pronësisë për tokën (deri në 5 ha për pronarët e mëdhenj).
Si pasojë e “Ligjit për Reformën Agrare nr.108, datë 29.08.1945”, toka bujqësore në pronësi të shtetit, pronarëve, enteve privatë apo fetare, shtetëzohej dhe u ndahej fshatarëve. Me Qarkoren e datës 19.01.1945 noterët u ndaluan të kryenin veprime për shitblerjen e tokës bujqësore. Në bazë të Urdhëresës së Qeverisë nr. 49, datë 04.09.1947, mbi “Kadastrën provizore”, u krijua kadastra për tokat bujqësore.
Sipas ligjit të reformës agrare (neni 12) fshatarët që morën tokë u regjistruan në regjistra të posaçem të krijuara pranë Zyrave të Reformes Agrare, por ata nuk u pajisën me tituj pronësie mbi tokën . E drejta e pronësisë, në këtë mënyrë po zhdukej gradualisht dhe në vitin 1967, nuk kishte me pronë private mbi tokën; ndërsa Kushtetuta e vitit 1976 sanksionoi përfundimisht faktin se toka ishte në pronësi të shtetit.

Pra, mund të thuhet se tipi i së drejtës së pronësisë në këtë periudhë do të përcaktohej nga tipi i marrëdhënieve në prodhim që sundonin në shoqëri. Për shkak të transformimeve ideologjike të kohës, marrëdhëniet shoqërore ekonomike në pjesën dërrmuese do të shndërroheshin në marrëdhënie socialiste. Në pajtim me këtë, tipi sundues i së drejtës së pronësisë ishte “pronësia socialiste” e cila do të shtrihej mbi veglat dhe mjetet kryesore të prodhimit në dy lloje:




  1. shtetërore dhe

  2. kooperativiste.


Krahas kësaj lloj pronësie do të kemi dhe ekzistencën e pronësisë së personave privatë, e cila do të shfaqej në dy forma:




  1. personale dhe

  2. private.

Subjekte të së drejtës së pronësisë socialiste ishin shteti dhe organizatat kooperativiste-shoqërore, kurse subjekte të pronësisë private ishin personat fizikë.


Sendet të cilat u përkisnin organizatave kooperativiste-shoqërore do të përbënin pronën kooperativiste-shoqërore, e cila do te konsiderohej si pasuri e çdo organizate kooperativiste shoqërore të veçantë dhe jo e anëtareve që bënin pjesë në të.
Kështu pasuria shtetërore, e konsideruar “bazë e shenjtë dhe e paprekshme e demokracisë popullore administrohej nga ndërmjarrjet dhe institucionet shtetërore ose nga këshillat popullorë të cilat ishin subjekte shteterore (persona juridike). Këto subjekte e posedonin dhe e gëzonin pronën brenda kufijve të caktuar me ligj dhe n.q.se e lejonte plani ekonomik i shtetit, mund dhe ta dispononin atë.
Nga ana tjetër, pasuria kooperativiste administrohej prej çdo kooperative të veçantë nëpërmjet organeve të saj (mbledhja e përgjithshme, kryesia, etj.) në bazë të planit të tyre të pavarur.
Përsa i përket pronës së personave privatë si u tha dhe më lart në këtë punim ajo evidentohej në dy forma:


  1. në pronën personale dhe

  2. në pronën private.

Dallimi ndërmjet pronësisë personale dhe pronësisë private qëndronte në:

(i) llojin e sendeve që ishin objekt i tyre dhe

(ii) destinacionin që ato kishin, pra qëllimin për të cilin ato përdoreshin.


Në pronën personale bënin pjesë të ardhurat dhe kursimet nga puna, ndërtesat për banim, sendet e nevojshme për ekonominë shtëpiake dhe çdo send tjetër që shërbente për përdorimin personal ose familjar. Prona personale konsiderohej si e prejardhur nga prona socialiste. Nga ana tjetër, në pronën private hynin pasuritë që përdoreshin si mjete prodhimi apo si mallra. Forma kryesore e pronës private ishte ekonomia tregtare private, ekonomia e familjes bujqësore që nuk bënte pjesë në një kooperative bujqësore dhe ekonomia e vogël e zejtarëve të pakooperuar. Ajo ishte e prejardhur nga puna personale e pronarit privat të mjeteve të prodhimit dhe familjes së tij.

E megjithatë, rëndësia e pronës private konsiderohej se vinte gradualisht duke u zvogëluar në saj të kooperativizmit të fshatarëve e të zejtarëve.


Ajo çka vihet re gjithashtu në ketë kohë është se në konfliktet me objekt rivendikimin e sendit/pasurisë të cilat mund të ekzistonin ndërmjet shtetit nga njëra anë dhe organizatave kooperativiste ose shtetasve nga ana tjetër, kur pas hetimit gjyqesor asnjëra nga palët nuk arrinte të provonte se sendi i perkiste njërës apo tjetrës palë prezumohej se sendi i përkiste shtetit dhe ky i fundit ishte pronar i vetëm.
Po cilat ishin disa prej akteve normative më të rëndësishme në ketë periudhë që krijuan bazën legjislative të institutit të pronësisë.
Dekreti nr.2083, datë 06.07.1955 “Mbi Pronësinë”, aprovuar me ligjin nr.2251, datë 04.04.1956 (hyrë në fuqi më datë 01.09.1955).
Ky dekret parashikonte se sendet e paluajtshme janë toka, ndërtesa, dhe çdo gjë e lidhur në mënyrë të qëndrueshme me tokën. Pasuritë mund të jenë pronë e shtetit, organizatave kooperativiste apo shoqërore (pronë socialiste) dhe personave (pronë personale dhe private). Ishin pronë vetëm shtetërore dhe nuk mund të tjetërsoheshin: minierat, nëntoka me pasuritë e saj, ujërat, pyjet dhe kullotat, bankat, telegrafët, sistemi i transportit, radiostacionet, uzinat, fabrikat, ndërmarrjet, fondi shteteror i tokave, fondi shtetëror i ndërtesave.
Në dekretin për pronësinë të vitit 1955, parashikoheshin disa rregulla për regjistrimin në regjistrat e zyrës së kadastrës të veprimeve juridike për kalimin e pronësisë në lidhje me pasuritë e paluajtshme të ndodhura në qytet e në fshat; për fitimin ose njohjen e pronësisë së tyre në bazë të ligjës, të vendimit të gjykatës ose të një organi tjetër shtetëror; për deklarimin si të pavlefshëm të veprimeve juridike me vendim të gjykatës ose të një organi tjetër shtetëror; për heqjen dorë nga pronësia e tyre në dobi të një personi tjetër, për pjesëtimin me marrëveshje të një sendi të përbashkët, si dhe për fitimin dhe humbjen e barrëve mbi këto pasuri. Referuar ligjit të kohës ishte pronë private çdo gjë që nuk ishte e ndaluar të ishte në pronësi të personave privatë.
Në pronësi të personave privatë mund të ishin si pasuri të paluajtshme vetëm banesat.Këto banesa privatët i patën përfituar ose (i) nëpërmjet blerjes nga shteti, ose (ii) ishin banesat vetjake që kishin mbetur si të tilla nga shtetëzimet që kishte bërë shteti i kohës.
Udhëzim i Këshillit të Ministrave nr.6 dt.10.2.1958, G.Z Nr 3/1958 “Mbi shitjen e shtëpive të banimit, pronë shtetërore që ndodhen në fshatra
Ky udhëzim rregullonte tre çështje kryesore:


  1. Shitjen e shtëpive shtetërore të cilat ndodheshin në fshatra, anëtareve të kooperativave bujqësore, fshatareve të tjerë individualë, të varfër, ose të mesem, sidomos atyre që nuk kishin shtëpi banimi ose që i kishin të papërshtashme, që ishin invalide të luftës ose të punës bujqër etj.

  2. Por, në rast se për shtëpi të tilla do të kishte nevojë kooperativa bujqësore, (për zyra etj), këto do të preferoheshin me rastin e shitjes se shtëpive.

  3. Kur për shtëpi të tilla do të kishin nevojë organet lokale të pushtetit ose të administratës shtetërore (për zyra, banesa për punonjës etj.) këto do t’i kalonin si mjet kryesor organeve të lartpërmendura.


Dekret nr.1541, dt.18.9.1952 aprovuar me ligjin nr.1653, dt.30.3.1953 “Mbi shitjen e shtëpive të vogla pronë shtetërore”
Ky dekret do të parashikonte se shtëpitë e vogla të banimit, “të shumtën me tri të ndara” (tri dhoma), që ishin pronë e shtetit të ndodhura në qytete ose qendra të banuara mund t’u shiteshin punëtorëve dhe nëpunësve që nuk kishin banesa të tyre.
Mund të shiteshin në kushtet e përmendura më lart edhe shtëpitë me më shumë të ndara, por të bëra me ndërtim të vjetër me qerpiç, gure, tulla kallama etj, kur jepej aprovimi për shitjen me vendimin e komitetit ekzekutiv të këshillit popullor.
Dekreti nr.2151, datë 08.11.1955 “Mbi sistemin agrar të tokave dhe regjistrimin e tyre”
Ky dekret, në atë kohë, bënte ndarjen e tokave bujqësore dhe jobujqësore si dhe jepte definicionin e tyre. Do të quheshin tokë bujqësore arat , djerret , lëndinat , ugaret , livadhet pemishtet, kopshtet , vreshat, ullishtat , moçalet si dhe kullotat dhe pyjet . Në tokat bujqësore në fshatra apo qytete mund të lejohej të ngriheshin ndërtesa, kur në fshat kjo lejohej nga komisionët e çeshtjeve agrare dhe në qytet lejohej nga zyra e urbanistikes. Cilat ishin qytete dhe cilat do të ishin fshatra caktoheshin nga dispozitat e ligjës “ Mbi Këshillat Popullore”.
Tokat jo bujqësore quheshin ato toka që ziheshin nga ndertesat sado që të ishte sipërfaqja e tyre në fshat dhe në qytet; si dhe, çdo toke në qytet sipërfaqja e të cilës është jo më shumë se gjysmë dynymi. Kopshtet dhe pemishtet në qytet janë toke jobujqësore kur nuk kalojnë gjysmë dynym. Do quhet tokë jobujqësore edhe në ato raste kur toka, pemishtja, kopshti, kapnin sipërfaqe 700 m2, por ato mund të bashkoheshin me ndonjë tokë tjetër bujqësore.
Përsa i përket tokës jobujqësore, pronë e shtetasve, ose pronë kooperativiste, dekreti nr. 2151, dt. 08.09.1955, ndalonte krejtësisht tjetërsimin e tokave të destinuara për ndërtim dhe që janë të lira për ndërtesa.
Dekreti nr.4823, datë 02.03.1971 “Mbi mbrojtjen e tokës”
Ky dekret percaktoi se tjetërsimi i ndërtesave, pronë vetiake, bëhet me leje të komitetit ekzekutiv ose të këshillit popullor përkatës. Tjetërsimi i trojeve ose oborreve (avllive), qoftë edhe kur shitet ndërtesa, ndalohet. Oborri (avllia) baraz me sipërfaqen që zë ndërtesa, por jo më shumë se 200 metra katrore, i kalon në përdorim blerësit të ndërtesës”.
Kushtetuta e vitit 1976
Të gjitha aktet e mësipërme të kohës nuk bënë gjë tjetër veçse çuan në nxjerrjen e tokës jashtë qarkullimit civil. Por ajo që përfundimisht e nxorri tokën nga qarkullimi civil ishte Kushtetuta e 1976.
Sipas nenit 19 të Kushtetutës e gjithë toka u shpall pronë shtetërore. Në këtë nen sanksionohej se “Toka u jepet në përdorim shoqëror ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore, kooperativave bujqësore dhe organizatave shoqërore, si dhe në përdorim vetiak shtetasve”.
Sipas kushtetutës dhe ligjeve të kohës kemi zëvendësimin e konceptit pronë private për individin me konceptin përdorim, pasi e drejta e pronarit mbi çdo pasuri të paluajtshme i takonte shtetit dhe individëd/shtetasit vetëm mund të përdornin këto pasuri, sipas termave dhe kushteve të përcaktuara me ligj.
Ligji nr. 5686, datë 21.02.1978 “Mbi mbrojtjen e tokës” që u shfuqizua me ligjin nr.7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën”.
Në bazë të këtij ligji tjetërsimi i tokës dhe i trojeve ishte totalisht i ndaluar.
Kodi Civil, miratuar me ligjin nr.6340, datë 26.06.1981, hyrë në fuqi më datë 01.01.1982.
Sipas parashikimeve të këtij Kodi, çdo pronë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, ishte në pronësi të shtetit, të kooperativave bujqësore dhe të personave të veçantë. Prona socialiste përbëhej nga prona shtetërore dhe nga prona kooperativiste në bujqësi. “Prona shtetërore i përket gjithë popullit dhe është forma më e lartë e pronës socialiste”.

Shteti ishte pronar i vetëm i të gjithë pronës shtetërore.


Toka dhe pasuritë e nëntokës, minierat, pyjet, kullotat, ujërat, burimet natyrore të energjisë, uzinat, fabrikat, stacionet e makinave dhe të traktorëve, bankat, rrugët e komunikacionit dhe mjetet e transportit hekurudhor, ujor e ajror, portet, telegrafët, telefonat, stacionet e radios dhe të televizionit, kinematografia, përcaktoheshin si pronë vetëm e shtetit.
Pronë e shtetit ishte edhe çdo pasuri tjetër që krijohej në sektorin shtetëror ose që shteti e fitonte sipas ligjit.
Pronë vetjake sipas këtij kodi do të ishin të ardhurat nga puna dhe nga burime të tjera të ligjshme, shtëpia e banimit si dhe sende të tjera të cilat do të shërbenin për plotësimin e nevojave materiale e kulturore vetjake e familjare. Pronë vetjake ishin edhe objektet që i përkisnin familjes kooperativiste në bazë të statutit të kooperativës bujqësore.
Regjimi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme në ketë periudhë
Fillimisht regjistrimi qe iu bë tokave në këtë periudhë kishte për qëllim të mblidhte dhe të ruante në një formë sistematike dhe të dukshme të dhëna të sakta mbi të drejtën e pronësisë dhe mbi gjendjen natyrale ekonomike të tokave dhe pasurive të tjera të paluajtshme. Kjo bëhej dhe për nevojat e sistemimit agrar dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të pronarëve të tokave. Referuar dekretetit nr.2151, datë 08.11.1955 “Mbi sistemimin agrar të tokave dhe regjistrimin e tyre “ regjistrimi i tokave organizohej dhe drejtohej nga Ministria e Bujqësisë dhe komitetet ekzekutive të këshillave popullore të qarqeve dhe kryhej në rrethe dhe në qytete nga Zyra e Kadastrës nën drejtimin e kontrollit të seksioneve të bujqësisë pranë komiteteve ekzekutive.
Të gjitha tokat bujqësore kudo që ndodheshin si dhe të gjitha tokat e tjera dhe ndërtesat që ndodheshin në fshat regjistroheshin në regjistrat e zyrës së kadastrës.Tokat bujqësore që ndodheshin brenda qyteteve dhe që ishin të regjistruara në zyren e kadastrës, do të mbaheshin të regjistruara pranë kësaj zyre derisa mbi to nuk do të kishte të ngritur ndonjë ndërtesë ose nuk do të ishte ndryshuar destinacioni bujqësor i tyre. Tokat e tjera që ndodheshin brenda qyteteve, ndërtesat dhe tokat që më parë kishin qenë bujqësore por të cilave me vonë u ishte ndryshuar destinacioni, regjistroheshin në zyrën e hipotekës sipas rregullave të parashikuara në dekretin “Mbi pronësinë”. Në dispozitat me nr 12, 13, 16 të dekretetit nr.2151, datë 08.11.1955 “Mbi sistemimin agrar të tokave dhe regjistrimin e tyre “ do të gjejmë të dhënë në mënyrë të detajuar mënyrën se si regjistroheshin dhe si mbaheshin titujt e pronësisë në lidhje me tokën bujqësore në regjistrat e zyrës së kadastrës e cila ishte një vlerë për kohën. Çdo veprim për ndryshimin e destinacionit apo për tjetërsimin e tyre duhet të bëhej patjetër me leje të autoriteteve të përcaktuara nga ligji i cili qe komisioni i çështjeve agrare. Gjithashtu në këtë dekret do të shohim dhe një rol aktiv të zyrës së kadastrës e cila ishte e detyruar që të ndiqte, konstatonte dhe verifikonte në mënyrë të vazhdueshme ndryshimet që ndodhnin në tokat bujqësore si dhe në pasuritë e tjera të paluajtshme dhe të pasqyronin këto ndryshime brenda 20 ditëve në zyrën e kadastrës nga dita e lajmërimit apo konstatimit.

Kjo veprimtari vazhdoi nën këtë rregullim për një periudhe të gjatë . Edhe me ligjin nr.5686, datë 21.02.1978 “Mbi mbrojtjen e tokës”, tokat bujqësore do të vazhdonin të regjistroheshin në kadastër, ndërsa ndërtimet apo shtëpitë e banimit si dhe oborri (avllia) i barabartë me sipërfaqen që zinte ndërtesa, por jo më shumë se 200m2, që i kalonin në përdorim pronarit të ndërtesës regjistroheshin në zyrat e hipotekës.


Sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme që ishte krijuar në vitin 1929, vazhdoi funksionimin edhe në periudhen 1945 e në vijim. Gjatë këtyre viteve, ai sistem nuk pësoi ndryshime thelbësore, përveçse u krijua kadastra e pasurive bujqësore ( tokave bujqësore, pyjeve dhe kullotave ) sipas Urdhereses se qeverise e vitit 1947 për kadastren provizore

INSTITUTI I PRONËS PRIVATE NGA VITET 1990 – DERI MË SOT
Por si paraqitet instituti i së drejtës së pronësisë dhe statusi juridik i pronës (pasuritë e paluajtshme private apo publike) nga vitet ’90-të dhe deri më sot?
Vlerësoj se para se të kaloj në trajtimin teorik që i bën Kodi ynë Civil këtij insitututi si dhe

marrëdhënies juridike të pronësisë, të jap para jush një panoramë të shkurtër se cilat qenë kushtet historike që ndryshuan tërësisht këtë institut, cilat qenë ligjet bazë që shërbyen për ndryshimin e karakterit të pronës nga tërësisht publike (pronë e shtetit) në private dhe publike, cilat qenë normat ligjore që shërbyen për rregullimin e marrëdhenies juridike të pronësisë, të veprimit juridik dhe që shërbyen për sanksionimin dhe stabilizimin e tyre .


Të dhëna historike
Në vitin 1990 u rrezua regjimi diktatorial i kohës dhe iu hap rruga pluralizmit politik, qeverisjes demokratike si dhe sanksionimit të ekonomise së lire të tregut dhe pronës private.
Me ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, u sanksionua e drejta e individit për të gëzuar pronën private. Ky ligj vendosi një rend të ri ekonomik, dhe kalimin përfundimisht nga një sistem me ekonomi të centralizuar e të kontrolluar nga shteti, në një sistem ekonomik të bazuar në parimet e tregut të lirë.
Ligji nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, sanksionoi krijimin e ekonomisë private, duke i hapur rrugë lindjes së marrëdhënieve juridike civile të reja mbi pronën private, dhënien e trojeve për ndërtim subjekteve privatë, privatizimin e sektoreve të ekonomisë, krijimin e mundësive për investime të huaja, garancinë ndaj shpronësimeve të paligjshme etj.
Në bazë të këtij ligji personave fizikë a juridikë privatë vendas u jepej në pronësi truall për ndërtim me pagesë, duke pasur edhe të drejtën e shitblerjes. Ndërsa, personave fizikë a juridikë të huaj u jepej truall për ndërtim nga personat fizikë a juridikë vendas vetëm me qera fillimisht për një periudhë deri në 49 vjet, sipas një kontrate të veçantë.
Çmimi i shitjes dhe qiraja e truallit për ndërtim, që ishte pronë shtetërore, caktohej nga organi financiar i pushtetit lokal në juridiksionin e të cilit ndodhej trualli, sipas kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe sipas kërkesës e ofertës.
Shitja dhe dhënia me qira e truallit për ndërtim bëhej nga organi financiar i lartpërmendur. Shumat e paguara për truallin destinoheshin të përdoreshin për zhvillimin e infrastrukturës dhe këto shuma ishin nën juridiksionin e pushtetit lokal ku ndodhej sendi.
Personat juridikë a fizikë vendas pronarë të ndërtesave ekzistuese të çdo lloji do të trajtoheshin edhe si pronarë të truallit që zinin këto ndërtesa. Kur këto të fundit bliheshin nga të huajt, ata kishin të drejtën e pronësisë vetëm për ndërtesën, kurse toka, mbi të cilën ngrihej ndërtesa, u jepej me qera sipas kritereve ligjore.
Ky ligj garantonte se investimet e huaja dhe prona private e personave fizikë a juridikë, vendas a të huaj, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nuk mund të shpronësohen ose shtetëzohen dhe as nuk mund të jenë objekt masash të tjera të barasvlefshme me shtetëzimin ose shpronësimin me përjashtim të rasteve të veçanta në interes të përdorimit publik dhe gjithmonë me pagesë dhe me një zhdëmtim të plotë, “Zhdëmtimi, në rastet e përmendura, në paragrafin e parë të këtij neni, do të jetë i barabartë me investimin ose vleftën e pronës së shpronësuar ose shtetëzuar ditën në të cilën i është njoftuar shpronësimi palës që do të shpronësohet dhe ky zhdëmtim do të paguhet pa vonesë, bashkë me interesat bankare të akumuluara deri në ditën e pagimit. Zhdëmtimi është plotësisht i realizueshëm dhe lirisht i tjetërsueshëm. Në rast se pagimi i zhdëmtimit vonohet ky i fundit paguhet me një shumë që e vë personin fizik a juridik vendas a të huaj në një pozitë jo më pak të favorshme nga ajo që ka pasur, në qoftë se kjo shumë do të derdhej në datën e shpronësimit ose të shtetëzimit. Kushtet për mënyrën e derdhjes së këtij zhdëmtimi duhet të caktohen para datës së shpronësimit ose shtetëzimit”,( neni 28).

Ligji për Tokën
Ligji nr.7501, datë 19.07.1991 rregulloi në mënyrë specifike regjimin e tokës bujqësore në Republiken e Shqipërise, rregullat për ndarjen e saj, organet administrative dhe nivelet e atyre që janë kompetentë për të ndarë tokën bujqësore, procedurat administrative dhe dokumentet përkatëse që plotësoheshin deri në lëshimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi.
Në bazë të nenit 1 të ketij ligji, toka ndahet në tre kategori: (i) tokë bujqësore e zënë me bimë, pemishtë, vreshta, (ii) toka të zëna me pyje, kullota e livadhe; (iii) toka jobujqësore të zëna me ndërtime ekonomike, social kulturore, ushtarake, oborret e tyre etj. Në baze të nenit 5 të tij, familjet bujqësore merrnin në përdorim e pronësi tokë bujqësore. Të dhënat mbi ndarjen e tokave bujqësore regjistrohen në kadastrën e këshillit të rrethit, sot Seksioni i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë qarkut, (neni 9 i ligjit nr.7501/1991, me ndryshime).
Objekt i këtij ligji ka qënë vetëm ndarja e tokave bujqësore nga ana e organeve kompetente të përcaktuara në të. Çdo akt i marrjes së tokës në pronësi duhet të regjistrohej në kadastrën e qarkut.
Me ligjin për tokën u sanksionua fakti se shteti u jepte tokë personave fizikë a juridikë, të cilët nga ky moment gëzonin të drejtën e pronësisë. Shitja dhe blerja e tokës bujqësore fillimisht u ndalua me ligj.Toka bujqësore u jepej në pronësi ose në përdorim personave fizikë dhe juridikë vendas pa shpërblim.
Familjeve me banim në fshat, që nuk ishin anëtarë të kooperativës bujqësore dhe familjeve që punonin e banonin në ndërmarrjet bujqësore, u jepej në përdorim tokë bujqësore, madhësia e së cilës përcaktohej me vendim të Këshillit të Ministrave. Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihej pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit.
Organi shtetëror i specializuar për evidentimin e të dhënave për tokën ne kete periudhë ishte kadastra e cila ndodhej pranë komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit. Toka që kalonte në pronësi e në përdorim të çdo personi juridik a fizik, regjistrohej në kadastër.
Personat juridikë a fizikë që merrnin tokë bujqësore në pronësi ose në përdorim, detyroheshin ta shfrytëzonin atë vetëm për qëllime bujqësore, të ruanin e të rrisnin aftësinë prodhuese të saj, si dhe të kryenin sistemimin e të ndërtonin vepra për ta mbrojtur atë.
Ndërtimet e shtëpive të banimit, ato për veprimtari ekonomike, socialkulturore e çdo ndërtim tjetër bëhen brenda vijës kufizuese (vija e verdhë).
Toka për ndërtime (trualli) jepej me ose pa shpërblim sipas kritereve që caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Ndalohej çdo lloj ndërtimi në tokat bujqësore jashtë vijës kufizuese pa vendim të veçantë të organit kompetent përkatës.Në vlerën e plotë të ndërtim - montimeve përfshihej edhe vlera e tokës. Çdo personi fizik a juridik që i jepej tokë në përdorim dhe nuk e shfrytëzon atë për qëllime bujqësore a blegtorale gjatë një viti, i hiqej e drejta e përdorimit të saj.
Fillimisht toka bujqësore iu dha familjeve bujqësore në perdorim, e më pas me hyrjen ne fuqi te ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, iu dha në pronësi.
Pavarësisht nga sa më sipër, nuk u kaluan në pronësi këto toka (kufizimet):


  1. Tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodheshin brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara.

  2. Tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.88, datë 1.3.1993 “Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.

  3. Në pikën 1 dhe 2 nuk përfshiheshin familjet ose individët që i kishin fituar këto toka bujqësore si bashkëthemelues të ish kooperativave bujqësore apo të ndërmarrjeve bujqësore. Këta të fundit do të merrnin tokat që kishin dorëzuar për krijimin e kooperativave dhe ndërrmarrjeve bujqësore, sipas një procedure të veçantë parashikuar në VKM nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”.

  4. Tokat bujqësore të përfshira në veprimtarinë eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore.

  5. Tokat bujqësore të dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, pika 5, paragrafi i dytë.

  6. Tokat bujqësore që:

  1. ishin pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme;

  2. kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj.

  3. Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve u konsideruan të pavlefshme.

  1. Tokat bujqësore në përdorim të ndërmarrjeve të përbashkëta, deri në zgjidhjen e kontratës së lidhur midis palëve ose mbarimin e afatit të saj.


Yüklə 448,34 Kb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   16




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə