Doktor” “kuptimi rëNDËsia dhe kushtet e vlefshmërisë SË veprimit juridik në rastin e kalimit të PASUrisë SË paluajtshme


Pavlefshmëria e veprimeve juridike.Pavlefshmëria Absolute dhe Pavlefshmëria Relative



Yüklə 448,34 Kb.
səhifə7/16
tarix31.10.2018
ölçüsü448,34 Kb.
#77599
1   2   3   4   5   6   7   8   9   10   ...   16

Pavlefshmëria e veprimeve juridike.Pavlefshmëria Absolute dhe Pavlefshmëria Relative



Kuptimi i pavlefshmërisë së veprimeve juridike
Një rëndësi të madhe në të drejtën tonë paraqet dhe përcaktimi i qartë i elementëve të cilët e bëjnë të vlefshëm dhe të pavlefshëm një veprim juridik.
Kushte të përgjithshme për vlefshmërinë e veprimeve juridike, sikurse është trajtuar edhe në të drejtën tonë civile janë:


  • Zotësia për të vepruar e paleve që kryejnë veprimin juridik;

  • Përputhja e vullnetit të brendshëm me shfaqjen e tij;

  • Forma e kërkuar nga ligji për kryerjen e veprimit juridik.

Në nenin 79 të K.Civil është parashikuar shprehimisht :“Veprimi juridik është shfaqja e ligjshme e vullnetit të personit fizik ose juridik që synon të krijojë, të ndryshojë ose të shuajë të drejta ose detyrime civile“.


Pra që veprimi juridik të jetë i vlefshëm duhet domosdoshmërisht që palët që kërkojnë ta kryejnë atë të kenë zotësinë për të vepruar; dhe vullneti i brendshëm i paleve të përputhet me shfaqjen e tij të jashtme.
Mjafton plotësimi i elementëve të mësipërme për të bërë të vlefshëm veprimin juridik. Fryma e legjislacionit tonë civil është së mjafton mungesa e njërit prej këtyre elementeve që veprimi juridik të konstatohet i pavlefshëm.


  1. Zotësia per të vepruar e palëve në një veprim juridik

Kushti i parë dhe i dytë i shprehur më lart për vlefshmerinë e veprimit juridik mund të trajtohen edhe së bashku, sepse ligji e kërkon zotësinë për të vepruar të paleve për shkak të prezumimit "just et de jure" se vullneti i një të pazoti nuk mund të jetë i saktë. Në shumicën e rasteve kryerja e veprimit juridik bëhet duke plotësuar kushtet e nevojshme ligjore, prandaj dhe ato sjellin pasojat e dëshiruara për palët që i kryejnë. Veprimet juridike, si fakte juridike, hyjnë në kategorinë e fakteve juridike të vullnetshme, veprimeve të ligjshme të njeriut dhe, për rrjedhojë, vullneti i shprehur sipas ligjit për fitimin e të drejtave dhe marrjen përsipër të detyrimeve juridike civile sjell krijimin, ndryshimin dhe shuarjen e një marrëdhënieje juridike civile konkrete.


Pavlefshmëria absolute është një sanksion i rëndë që zbatohet në mbrojtje të interesave të përgjithshme të rendit publik-juridik, ndërsa pavlefshmëria relative ka rëndësi dhe gjen zbatim në mbrojtjen e interesave të veçantë të subjekteve që kanë marrë pjesë në ketë marrëdhënie juridike.
Ligjvenësi kërkon zotësinë për të vepruar të palëve për shkak të prezumimit se vullneti i një të pazoti nuk mund të jetë i saktë. Zotësia për të vepruar është zotësia e personit që me veprimet e tij fiton të drejta dhe merr përsipër detyrime.Zotësia për të vepruar nënkupton ekzistencën e zotësisë juridike dhe merr formën e saj të plotë kur personat arrijnë moshën 18 vjec. Zotësia për të vepruar është e lidhur jo vetëm me arritjen e një moshe të caktuar por edhe me aftësinë mendore.


  1. Përputhja e vullnetit të brendshëm me shfaqjen e jashtme

Veprimi juridik nuk është gjë tjetër veçse shfaqja e ligjshme dhe e lirë e vullnetit të personit fizik ose juridik. Shfaqja e vullnetit është e lidhur ngushtë me deshirën e personit për të kryer veprimin juridik. Shfaqja e vullnetit synon ardhjen e pasojave të caktuara, në lindjen ndryshimin ose shuarjen e të drejtave ose detyrimeve civile. Është më se e domosdoshme që personi fizik ose juridik jo vetëm të (i) shfaqë vullnetin e tij të lirë, por edhe (ii) ky vullnet të jetë i ligjshëm. Sa më sipër është një dukuri e cila përceptohet nga sjellja e jashtme e personit fizik që kryen veprimin juridik dhe kjo shfaqje vullneti duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme ndryshe nuk është e plotë.





  1. Forma e veprimit juridik

Një nga kushtet e vlefshmërisë së veprimit juridik është edhe veshja e tyre me formën e kërkuar ligjore, mungesa e së cilës sjell si pasojë pavlefshmerinë absolute të veprimit juridik. Në rastin e transferimit të pasurive të paluajtshme forma është element thelbesor për vlefshmerinë e veprimit juridik, mungesa e të cilës e bën të pavlefshem veprimin juridik.


Pavarësisht, se parimi i përgjithshëm i sistemit modern të kontratave është ai i lirisë së formave duke bërë që kontratat të mund të realizohen që nga deklarimet e shprehura deri në kontratat e heshtura, legjislacioni ynë në rastin e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme kërkon në mënyrë eksplicite dhe të domosdoshme formën si një element shumë të rëndësishëm të vlefshmërisë së veprimit juridik. Kontrata për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme duhet të bëhet me akt publik, pra me akt noterial, dhe kjo për faktin e thjeshtë se është pikërisht noteri publik, ai i cili vërteton me anë të formaliteteve të kërkuara nga ligji “Për noterinë”, vullnetet e deklaruara të palëve në prani dhe përpara tij.Vetëm kështu vullneti i palëve në një veprim juridik, siç është ai i tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme është i pavesuar, i ligjshëm dhe i plotë.
Veprime juridike absolutisht të pavlefshme janë veprimet juridike të parashikuara nga nenet 92 dhe 93 të Kodit Civil.Veprimet juridike të pavlefshme nuk krijojnë asnjë pasojë juridike. Të tilla janë ato që: a) vijnë në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit; b) kryhen për të mashtruar ligjin; c) kryhen nga të mitur nën moshën katërmbëdhjetë vjeç; ç) bëhen në marrëveshje të palëve pa patur për qëllim që të sjellin pasoja juridike (fiktive ose të simuluara).
Veprime juridike të kundërligjshme
Veprimi juridik është i kundërligjshem kur ai përmban kushte të cilat vijnë në kundërshtim me dispozitat ndaluese ose urdhëruese të ligjit. Dy janë llojet e veprimeve juridike të kundërligjshme: (i) veprimet juridike të kryera në kundërshtim me ligjin dhe (ii) veprimet juridike të kryera për të mashtruar ligjin. Të parat janë ato veprime, përmbajtja e të cilave vjen në kundërshtim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me një dispozitë të veçantë /urdhëruese të ligjit, me një institut juridik ose me një parim të së drejtës.Nuk është e nevojshme që veprimi që vjen në kundërshtim me ligjin të jetë kryer nga palët me qëllim për të shkelur ligjin ose të kërkohet dijenia e palëve në momentin e kryerjes së veprimit për shkeljen e normës, mjafton që veprimi juridik, pavarësisht nga elementi subjektiv, objektivisht të vijë në kundërshtim me ligjin. Veprimet juridike që kryehen në mashtrim të ligjit janë gjithashtu të kundërligjshme pra dallojnë nga veprimet juridike të kryera në kundërshtim me ligjin për faktin se në formë paraqiten si veprime plotësisht të ligjshme, por në vetvete fshehin një përmbajtje të kundërligjshme.
Në këtë kategori futen dhe veprimet juridike që kryhen duke shkelur formën e caktuar nga ligji. Mungesa e formës së kerkuar nga ligji si shkak për pavlefshmërinë absolute nuk është e parashikuar në dispozitat e cituara më lart, por pavlefshmëria e tyre rezulton nga përmbajtja e dispozitave të tjera të parashikuara në Kodin Civil si dhe nga përmbajtja e nenit 107 të tij. Rastet e pavlefshmërisë absolute, nuk janë taksative dhe të kufizuara si rastet e pavlshmërisë relative. Vetë formulimi që ka bërë ligjvenësi që është absolutisht i pavlefshëm çdo veprim juridik që vjen në kundërshtim me ligjin, të lë të nënkuptosh që rrethi i pavlefshmërisë absolute është shumë më i gjerë dhe nuk mund të përcaktohet dhe kufizohet si rastet e pavlefshmërisë relative. Ato përcaktohen rast pas rasti në varësi të konstatimit që bëhet nga palët e interesuara apo gjykata,nëse këto veprime janë kryer apo jo në kundërshtim me ligjin.Është parim i gjithëpranuar se pavlefshmëria absolute si një nga format më të rënda të shkeljes së ligjit, mund të konstatohet edhe kryesisht nga gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Këtë qëndrim kanë mbajtur Kolegjet e Bashkuara në vendimin e tyre unifikues nr.13, datë 09.03.2006 ku shprehimisht thuhet: “Për të konsideruar një veprim juridik absolutisht të pavlefshëm nuk është e nevojshme paraqitja e një kërkese të posaçme qoftë kjo padi apo kundërpadi, pasi kjo lloj pavlefshmërie konstatohet pavarësisht nga paraqitja në gjykatë e kërkesës. Pavlefshmëria absolute mund të parashtrohet nga çdo palë ndërgjyqëse që ka interes. Forma e parashtrimit mund të jetë edhe prapësimi, kjo për faktin se veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm me asnjë veprim të mëpasëm”.
Po në këtë vendim unifikues (nr.13/2006), Kolegjet e Bashkuara kanë mbajtur disa qëndrime shumë të vlefshme për praktikën gjyqësore, ndër të cilat spikat: “Veprimi juridik që është absolutisht i pavlefshëm nuk shkakton pasojat juridike që synojnë palët, për pasojë ai nuk ka fuqinë juridike të një veprimi juridik të vlefshëm. Kur gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes, konstaton se një veprim juridik është absolutisht i pavlefshëm, ajo nuk jep vendim për deklarimin e tij të pavlefshëm, por kufizohet vetëm në vërtetimin e pavlefshmërisë dhe duke u nisur nga kjo, zgjidh konfliktin e palëve ndërgjyqëse rreth marrëdhënies juridike përkatëse. Pavlefshmëria absolute mund të pretendohet nga kushdo që ka interes, ajo mund t’i kundrejtohet si palës tjetër të veprimit juridik, ashtu edhe çdo personi të tretë. Pavlefshmeria absolute mund të merret

parasysh nga gjykata edhe kryesisht, pa u kërkuar nga pala e interesuar, ose kundër dëshirës së saj. Nga tërësia e dispozitave që rregullojnë institutin e pavlefshmërisë së veprimeve juridike del se kur një veprim juridik është absolutisht i pavlefshëm edhe veprimi juridik i kryer midis njërës nga palet e veprimit juridik të pavlefshëm dhe një personi tjetër është edhe ai i pavlefshëm, në kuptimin që nuk ka fuqi juridike”.
Në referim të sa më sipër, veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm nuk mund të rregullohet asnjëherë, ai nuk mund të bëhet i vlefshëm as më vonë dhe as me veprime të tjera të mëpasme. Duke qenë se pavlefshmëria absolute është një nga format më të rënda të pavlefshmërisë, konsiderohet se veprimi juridik nuk ka ekzistuar, dhe nuk është kryer asnjëherë. Pavarësisht kësaj pavlefshmërie të veprimeve juridike, këto të fundit mund të sjellin pasoja juridike për subjektet e tyre, të cilat duhen zgjidhur nga gjykata e cila konstaton pavlefshmërinë absolute ose në bazë të kërkimit të palëve ndërgjyqëse ose kryesisht.
Duke iu referuar praktikës së gjykatave në zgjidhjen e këtyre çështjeve, deri përpara hyrjes në fuqi të vendimit unifikues nr.5/2012, Kolegjet e Bashkuara vlerësuan se ishte i nevojshëm konsolidimi i praktikës gjyqësore në lidhje me sqarimin e faktit, se kur gjykatat mund të dispononin për zgjidhjen e pasojave të krijuara nga pavlefshmëria absolute.
Në lidhje me sa më sipër, ishte konstatuar jo vetëm ekzistenca e praktikave të ndryshme nga gjykatat më të ulëta por dhe ndërmjet vetë kolegjeve të thjeshta të Gjykatës së Lartë.Referuar vendimit unifikues nr.5/2012, konstatimi i pavlefshmërisë absolute të një veprimi juridik nuk mund të paraqitet si padi më vete, por ishte nje kërkim i cili duhet të shoqërohej patjetër me kërkimin për zgjidhjen e pasojave të kësaj pavlefshmërie.
Duke mbajtur parasysh edhe vendimin unifikues nr.3/201241, (vendim ky që ka qartësuar rolin e gjykatës në përcaktimin e drejtë të mosmarrëveshjes që i shtrohet për gjykim dhe ligjin e zbatueshëm për zgjidhjen e saj), tashmë do të konsiderohet se pala në një proçes gjyqësor ka paraqitur së bashku me kërkimin për pavlefshmëri absolute të veprimit juridik dhe kërkimin për zgjidhjen e pasojave të kësaj pavlefshmërie, edhe nëse kjo palë këtë kërkim të fundit nuk e ka formuluar saktë dhe plotë (në padi apo kundërpadi), por që nga aktet e proçes it, (përmbajtja e padisë, kundërpadisë, pretendimeve, etj.) identifikohet qartë vullneti i paditësit për zgjidhjen e pasojave dhe veprimet konkrete që duhen kryer për këtë qëllim. Në këto raste, është detyrë e gjykatës që nëse konstaton pavlefshmërinë absolute të një veprimi juridik, të zgjidhë edhe pasojat e kësaj pavlefshmërie, në të kundërt konsiderohet se gjykata nuk e ka zgjidhur mosmarrëveshjen përfundimisht duke e lënë të hapur konfliktin mes palëve.
Praktika gjyqësore tashmë është konsoliduar në lidhje me shkaqet që të çojnë në pavlefshmërinë absolute të një veprimi juridik dhe që janë parashikuar qartë në nenin 92 të K.Civil. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës se Lartë, përsa i përket shkakut të katërt të parashikuar në nenin 92/c kanë bërë interpretimin e tyre se kur do të konsiderohet që veprimi juridik është fiktiv apo i simuluar. Me vendimin unifikues nr.832, datë 22.06.2000, këto kolegje janë shprehur se : “Në rastet e fiktivitetit dhe të simulimit, mospërputhjen midis vullnetit dhe shfaqjes së tij e duan vetë palët e veprimit juridik. Veprimi juridik është i simuluar kur kryhet me qëllim që të mbulojë një veprim tjetër juridik të vlefshëm apo të pavlefshëm, të cilin palët kanë dashur ta kryejnë me të vërtetë dhe që rezulton prej kundërdeklarimit si marrëveshje e fshehtë midis tyre42.
Veprimi juridik është fiktiv kur kryhet vetëm formalisht (për dukje, për faqe), pa pasur qëllim që palet të krijojnë pasoja juridike, p.sh. A-ja ia shet vëllait të tij shtëpinë për të mos ekzekutuar detyrimin e tij në lidhje me një hua.
Veprimi juridik është i simuluar kur kryhet me qëllim që të mbulojë një veprim juridik tjetër, të cilin palët kanë dashur të kryejnë në të vertëtë, p.sh. dhurimi i një pjese të një pasurie të paluajtshme për të mbuluar shitjen me qëllimin për t'u shpëtuar detyrimeve ligjore. Veprimi juridik është i simuluar kur kryhet me qëllim që të mbulojë një veprim tjetër juridik,që kanë dashur të kryejnë në të vertetë palët. Të dyja këto veprime janë absolutisht të pavlefshme43.

Shkaqet që mund të çojnë në pavlefshmërinë absolute:


  1. lidhur me subjektet: mungesa e zotësise juridike;

  2. lidhur me vullnetin: deklarimi i bërë në dukje pa qëllim per te sjelle pasojat juridike; pazotësia absolute (deklarimi i një të sëmuri mendor, apo veprimi i një të mituri nën moshën 14 vjeç);

  3. lidhur me formën: mungesa e formës së kërkuar (ad substantiam);

  4. lidhur me shkakun: shkaku i munguar ose shkaku i paligjshëm;

  5. lidhur me objektin: objekti i munguar, i pamundur, i paligjshëm, i papërcaktuar ose i papërcaktueshëm dhe në veprimet ndërmjet të gjallëve, kushti i paligjshëm ose kushti pezullues i pamundshëm.

Pasojat e pavlefshmërisë absolute

Veprimet juridike absolutisht të pavlefshme, nuk sjellin pasojat juridike që synojnë palët, pra nuk mund të prodhojnë efekt ligjor. Në këtë rast thuhet se veprimi juridik është nul, nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe për rrjedhojë, konsiderohet absolutisht i pavlefshëm.


Nga pavlefshmëria absolute rrjedhin një sërë pasojash: veprimi juridik absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm me asnjë veprim të mëvonshëm, as duke dhënë pëlqimin, dhe as me zhdukjen më vonë të shkakut të pavlefshmerisë. Pavlefshmëria absolute mund të pretendohet nga kushdo që ka interes kundrejt palëve që kanë kryer veprimin juridik, si dhe kundër çdo personi të tretë, që pretendon të drejta nga veprimi juridik. Pavlefshmëria absolute merret parasysh nga gjykata edhe kryesisht, d.m.th edhe në rastin kur pala e interesuar nuk kërkon nga gjykata konstatimin e pavlefshmërisë.Vendimi i gjykatës mbi pavleshmërinë absolute është një vendim konstatues. Gjykata është e detyruar që në këtë vendim të zgjidhë pasojat që vijnë nga ky konstatim .

Anulueshmëria (pavleshmëria relative)

Në disa raste, sanksioni i pavleshmërisë absolute në prani të mangësive në formimin e veprimit juridik është i tepërt dhe për ketë arsye sistemet juridike ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë krijuar figurën e anulueshmërisë, për të cilën akti i pavlefshëm ekziston dhe mund të prodhoje efektet e tij, por i jepet mundësia njërit prej subjekteve të interesuara që të kërkojë pavleshmërinë e aktit duke eleminuar me prapaveprim efektet e krijuara nga akti në fjalë. Anulueshmëria është një figurë e krijuar nga ligji, dhe kështu rastet e saj janë vetëm ato të parashikuara shprehimisht nga dispozitat e K.Civil ( taksative).


Neni 94 i K.Civil ka parashikuar dhe radhitur shkaqet e përgjithshme të anulueshmërisë për të gjitha veprimet juridike. Por në shumë raste të tjerë apo në ligje specifike që rregullojnë fusha të ndryshme të veprimtarisë mund të ketë dispozita të veçanta që flasin për rastet e pavlefshmërisë relative të veprimeve juridike si dhe për pasojat që vijnë, si p.sh. në fushën e kontratave, ku anulueshmëria e kontratës mund të vijë pasi kjo e fundit është firmosur nga përfaqësuesi në konflikt interesash të hapur me të përfaqësuarin, (neni 67 dhe nenet102-101 të K.C.).
Disa nga veprimet juridike që shpallen të anulueshme (pavlefshmëri relative), janë veprimet juridike të kryera nga:


  1. Të mitur mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit.

  2. Persona të cilëve u është hequr ose u është kufizuar zotësia për të vepruar për shkak sëmundjeje psikike ose persona me zhvillimi mendor të vonuar, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e kujdestarit.

  3. Persona të cilët në kohën e kryerjes së veprimit juridik nuk ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e veprimeve të tyre, megjithëse në atë kohë nuk u ishte hequr zotësia për të vepruar.

  4. Persona që kanë kryer veprimin juridik duke qenë të mashtruar, të kanosur, në lajthim ose për shkak të nevojës së madhe.

Anulimi i veprimeve juridike të kryera nga personat e parashikuar në pikën 1, 2 dhe 3 më sipër, mund të kërkohet edhe pas vdekjes se personit përkatës, por vetëm kur para vdekjes është kërkuar heqja e zotësisë së tij për të vepruar. E drejta për të kërkuar shpalljen e pavlefshmërisë së veprimeve juridike nga gjykata u takon personave për mbrojtjen e të cileve është dhënë kjo e drejtë, trashëgimtarëve si dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë.


Veprime juridike të kryera nga të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç si dhe prej personave të cilëve u është hequr ose u është kufizuar zotësia për të vepruar, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit.
Veprimet juridike të kryera nga të miturit mbi katërmbëdhjetë vjeç, kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e prindit ose të kujdestarit, apo veprimet juridike të kryera nga persona që, për shkak sëmundjeje psikike ose zhvillimi mendor të metë, u është hequr ose u është kufizuar zotësia për të vepruar kur veprimin juridik e kanë kryer pa pëlqimin e kujdestarit, janë veprime juridike të anulueshme, relativisht të pavlefshme. Që veprimet juridike të shpallen të pavlefshme duhet të provohet se personat që kanë kryer këto veprime, nuk e kuptonin rëndësinë e kryerjes së veprimit juridik në kohën e kryerjes se tyre.Veprimet juridike që kryhen nga persona të cilëve u është hequr ose u është kufizuar zotësia për të vepruar, janë të pavlefshme dhe nuk është e nevojshme të provohet se ata nuk kishin ndërgjegjen e rëndësisë së veprimeve të tyre.Edhe sikur këto veprime të vërtetohet se janë kryer në periudha të qartësisë mendore, ato janë të pavlefshme.
Veprime juridike të kryera nën ndikimin e kanosjes

Kanosje konsiderohet veprimi mbi psikikën e personit që e shtyn ketë të fundit të kryejë veprimin juridik nga frika se ai vetë, bashkëshorti, pasardhësit ose paraardhësit e tij do të pësojnë një dëm fizik ose material të padrejtë dhe të rëndë. Kanosja mund të sjellë pavlefshmërinë e veprimit juridik kur ekzistojnë këto kushte:



  • Kanosja duhet të jetë për shkaktimin e një dëmi në jetën, shëndetin ose pasurinë e personit i cili kryen veprimin juridik ose personave të afërm të tij, por të papërcaktuar në ligj.

  • Kanosja duhet të jetë e padrejtë, pra e kundërligjshme.

  • Dëmi duhet të jetë i rëndë.

Kanosje për dëmin fizik do të kuptojmë kur kanosja bëhet për vrasje ose plagosje të rëndë. Kanosja duhet t'u drejtohet personave të afërt që kanë lidhje gjaku në vijë të drejtë, pra paraardhësve që janë prindërit ose gjyshi, gjyshja si dhe pasardhësve, që janë femijet si dhe fëmijet e fëmijeve, pa kufizim. Kanosja duhet të jetë e padrejtë. Me këtë shprehje kuptohen rrethanat se veprimi mund të jetë i ndaluar nga ligji ose jo, por gjithmonë nëpërmjet tij synohet ushtrimi i presionit ndaj personit për ta detyruar atë që të kryeje veprimin juridik.


Veprime juridike të kryera në lajthim
Lajthimi është përfytyrimi i gabuar, (i shtrembër, jo i saktë), i momenteve që kanë rëndësi për kryerjen e veprimit juridik. Pavlefshmërinë e veprimit juridik nuk mund ta shkaktojë çdo lajthim , por ai që është thelbësor për ekzistencen e tij. Thelbësor duhet të konsiderohet ai lajthim që bazohet në rrethana, pa të cilat personi nuk do të kishte kryer veprimin juridik dhe që lidhet me cilesitë e sendit, me identitetin ose me cilësinë e personit tjetër. Lajthimi duhet dalluar nga gabimi në llogaritje ose, siç quhet, lajthim në llogaritje, pasi në këtë rast lajthimi në llogaritje nuk sjell shpalljen e veprimit juridik si të pavlefshëm, por vetëm korrigjimin e tij. Lajthimi në llogaritje lidhet me faktin kur gabimi në sasi ka qenë përcaktues për marrëveshjen.
Veprime juridike të kryera në kushtet e nevojës së madhe
Veprimi juridik mund të shpallet i pavlefshëm në rastin kur, për shkak të nevojes së madhe, detyrimet e marra nga njëra palë janë krejt të papërfillshme në krahasim me fitimet që nxjerr pala tjetër nga veprimi juridik. Për të shpallur një veprim juridik të pavlefshëm, sepse ai është kryer në kushtet e nevojes se madhe duhet të evidentohen tre kushte :

  • njëra nga palët të ndodhet në nevoje të madhe;

  • të kryhet veprimi juridik si rezultat i kësaj nevoje;

  • detyrimet e marra nga njëra palë të jenë të papërfillshme në krahasim me përfitimet që nxjerr pala tjetër.

Nevoja e madhe përcaktohet sipas rrethanave konkrete. Evidente mund të jetë një gjendje e vështirë pasurore, por nevoja e madhe mund të konsiderohet rast pas rasti edhe çdo rrethanë e tillë që vë në kushte të vështira dhe për rrjedhojë, të detyron për kryerjen e veprimit juridik konkret.


Pasojat e anulueshmërise (Pavleshmëria relative)

Veprimi juridik i anulueshëm prodhon efekte juridike të cilat japin fuqinë e një veprimi juridik të vlefshëm deri sa akti të deklarohet i pavlefshëm me vendim gjykate. Vetëm nga ky moment pasojat juridike bien duke marrë edhe fuqi prapavepruese. Ndryshe nga veprimet juridike absolutisht të pavlefshme, veprimet juridike relativisht të pavlefshme edhe mund të rregullohen. Pra, nëse akti është formuar me pavlefshmëri relative, akti nuk mund te anulohet nese ka kaluar afati i parashkrimit. Pas datës së parashkrimit akti do të konsiderohet i vlefshëm, jo vetëm definitivisht për të ardhmen, por sikur të kishte lindur pa vese.


Parashkrimi apo rregullimi më vonë i aktit bëjnë që ky i fundit të mbetet plotësisht efikas dhe të barazohet me një veprim juridik të vlefshëm. Këto veprime sjellin pasojat juridike, që synojnë palët dhe kanë fuqinë juridike të një veprimi juridik të vlefshëm derisa të shpallen të pavlefshme me vendim të gjykatës, mbi kërkesën e të interesuarit.Vetëm pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës deklarimin e anulueshmërise, gjykata nuk shprehet kryesisht mbi anulueshmërinë edhe sikur ta konstatojë nga aktet në gjykim.Vendimi i gjykatës është një vendim kostituitiv.
MËNYRAT E FITIMIT DHE TË HUMBJES SË PRONËSISË
E drejta e pronësisë si e drejtë reale mbi sendin është e transferueshme, përveç kur ndalohet shprehimisht me ligj. Faktet juridike që çojnë në lindjen e së drejtës së pronësisë janë mënyra të fitimit të pronësisë.Mënyrat e fitimit të pronësisë në bazë të parashikimeve të K.Civil të R.Shqipërisë, ndahen në dy grupe:


  • Fitimi i pronësisë me titull origjinar.

  • Fitimi i pronësisë me titull të prejardhur.


Fitimi i pronësise me titull origjinar
Fitim i pronësisë me titull origjinar ka të bëjë me faktin se e drejta e pronësisë që fitohet mbi sendin, është e pavarur nga e drejta e një pronari të mëparshëm. Në keto raste pronësia e sendit fitohet e lirë nga çdo detyrim që mund të rëndonte pronarin e mëparshëm. Kemi fitim pronësie me titull origjinar, edhe kur pronari i mëparshëm e ka braktisur sendin apo kur sendin e ka një pronar i mëparshëm, por e drejta e tij është e destinuar të humbas kundrejt atij që e fiton sendin me titull origjinar.
Mënyra të fitimit të pronësisë me titull origjinar janë:


  • Pushtimi dhe gjetja e sendit.

  • Shtimi, bashkimi, përzierja e përpunimi.

  • Parashkrimi fitues.

  • Fitimi me mirëbesim i sendeve të luajtshme.

  • Fitimi i pronësisë me shpronësim.


Fitimi i pronësisë me titull të prejardhur
Kur e drejta e pronësisë fitohet mbi sendin që i përkiste një pronari të mëparshëm, kemi të bëjmë me fitimin e pronësisë me titull të prejardhur.Thelbi i kësaj mënyre fitimi pronësie qëndron në faktin se pronari i ri e fiton të drejtën e pronësise mbi sendin, vetëm në rast se pronari i meparshëm ka patur të drejtën e pronësisë, mbi këtë send.
Mënyra të fitimit të pronësisë me titull të prejardhur janë:


  • Veprimet juridike të kalimit të pronësisë, (kontrata shitjeje, kontratë dhurimi, kontratë për heqje dorë nga e drejta e pronësisë në favor të një subjekti).

  • Trashëgimia ligjore dhe testamentare.

Sipas legjislacionit tonë momenti i fitimit të së drejtës së pronësisë për blerësin është në të njëjtën kohe humbje e të drejtës së pronësisë për shitësin. Thelbi i fitimit të së drejtës së pronësisë me titull të prejardhur qëndron në faktin që pronari i ri e fiton të drejtën e pronësisë mbi sendin vetëm në qoftë se tjetërsuesi është pronar i tij. Vlen parimi antik sipas të cilit asnjëri nuk mund t’u transferojë të tjerëve më shumë të drejta sa ka ai vetë.


Mënyra të tjera të fitimit të pronësisë janë edhe fitimi i pronësisë mbi frytet e sendit, që mund të fitohen nga pronari (titull i prejardhur), ose nga poseduesi jopronar (titull origjinal); psh me akt administrativ fitohet pronësia në rastet e sekuestrimeve për kundravajtje administrative, si policia e pyjeve etj; me vendim gjyqësor, fitohet pronësia nga shteti mbi sendet që sekuestrohen si rezultat i kryerjes se veprave penale etj.
HUMBJA E PRONËSISË
Pronësia mbi sendin humbet kur fitohet nga dikush tjetër ose kur hiqet dorë prej saj (neni 191 i K.Civil). Rezulton se mënyrat e fitimit të pronësisë për pronarin e ri, përbëjnë mënyrën e humbjes së pronësisë së pronarit të mëparshëm. Humbja e pronësisë ndodh me vullnetin e pronarit, kur ai me veprime juridike i kalon të drejtën e tij pronarit të ri, apo kur ky i fundit heq dorë nga pronësia e tij në favor të një subjekti tjetër. Por mund të ndodhë që pronësia të humbasë edhe pa vullnetin e titullarit të saj, nëpërmjet shpronësimit, parashkrimit fitues, vendimit të gjykatës, ose kur sendi zhduket nga ndonjë ngjarje natyrore apo civile. Kur humbja pronësisë së pronarit aktual, nuk sjell si pasojë fitimin e saj nga pronari i ri jemi përpara rastit të humbjes se pronësise absolute (p.sh. prona zhduket si pasojë e zjarrit, përmbytjeve etj.), ndërsa kur humbja e pronësisë sjell si pasojë fitimin e pronësisë nga një pronar i ri, ajo quhet humbje e pronësise relative.
Regjistrimi i veprimeve juridike/titujve të pronësisë
Në analizë të ligjit nr. 33/2013, “ Për rregjistrimin e Pasurive të palujtshme “ udhëzimit të K.M nr.1/2007 si dhe nenit 193/a të K.Civil, për të realizuar regjistrimin e pasurise se palujtshme pranë ZVRPP, subjekti i interesuar, duhet të disponojë aktet e fitimit të pronësisë që sipas nenit 193 të Kodit Civil, janë (a) kontratat për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe aktet për pjesëtimin vullnetar të tyre; b) kontratat me të cilat krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme, të drejta uzufrukti, përdorimi e bujtjeje, emfiteoze e servituti e të drejta të tjera reale; c) aktet me të cilat hiqet dorë nga të drejta pasurore të mësipërme; ç) vendimet e gjykatave me të cilat njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e trashëguar; d) aktet me të cilat krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to; h) vendimet e gjykatave ose organeve kompetente shtetërore që përkatësisht përmbajnë fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjestimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë së regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankand të tyre. Gjithashtu, në referim të nenit 83 të K.Civil, veprimi juridik për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet përndryshe është i pavlefshëm.


Yüklə 448,34 Kb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   10   ...   16




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©genderi.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə